Tre vite pas fillimit të punimeve, prindërit e mbi 150 fëmijëve në Komunën e Tearcës ende presin që çerdhja t’i hapë dyert

Kanë kaluar gati tre vite që nga fillimi i punimeve për çerdhen e re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës, ndërsa gati dy vite që nga përfundimi i objektit, por i njëjti ende nuk është lëshuar në përdorim. Prindërit e mbi 150 fëmijëve me vite presin që çerdhja t’i hapë dyert. Por një gjë […]

Nëntor 23, 2024 - 13:00
 0  5
Tre vite pas fillimit të punimeve, prindërit e mbi 150 fëmijëve në Komunën e Tearcës ende presin që çerdhja t’i hapë dyert
Çerdhja në fshatin Përshefcë - Komuna e Tearcës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kanë kaluar gati tre vite që nga fillimi i punimeve për çerdhen e re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës, ndërsa gati dy vite që nga përfundimi i objektit, por i njëjti ende nuk është lëshuar në përdorim. Prindërit e mbi 150 fëmijëve me vite presin që çerdhja t’i hapë dyert. Por një gjë e tillë nuk do të bëhet edhe për disa muaj sepse ka ende punë administrative për tu bërë. Sipas planifikimeve, çerdhja do të hapet gjysmën e parë të vitit 2025, por institucionet nuk specifikojnë datë konkrete, shkruan Portalb.mk.

Ku objekt duhej të ishte gati që në vitin 2023 mirëpo zvarritja e procedurave nga ana e autoriteteve ka bërë që kjo çerdhe ende të jetë e mbyllur.

Komuna e Tearcës për Portalb.mk thotë se janë në pritje të marrjes së vendimit për kryerjen e veprimtarisë.

“Është bërë pranim-dorëzimi i proçesverbalit të ndërtimit të përfunduar si objekt ndërtimi më 14.11.2024 nga Komisioni i emëruar nga Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, tash jemi në pritje të marrjes së vendimit për kryerjen e veprimtarisë”, thanë nga Komuna e Tearcës.

Nga ana tjetër, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për Portalb.mk theksoi se në vijim e sipër janë procedurat për themelimin e institucionit publik komunal për fëmijë – çerdhe dhe marrjen e vendimit për kryerjen e veprimtarisë/fillimin e punës së institucionit.

“Pas regjistrimit të institucionit në Regjistrin Qendror, komuna në bashkëpunim me ministritë kompetente duhet të zbatojë procedurat për sigurimin e mjeteve financiare për punën e kopshtit, duke përfshirë punësimin e stafit të nevojshëm. Çerdhja pritet të nisë funksionimin në gjysmën e parë të vitit 2025”, thonë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Çerdhja në fshatin Përshefcë - Komuna e Tearcës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Çerdhja në fshatin Përshefcë – Komuna e Tearcës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 20221, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale mbeti te rrjeti i ujësjellësit.

Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.

Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.

Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Realizues të punëve ndërtimore janë AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore janë EuroConsult LTD-Shkup.