Abdulgani Aliji: Kodra e Diellit ka borxhe dhe probleme me infrastrukturën e ski-ashensorëve që tentojmë t’i menjanojmë para fillimit të sezonit

Qendrën e skijimit “Kodra e Diellit” e pret edhe një sezon sfidues me shumë probleme të pazgjidhura të krijuara ndër vite. Janë identifikuar probleme teknike pothuajse në tërë infrastrukturën e ski-ashensorëve dhe teleferikëve ndërkaq hoteli “Kodra e Diellit” është në gjendje të mjerueshme. Në fillim të nëntorit, në krye të kësaj qendre turistike Abdulgani Aliji […]

Nëntor 23, 2024 - 13:00
 0  6
Abdulgani Aliji: Kodra e Diellit ka borxhe dhe probleme me infrastrukturën e ski-ashensorëve që tentojmë t’i menjanojmë para fillimit të sezonit
Abdulgani Aliji. Foto: Qendra e Skijimit "Kodra e Diellit"

Qendrën e skijimit “Kodra e Diellit” e pret edhe një sezon sfidues me shumë probleme të pazgjidhura të krijuara ndër vite. Janë identifikuar probleme teknike pothuajse në tërë infrastrukturën e ski-ashensorëve dhe teleferikëve ndërkaq hoteli “Kodra e Diellit” është në gjendje të mjerueshme. Në fillim të nëntorit, në krye të kësaj qendre turistike Abdulgani Aliji u emërua drejtor i ri. Me Alijin Portalb.mk realizoi një intervistë lidhur me problemet e Kodrës së Diellit, sezonin e ri turistik dhe çështje të tjera që e prekin këtë qendër.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Portalb.mk: Para pak javësh keni marrë në drejtim Qendrën e skijimit “Kodra e Diellit” e cila është lënë pasdore, si po e menaxhoni situatën, cilat janë prioritetet para fillimit të sezonit dimëror?

Abdulgani Aliji: Emërimi im si drejtor i Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit” u realizua në një moment shumë delikat, pikërisht në vigjilje të sezonit dimëror të skijimit. Që nga emërimi im po punojmë intensivisht për të identifikuar dhe prioritizuar çështjet më të rëndësishme, duke përfshirë riparimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve për vizitorët. Prioritetet tona para fillimit të sezonit dimëror përfshijnë sigurimin e kushteve të mira për skijim dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.

Portalb.mk: Si është gjendja financiare e Kodrës së Diellit, ka borxhe, sa dhe ndaj kujt?

Abdulgani Aliji: Gjendja financiare e Kodrës së Diellit është në proces të vlerësimit. Aktualisht, ka disa borxhe të identifikuara, për të cilat jemi duke punuar për t’i menaxhuar dhe zgjidhur. Qëllimi ynë është të stabilizojmë situatën financiare dhe të sigurojmë që Kodra e Diellit të vazhdojë operimin në mënyrë të qëndrueshme.

Qendra e skijimit Kodra e Diellit pa borë gjatë festave të Krishtlindjeve, janar 2023; Foto: Meta.mk
Qendra e skijimit Kodra e Diellit pa borë gjatë festave të Krishtlindjeve, janar 2023; Foto: Meta.mk

Portalb.mk: Një nga problemet kryesore është gjendja e ski-ashensorëve dhe teleferikëve. Çfarë do të ndërrmerrni që të jenë gati për përdorim deri në fillim të sezonit?

Abdulgani Aliji: Kemi identifikuar probleme teknike që kërkojnë riparime në pothuajse tërë infrastrukturën e ski-ashensorëve dhe teleferikëve dhe kemi arritur që në pothuajse të gjithë ski-ashensorët dhe teleferikët t’i mënjanojmë defektet në mënyrë që të njëjtat të pajisen me pranim teknik. Vazhdojmë të punojmë me specialistë për t’i sjellë ato në gjendje optimale dhe besojmë se do të jenë gati për përdorim deri në fillim të sezonit.

Portalb.mk: Pse është vendosur që hoteli “Kodra e Diellit” mos të punojë këtë vit, si do të ndikojë kjo në kapacitetet akomoduese të qendrës?

Abdulgani Aliji: Vendimi është marrë sepse hoteli “Kodra e Diellit” është në gjendje të mjerueshme, kjo për shkak se me vite të tëra nuk është bërë investim në këtë kapacitet akomodues. Thënë troç, hoteli aktualisht nuk i plotëson as kushtet minimale teknike të përcaktuara për kryerjen e veprimtarisë hotelierike. Po planifikojmë një projekt ideor për sa i përket këtij hoteli dhe po sa të kemi resurse financiare, do të përqendrohemi në realizimin e këtij projekti. Për këtë sezon besoj që me aftësimin e hotelit “Sllavija” do të arrijmë të menaxhojmë fluksin e vizitorëve.

Portalb.mk: Të punësuarit kanë vonesë në dy paga, pse ky problem?

Abdulgani Aliji: Vonesa në pagat e punonjësve ka ardhur si rezultat i problemeve financiare të menaxhmentit të kaluar. Më 22 nëntor u janë paguar dy rroga, kemi gjetur zgjidhje me ndihmën e ELEMIT.

Portalb.mk: Keni përmendur se aktualisht Kodra e Diellit ka vetëm 42 punonjës, ndërkohë që për funksionim normal janë të nevojshëm 79. Si do të menaxhoni situatën me mungesën e stafit?

Abdulgani Aliji: Besoj që do ta tejkalojmë me angazhim te punonjësve sezonal te angazhuar ne pozitat ku kemi mungesë të punonjësve, e kjo do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme. Në këtë mënyrë do të formojmë ekipin e nevojshëm për të siguruar funksionimin e pandërprerë të Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit”.

Kaosi në Kodrën e Diellit, Foto nga: Fatmir Bajrami
Kaosi në Kodrën e Diellit, Foto nga: Fatmir Bajrami

 Portalb.mk: Kodra e Diellit përballet me mungesën e parkingjeve dhe kaos urbanistik, a keni plan konkret për zgjidhjen e këtij problemi?

Abdulgani Aliji: Kemi një plan për të menaxhuar më mirë parkingjet ekzistuese dhe për të përmirësuar organizimin e trafikut. Gjatë ditëve në vijim, planifikojmë të realizojmë takim me përfaqësues të MPB-së që do të jetë me theks të veçantë në rregullimin e trafikut dhe vendosjen e rendit në komunikacion. Po ashtu, do të fokusohemi që parkingjet ekzistuese të mirëmbahen rregullisht nga shërbimet e Ski-Qendrës në mënyrë që vizitorët të mund t’i shfrytëzojnë maksimalisht dhe të shmanget kaosi urbanistik.

Portalb.mk: Menaxhimi i mbeturinave mbetet problem i shtresuar ndër vite, çfarë do të bëni në këtë drejtim?

Abdulgani Aliji: Po punojmë për të vendosur një sistem më efektiv të menaxhimit të mbeturinave, duke përfshirë këtu fushatë për rritjen e vetëdijes së qytetarëve, si dhe bashkëpunimin me kompanitë lokale për pastrimin dhe riciklimin e mbeturinave.

Mbeturinat në Kodrën e Diellit, foto nga Ardit Ramadani, Portalb.mk
Mbeturinat në Kodrën e Diellit, foto nga Ardit Ramadani, Portalb.mk

Portalb.mk: Para dy viteve u prezantua oferta e investitorit italian “TechnoAlpin” për rivitalzimin e Kodrës së Diellit, mirëpo negociatat për këtë projekt kanë ngecur dhe nuk ka ende marrëveshje të nënshkruar. Si drejtor, a jeni interesuar se deri ku është ky projekt dhe pse po zvarritet?

Abdulgani Aliji: Ka tre javë qe jam emëruar në këtë pozitë dhe për këtë çështje duhet të drejtoheni në qeveri pasi që unë nuk kam arritur deri aty pasi jam fokusuar në përgatitjet për sezonin e ri të jemi gati.

Portalb.mk: Çfarë mund të presin vizitorët këtë sezon nëse borë ka mjaftueshëm për skijim? A do të vlejnë biletat sezonale të vitit të kaluar për shkak të kushteve të pafavorshme të borës vitin e kaluar?

Abdulgani Aliji: Jam shumë optimist që nëse ka reshje të mjaftueshme bore për skijim, do t’ju ofrojmë vizitorëve përveç skijimit, aktivitete të shumta kulturore/rekreative dhe do ta shënojmë këtë sezon si një ndër sezonet më të suksesshme. Ashtu siç kemi njoftuar, për shkak të ski-sezonit të kaluar i cili ka qenë relativisht i shkurtër për shkak të mungesës së borës së mjaftueshme, kemi marrë vendim që të gjitha ski-biletat sezonale të blera gjatë sezonit të kaluar, të jenë të vlefshme edhe për ski-sezonin e ardhshëm 2024/2025.