Tri ditë para zgjedhjeve e në fund mandati, Ministria e Liburn Aliut jep kontrata 32 milionë euro për ndërtimin e banesave sociale

Në fund të mandatit e tri ditë para zgjedhjeve që do të mbahen më shkurt, Ministria e Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në krye me Liburn Aliun, ka dhënë tenderët për banimin e përballueshëm dhe social për Komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut. Vlera e kontratave është rreth 32 milionë euro, shkruan Reporteri.net. Ministria

shkurt 7, 2025 - 14:00
 0  5
Tri ditë para zgjedhjeve e në fund mandati, Ministria e Liburn Aliut jep kontrata 32 milionë euro për ndërtimin e banesave sociale
tri-dite-para-zgjedhjeve-e-ne-fund-mandati,-ministria-e-liburn-aliut-jep-kontrata-32-milione-euro-per-ndertimin-e-banesave-sociale

tri-dite-para-zgjedhjeve-e-ne-fund-mandati,-ministria-e-liburn-aliut-jep-kontrata-32-milione-euro-per-ndertimin-e-banesave-sociale

Në fund të mandatit e tri ditë para zgjedhjeve që do të mbahen më shkurt, Ministria e Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në krye me Liburn Aliun, ka dhënë tenderët për banimin e përballueshëm dhe social për Komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut. Vlera e kontratave është rreth 32 milionë euro, shkruan Reporteri.net.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka planifikuar të nënshkruajë sot shtatë kontrata në vlerë mbi 32 milionë euro për ndërtesat e banimit të përballueshëm dhe social. Dhënia e këtyre kontratave është bërë tri ditë para zgjedhjeve, e në fund të mandatit qeverisës, ndonëse premtimi i Kryeministrit Albin Kurti kishte qenë ndryshe. Ai premtonte se gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojnë banim të përballueshëm për 4 mijë familje.

“Një shoqëri është aq e fortë sa hallka e saj më e dobët – e banimi te ne është hallkë bukur e dobët”, kishte deklaruar ai në prill të vitit 2021, teksa akuzonte qeveritë e kaluara se e kishin lënë pas dore këtë çështje.

Për ndërtimin e ndërtesave për banimin e përballueshëm dhe social për Komunën e Podujevës, janë dhënë dy kontrata. Njëra është në vlerë 5 milionë e 815 mijë e 796 euro dhe i është dhënë konsorciumit “FRONI 1 SH.P.K: Vllezërit Asllani SH.P.K; AKTIV SH.P.K”.

Tjetra kontratë në vlerë 7 milionë e 781 mijë e 969 euro që i është dhënë konsorciumit “Rinesa SH.P.K: ILEAA- GR SH.P.K; LIMITPROJECT SH.P.K”, shkruan Reporteri.net.

Edhe për ndërtesat në Komunën e Pejës janë poashtu dy kontrata. Kontrata në vlerë prej 4 milionë e 876 mijë e 968 euro i është dhënë konsorciumit “D&T Group SH.P.K; Osmani Constuction SH.P.K; Jeton Bakalli”.

Tjetra kontratë është në vlerë 5 milionë e 253 mijë e 646 euro, të cilën e ka fituar poashtu një konsorcium “ADA CONSULTIN GROUP SH.P.K; SHM Architecture SH.P.K”.

Dy kontrata tjera milionëshe i janë dhënë një kompanie për ndërtimin e ndërtesave të banimit të përballueshëm dhe social për Komunën e Istogut.

Kompania “R&Rukolli”, është shpërblyer me një kontratë në vlerë 2 milionë e 400 mijë e 609 euro dhe një në vlerë 2 milionë e 505 mijë e 913 euro.

Ndërkohë, për ndërtesat e banimit të përballueshëm dhe social në Gjilan, është dhënë vetëm një kontratë.

Vlera e saj është 3 milionë e 670 mijë e 448 euro dhe me të është shpërblyer konsorciumi “Rinesa SH.P.K: ILEAA – GR SH.PK; LIMITPROJECT SH.PK”, që i është dhënë kontrata edhe për ndërtesat në Podujevë.

Kohëzgjatja e të gjitha kontratave është për 36 muaj.

Në maj të vitit të kaluar, kur ishte votuar Projektligji, Aliu kishte dhënë detaje rreth këtij projekti.

Aliu kishte thënë se janë kategoritë sociale ato që përfitojnë, duke shtuar se përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të këtyre banesave, por përfitojnë vetëm në kohën sa janë kategori sociale.

“Kur flasim për banimin social, janë kategoritë sociale ato që përfitojnë. Banimi social është përherë në pronësi të shtetit dhe menaxhojnë komunat me banimin social dhe monitorohen nga niveli qendror. Varësisht prej kategorive sociale, janë edhe përfituesit e banesave. Përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të banesave sociale, por përfitojnë në periudhën sa janë kategori sociale, Në momentin që ata dalin nga kategoria sociale, ata më nuk mund të jenë përfitues të banimit social”, kishte deklaruar Aliu.

Kishte folur edhe për kategoritë që përfitojnë.

“Janë pesë kategori: Kategoria shumë e varfër, kategoria e varfër dhe e cënueshme, me të hyra të ulëta, me të hyra të ulëta mesatare dhe të hyra mesatare. Kur folëm për shpërndarjen e banimit, janë komunat ato që aplikojnë me lokacione konkrete brenda zonave urbane dhe analizohen marrëdhëniet e këtyre lokacioneve me zonat rreth me infrastukturën që kanë”, tha Aliu./Reporteri.net