U avancuan ose degraduan shqiptarët në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut, të dhëna kundërthënëse

Ministria dhe ushtria asnjëherë nuk i ndajnë profesionistët e tyre në baza etnike, sepse të gjithë së bashku punojnë me gjithë zemër në shërbim të sigurisë dhe paqes së Maqedonisë së Veriut. Kështu janë përgjigjur për Portalb.mk, nga Ministria e Mbrojtjes në pyetjen se pse po bëhet degradimi i shqiptarëve në ushtri, çështje kjo e […]

Mars 9, 2025 - 12:00
 0  10
U avancuan ose degraduan shqiptarët në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut, të dhëna kundërthënëse
Batalioni i Forcave Speciale, në kuadër të Ushtrisë së Maqedonisë e njohur si "Ujqërit". Foto nga profili zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së RMV-së në Facebook

Ministria dhe ushtria asnjëherë nuk i ndajnë profesionistët e tyre në baza etnike, sepse të gjithë së bashku punojnë me gjithë zemër në shërbim të sigurisë dhe paqes së Maqedonisë së Veriut. Kështu janë përgjigjur për Portalb.mk, nga Ministria e Mbrojtjes në pyetjen se pse po bëhet degradimi i shqiptarëve në ushtri, çështje kjo e cila ditëve të fundit është nxitur nga partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e cila reagoi lidhur me mungesën e përfaqësimit shqiptar në pozitat kryesore të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Akuzat që subjekte të caktuara politike po i bëjnë opinionit i konsiderojmë të pasakta dhe të pavërteta. Në fakt, informacioni i vërtetë është se pas ndryshimit të qeverisë në fund të qershorit 2024, asnjë pjesëtar i komunitetit etnik shqiptar nuk është ndryshuar, degraduar apo diskriminuar sipas sistematizimit të ri në Ministri”, thonë për Portalb.mk nga zyra për marrëdhënie me publikun pranë ministrisë së Mbrojtjes.

Lidhur me emërimet në Armatën e RMV-së, nga aty informojnë se me datë 06.03.2025, me dekret të Presidentes dhe Komandantit Suprem të Ushtrisë, Lulzim Nuredini është avancuar në gradën Gjeneral Brigade (kolonel) dhe është emëruar në detyrën e Komandantit të Komandandës së Stërvitjes dhe Doktrinave, ku paraprakisht ka qenë zëvendës komandant.

“Gjithashtu, gjeneral brigade Besnik Emini është emëruar në pozitën e Këshilltarit të Ministrit të Mbrojtjes, si person me njohuri dhe përvojë veçanërisht të lartë, gjegjësisht në pozitën e Këshilltarit Shtetëror për Politikë dhe Planifikim në Drejtorinë për Politikë dhe Planifikim, Menaxhimin e Krizave dhe Bashkëpunim Civil-Ushtarak. Pozitën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm e mban gjeneralmajor Azim Nuredin. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se në janar 2025, përfaqësimi në Ushtri është 24.26 përqind, ose 1.18 përqind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishte 23,08 për qind”, thonë tutje nga ministria në përgjigjen për Portalb.mk

Nga ministria njoftojnë se, sa i përket kuadrit komandues, në disa njësi, pjesëtarët e Ushtrisë me kombësi shqiptare janë rreth 30%, dhe për shembull, përfaqësimi në Policinë Ushtarake është 29.27%.

“Nga 5 komandatë dhe njësitë e para vartëse të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dy komandantë (në Komandën e Stërvitjes dhe Doktrinës dhe në Bazën e Logjistikës) janë pjesëtarë të kombësisë shqiptare. Nga shifrat e mësipërme mund të jeni të sigurt se Ministria dhe Ushtria kujdesen për përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të të gjitha bashkësive etnike. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë përfaqësim të duhur dhe të drejtë, i cili duhet të bazohet në ekspertizë dhe kompetencë, sepse në Ushtri ka vend vetëm për profesionalizëm dhe cilësi”, thonë nga Mbrojtja.

Megjithatë, sërish ka paqartësi rreth numrit të drejtuesve të sektorëve në Ministrinë e Mbrojtjes. Në faqen e internetit të kësaj ministrie nga 18 emra që figurojnë, dy duket të jenë shqiptarë, teksa shumica e tyre në këto poste janë të autorizuar, që nënkupton ushtrimin e përkohshëm të detyrës.

Ushtarë në trajnim. Foto nga profili zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së RMV-së në Facebook
Ushtarë në trajnim. Foto nga profili zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së RMV-së në Facebook

Partitë opozitare kanë qëndrim tjetër në raport me sistematizimin në ushtri

Sipas BDI-së, Agjencia e Inteligjencës, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Ushtarake nuk kanë asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse, duke e cilësuar këtë si një “kërcënim serioz për sigurinë e shtetit dhe një formë të spastrimit etnik në sistemin e sigurisë”.

“Në këtë situatë alarmante, partitë shqiptare në Qeveri duhet të ndërpresin rolin e avokatit të politikave antishqiptare dhe përjashtuese. Shqiptarët nuk do mbesin spektatorë, por do reagojnë për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre”, kumtuan të premten nga BDI.

Sipas njoftimit të kabinetit të presidentes Silanovska-Davkova, me dekretet e nënshkruara, shefi i shtabit në Komandën e Operacioneve, gjeneral Mirce Gjorgoski, është emëruar komandant i Komandës së Operacioneve në Shtatmadhorinë e Ushtrisë, ndërsa gjeneral Orce Jordevi është emëruar drejtor i Shtatmadhorisë së Ushtrisë.

“Gjenerali i brigadës, Simeon Trajkovski, drejtori aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, është emëruar këshilltar i shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë për trajnim, ushtrime dhe mësime të mësuara”, thuhet në njoftim.

BDI ka ngritur gjithashtu shqetësime mbi integritetin e dy gjeneralëve të emëruar, Orce Jordev dhe Mirce Gjorgevski, duke pretenduar se ata kanë marrë përgjigje negative edhe nga NATO-ja për certifikatat e sigurisë. Kurse nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës akuzuan se gjenerali Jordev, ka lidhje me strukturat ruse.

“Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, ndërsa Jordev nuk mori certifikatën e NATO-s katër vjet më parë, sepse ishte i lidhur me strukturat ruse përmes ‘Ujqërve të Natës’, thanë nga ASH – Sela.

Nga BDI thanë se zhvendosja e gjeneralit Besnik Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve, pozitë që sipas partisë përfshin rreth 80% të kapaciteteve operative të ushtrisë, drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, përbën “goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri”.

Partia i bëri thirrje NATO-s dhe aleatëve ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj këtyre veprimeve dhe të sigurojnë që Maqedonia e Veriut të mbetet e angazhuar ndaj vlerave demokratike dhe partneriteteve strategjike.

Nga kabineti i Silanovska-Davkovas nuk kanë komentuar këto pretendime, por në njoftimin për emërimet thuhet se dekretet hyjnë në fuqi menjëherë dhe se emërimet janë bërë në përputhje me dispozitat e Ligjit të Mbrojtjes.

“Vendosja e një oficeri shqiptar në një pozicion me ndikim të kufizuar nuk kompenson përjashtimin e udhëheqësve shqiptarë nga komandat operative kritike”, shtuan nga BDI.

Deputetja e LSDM-së dhe ish-ministre e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, konsideron se ndryshimet e fundit kuadrovike në Armatën dhe ministrinë e Mbrojtjes janë të panevojshme, të papërshtatshme dhe një hap prapa. Deputetja tha se shkarkimi i disa gjeneralëve me rekorde ushtarake jashtëzakonisht profesionale është i pajustifikuar dhe i papranueshëm.

“Është e pakuptueshme që një gjeneral që ka marrë gjithmonë vlerësime pozitive nga aleatët e tij dhe që ka ende shumë për t’i dhënë Ushtrisë, të “pensionohet” dhe të ricaktohet nga një komandë operative në një sektor të Ministrisë. Më shqetëson informacioni se individët të cilët në të kaluarën ishin refuzuar për certifikim në NATO, tani po shqyrtohen pozitivisht nën presionin politik të Shërbimit të Sigurisë Ushtarake. Ky është tregues i porozitetit të shërbimit, i cili në të ardhmen, nëse është e nevojshme, mund të keqpërdoret për qëllime më të larta”, ka shkruar në reagimin e saj ish ministrja e mbrojtjes Petrovska.

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur dy ministra të Mbrojtjes shqiptarë në vitet 2011-2014. Partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së, koalicioni VLEN, akuzoi BDI-në se gjatë kohës që ata ishin në pushtet nuk ka pasur më shumë se dy gjeneralë shqiptarë.

“Por, tani me VLEN-in në pushtet, kemi tre gjeneral shqiptarë për tetë muaj qeverisje. BDI duhet ta kuptojë dhe pranojë se ne po avancojmë shqiptarët, por edhe ashpër po luftojmë krimin dhe korrupsionin. Tani, nuk kanë faj një popull i tërë shqiptar të durojë gënjeshtrat e shpifjet e tyre, që një grusht njerëzisht nga klani i turpit janë të korruptuar e të rrezikuar aktualisht”, thanë nga VLEN.

Në Maqedoninë e Veriut po planifikohet edhe hapja e një konkursi për pranimin e 300 ushtarëve, dhe pritet të publikohet së shpejti. Kryeministri Hristijan Mickoski, theksoi se gjatë përzgjedhjes nuk do të merren parasysh kuotat etnike, por do të pranohen të gjithë ata kandidatët që plotësojnë kushtet e konkursit.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, të gjithë ata që duan të përfshihen në sistemin e sigurisë. Dhe këtu nuk ka përqindje, kushdo që plotëson kushtet, do të pranohet. Të gjithë ata që duan të marrin pjesë në mbrojtjen e atdheut të tyre”, tha Mickoski, të mërkurën.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025 është rreth 332 milionë euro, një rritje prej rreth 5.2 milionë euro krahasuar me vitin 2024.