Vazhdon gjyqi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes: Palevski do të paraqesë incizimet nga një bankë si pjesë e mbrojtjes
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot do të vazhdojë gjykimi kundër pesë të akuzuarve për kidnapimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, me paraqitjen e provave materiale nga ana e mbrojtjes. Në seancën e sotme, i pandehuri i parë në këtë rast, Ljupço Palevski-Palço, dhe avokatët e tij pritet të prezantojnë incizimin […]


Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot do të vazhdojë gjykimi kundër pesë të akuzuarve për kidnapimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, me paraqitjen e provave materiale nga ana e mbrojtjes. Në seancën e sotme, i pandehuri i parë në këtë rast, Ljupço Palevski-Palço, dhe avokatët e tij pritet të prezantojnë incizimin nga filiali i Halk Bank në Bunjakovec, i cili sipas tyre, i siguron Palevskit alibi se ku ka qenë në periudhën prej orës 9 deri në 12 të ditës kritike kur u vra Vanja, transmeton Portalb.mk.
Ai dhe avokatët e tij kërkuan që në seancën e kaluar të mërkurën të paraqitet si provë ky incizim, gjë që Prokuroria e kundërshtoi, duke sqaruar se nga video-incizimet që tashmë i kishin paraqitur si provë rezulton se Palevski është kthyer në selinë e partisë Desna në “Renault Kangoo” në orën 10 pas vrasjes së Vanjës.
Mbrojtja e Palevskit, megjithatë, është e mendimit se incizimi nga sistemi “Qyteti i sigurt”, të cilin prokuroria e ka paraqitur si provë në njërën nga seancat e mëparshme, nuk e tregon fytyrën e tij, prandaj fletëpagesa bankare dhe incizimi përbëjnë prova relevante.
“Ne nuk do ta kërkonim atë incizim nëse nuk do të bënte dallim… Pra, një gjë është se kur është bërë pagesa, dhe tjetër është nëse Palevski ka qenë më parë brenda dhe ka pritur radhën së bashku me dëshmitarin e përmendur. Duam të dëshmojmë se Palevski ka qenë paraprakisht (në filial) dhe ka pritur diku më shumë se 20 apo 40 minuta, nuk mund ta konfirmoj saktësisht tani, por nga regjistrimet do të vërtetohet se Palevski ishte atje. Dhe, siç thashë, ai nuk mund të jetë në dy vende në të njëjtën kohë”, tha avokati Jovica Strashevski në një deklaratë për media në një pauzë nga seanca e kaluar.
Gjykatësi Ivica Stefanovski e ka pranuar si provë incizimin në bankë, por nuk ka kërkuar që Telekomi të sigurojë të dhëna për telefonin e përdorur nga i akuzuari i parë për vrasjen e Vanjës dhe Pançes.
Në seancën e së mërkurës, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes para gjykatës dëshmoi një polic nga Sektori i Punëve të Brendshme të Velesit, i cili mori pjesë në kërkimin e Zhezovskit pas raportimit si i zhdukur, dhe më pas në marrjen e armëve nga shtëpia e të akuzuarit Bore Videvski.
Zyrtari policor iu përgjigj pyetjeve të drejtpërdrejta të mbrojtjes së Palevskit, ndërsa shumicën e pyetjeve i kishte bërë vetë i pandehuri. Pjesë më e madhe e bisedës u bë për pistoletën “Zbrojovka”, e cila nuk u gjet gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehurit Bore Videvski.
Palevski kontestoi se ishte iniciuar procedurë administrative për konfiskimin e armës në vend të kërkimit të armës, për të cilën dëshmitari u përgjigj se e gjithë procedura ishte zhvilluar në përputhje me ligjin.
Gjykata ka caktuar edhe datat për seancat e radhës kur do të deklarohen pesë të pandehurit. Seancat janë caktuar për datat 12, 17, 19, 24 dhe 26 mars dhe, siç informoi gjyqtari Stefanovski, fillimisht do të merret në pyetje Velibor Manev, pastaj deklaratat e Bore Videvskit, Vlatko Keshiev, pastaj babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dhe në fund i pandehuri i parë Ljupço Palevski.
Me marrjen në pyetje të të pandehurve, po hyn në kulmin e tij gjyqi për rrëmbimet dhe vrasjet e Vanjës dhe Pançes, i cili pritet të zbardhë motivet e vrasjeve dhe detaje e rrethana të tjera lidhur me rastin.
Sipas aktakuzës, Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, akuzohen se së bashku kishin planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë të jepte para për shpërblim. Sipas aktakuzës, rrëmbimi i të ndjerit Pançe Zhezovski nga Velesi ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin “citroen” për ta përdorur në rrëmbimin e fëmijës në Shkup.
Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.