Vazhdon shqyrtimi i aplikacioneve nga diaspora, KQZ: Jemi brenda afateve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë gjithë ditës së premte, ka vazhduar punën për të shqyrtuar të gjitha aplikacionet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se deri në përfundim të afatit për aplikim, numri i votuesve të konfirmuar ishte 90 mijë e 860 dhe në pritje ishin edhe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë gjithë ditës së premte, ka vazhduar punën për të shqyrtuar të gjitha aplikacionet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se deri në përfundim të afatit për aplikim, numri i votuesve të konfirmuar ishte 90 mijë e 860 dhe në pritje ishin edhe 18 mijë e 244 aplikues.
“Gjatë periudhës së aplikimit (29 gusht – 26 dhjetor 2024) për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, numri i shtetasve që janë regjistruar është 90,860, ndërkaq në momentin e përfundimit të periudhës në pritje për shqyrtim ishin 18,244 kërkesa, proces i cili është duke vazhduar. KQZ është brenda afateve të përcaktuara dhe pasi të përmbyllet shqyrtimi i çdo aplikimi të pranuar, do të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve”, tha Elezi, për KP.
Sipas të dhënave të KQZ-së, gjatë periudhës së aplikimit (13 janar – 21 janar 2021) për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, numri i aplikacioneve që janë pranuar dhe proceduar nga KQZ ka qenë 130 mijë e 168 aplikacione.
Pas vlerësimit të këtyre aplikacioneve, del se numri i të regjistruarve për votim jashtë Kosovës ishte 102 mijë e 465 persona, të cilët kishin fituar të drejtën për të votuar përmes postës duke dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Gjatë periudhës së votimit përmes postës (2 shkurt – 12 shkurt 2021), nga numri i përgjithshëm prej 102 mijë e 465 votuesish të regjistruar, pakot me fletëvotime kanë arritur që t’i dërgojnë rreth 57 mijë e 065 votues apo 55.69% e të regjistruarve.