VLEN-i dhe BDI-ja me akuza të ndërsjella rreth zhvillimeve të fundit te Medreseja “Isa Beu”
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nga opozita e fajëson VLEN-in në lidhje me zhvillimet e fundit rreth procesit të zyrtarizimit të Medresesë “Isa Beu”, ndërsa VLEN-i nga pushteti e fajësoi BDI-në se këto zhvillime janë pasojë e keqqeverisjes së BDI-së, transmeton Portalb.mk. “Por më e rëndë se vendimi i gjykatës është heshtja e turpshme e […]


Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nga opozita e fajëson VLEN-in në lidhje me zhvillimet e fundit rreth procesit të zyrtarizimit të Medresesë “Isa Beu”, ndërsa VLEN-i nga pushteti e fajësoi BDI-në se këto zhvillime janë pasojë e keqqeverisjes së BDI-së, transmeton Portalb.mk.
“Por më e rëndë se vendimi i gjykatës është heshtja e turpshme e përfaqësuesve shqiptarë në këtë qeveri. Në vend që të protestojnë, ata heshtin. Në vend që të japin dorëheqje, ata justifikojnë. Në vend që të mbrojnë qytetarët, ata mbrojnë karriget dhe shefat e tyre. Nuk janë përfaqësues – janë shërbëtorë të bindur të një pushteti që po e rihap projektin për një shtet njëetnik, pa vend për të tjerët”, deklarojnë nga BDI-ja.
Ata dënojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e vlerësoi vendimin për themelimin e Medresesë “Isa Beu”, si një vendim antikushtetuese. BDI-ja paralajmëroi se nuk do të “hesht përballë këtij poshtërimi”, duke ftuar edhe opinionin vendor dhe ndërkombëtar për reagim.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar akreditimin e rrejshëm të Medresesë “Isa Beu” është goditje ndaj të gjithë atyre që janë mashtruar nga premtimet boshe të BDI-së dhe heshtjes bashkëpunuese të BFI-së. Ky është dështim personal i Ali Ahmetit dhe i klikës së tij, që gjithmonë kanë luajtur me ndjenjat fetare të shqiptarëve, vetëm për interesa të ngushta politike”, deklaruan nga VLEN.
VLEN-i theksoi se me këtë vendim doli e vërteta në shesh në lidhje me atë se medreseja nuk është akredituar asnjëherë në mënyrë të ligjshme, duke shtuar se “BDI vetëm e përdori nëpër fushata, siç përdor çdo simbol, çdo ndjenjë, çdo nevojë të shqiptarëve për t’i mashtruar”.
“Medreseja “Isa Beu” nuk do të përdoret më për lojëra të ndyra politike dhe fushata boshe. Ne jemi duke punuar për një zgjidhje përmes së cilës kjo çështje do të mbyllet përfundimisht, një herë e mirë larg manipulimeve të së kaluarës dhe afër drejtësisë së merituar për shqiptarët”, premtuan nga VLEN-i.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 30 prill hodhi poshtë Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë, Shkup, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars 2024. Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të jetë themeluese e një shkolle të mesme-gjimnaz. Pas këtij vendimi, menjëherë reagoi edhe BFI-ja.
Ministrja për arsim dhe shkencë, Vesna Janevska, vitin e kaluar kishte deklaruar se maturantët e kësaj medrese nuk do të mund të regjistrohen në fakultetet tjera. Më 26 mars të vitit 2024, ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, kishte njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresesë Isa Beu” ishte zgjidhur nga Qeveria. Medresantët paraprakisht kishin reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.
- LEXO: BFI-ja reagoi pas vendimit të Kushtetueses në lidhje me Medresenë “Isa Beu” në Shkup
- LEXO: Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë që BFI të hapë shkollën e mesme Medresenë “Isa Beu” në Shkup
- LEXO: Problemi me Medresenë “Isa Beu”, reagoi BDI-ja, kryesia e BFI-së do të mblidhet të hënën
- LEXO: RMV, u zgjidh problemi me nxënësit e diplomuar në “Medresenë Isa Beu”