“Vdekja e foshnjës”, Taravari: Çdo mjek mund të bëjë lëshim profesional, nuk jam për dënimin dhe largimin nga puna
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari nuk mendon se mjekët që kanë bërë lëshime mjekësore në rastin e vdekjes së foshnjës 14 mujore, duhet të dënohen apo të largohen nga vendet e tyre të punës. Sipas tij, Odës së Mjekëve i është propozuar marrja e përkohshme e licencave të punës, raporton Alsat. “Çdo mjek mund të […]
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari nuk mendon se mjekët që kanë bërë lëshime mjekësore në rastin e vdekjes së foshnjës 14 mujore, duhet të dënohen apo të largohen nga vendet e tyre të punës. Sipas tij, Odës së Mjekëve i është propozuar marrja e përkohshme e licencave të punës, raporton Alsat.
“Çdo mjek mund të bëjë lëshim profesional dhe këtu është bërë anashkalim profesional. Për këtë është e nevojshme të merren masa konkrete, unë nuk jam për dënimin dhe për largimin nga puna, megjithatë masa konkrete patjetër duhet të ndërmerren”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë Oda e Mjekëve thotë se ka pranuar udhëzimet për veprim pas raportit të komisionit për mbikëqyrje profesionale lidhur me trajtimin e foshnjës 14 muajshe.
“Oda e Mjekëve mori udhëzime nga Ministria e Shëndetësisë për veprim lidhur me raportin nga mbikëqyrja në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve- Shkup dhe Klinikën Universitare për Sëmundjet Respiratore të Fëmijëve- Kozle. Është e nevojshme që udhëzimet të shqyrtohen nga organet kompetente dhe trupat e Odës, pas çka do të vendoset se çfarë do të ndërmerret”, thonë nga Oda e Mjekëve.
Një javë më parë drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi pezulloi nga puna dy mjeket specialiste deri në një vendim përfundimtar nga komisioni disiplinor. Mjeket kanë qenë kujdestare dhe e kanë kontrolluar fëmijën më 3 tetor, të cilat përskaj gjendjes së rënduar shëndetësore të foshnjës, nuk e kanë shtruar në spital, por e kanë lëshuar për kurim shtëpiak.
Nga ana tjetër familjarët e foshnjës 14 muajshe që humbi jetën kërkuan dorëheqjen e Ministrit Taravari dhe Drejtori të Klinikës për Fëmijë, Rexhep Memedi. Hedhja e përgjegjësisë vazhdon mes institucioneve shëndetësore lidhur me këtë rast tragjik.
Më 5 nëntor 2024, një vajzë 14 muajshe ka ndërruar jetë Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
Raporti i Inspektoratit Shëndetësor dhe Sanitar ka konfirmuar se para se të përkeqësohej gjendja shëndetësore dhe të ndërronte jetë, foshnja 14 muajshe është dërguar disa herë për trajtim te mjeku amë dhe te klinika për Sëmundje të Fëmijëve, por vazhdimisht është lëshuar për mjekim shtëpiak.