Qeveria e Maqedonisë së Veriut po e kufizon qasjen në informacion për gazetarët dhe publikun
Importi i dyshimtë i qymyrit për REK Manastirin, interesat pas projektit për garazhin shumëkatësh në afërsi të parlamentit, blerësi i banesave të konfiskuara të Sasho Mijallkovit, kompanitë për mbikëqyrjen e Bechtel dhe Enka, blerja e softuerëve të lidhur me Dragi Rashkovskin – të gjitha këto histori që nxitën vëmendje dhe patën ndikim në publik u […]
Importi i dyshimtë i qymyrit për REK Manastirin, interesat pas projektit për garazhin shumëkatësh në afërsi të parlamentit, blerësi i banesave të konfiskuara të Sasho Mijallkovit, kompanitë për mbikëqyrjen e Bechtel dhe Enka, blerja e softuerëve të lidhur me Dragi Rashkovskin – të gjitha këto histori që nxitën vëmendje dhe patën ndikim në publik u përgatitën duke përdorur të dhënat nga Regjistri Qendror dhe duke e përdorur të drejtën për qasje të lirë në informata me karakter publik, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Por qeveria aktuale me sa duket po i mbyll kanalet nëpërmjet të të cilave deri më tani mund të arrihej deri tek këto informacione. Ditëve të fundit Regjistri Qendror përkohësisht e ka pezulluar qasjen e lirë të gazetarëve në informacione për kompanitë që po i hetojnë. Në të njëjtën kohë, muajt e fundit e drejta për qasje të lirë në informacione me karakter publik gjithnjë e më shpesh po manipulohet, kështu që përpjekja për të marrë përgjigje për ndonjë pyetje mund të zgjasë edhe me muaj, madje edhe të përfundojë pa sukses.
BIRN kishte pikërisht një përvojë të tillë. Që nga data 29 korrik po mundohemi që të marrim informacion lidhur me atë se kush e këshillon kryeministrin Hristijan Mickoski dhe për çfarë kompensimi financiar. Deri më sot informacionet e tilla ishin publike e të publikuara në ueb-faqen e Qeverisë, por tani aty jo vetëm që janë ende vetëm emrat e këshilltarëve të kryeministrit të mëparshëm Dimitar Kovaçevski, por ato nuk mund të merren as me qasje në informata me karakter publik.
Pas tendencave negative qëndrojnë kryesorët
Përpjekja jonë për t’i zbuluar emrat e këshilltarëve filloi me një pyetje të thjeshtë drejtuar ish-zëdhënësit të partisë dhe nëpunësit aktual shtetëror Naum Stoillkovski. Por pasi nuk arritëm të merrnim një përgjigje, në fund të muajit gusht dërguam pyetje në pajtim me Ligjin për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik.
Sipas këtij Ligji, institucioni është i detyruar të japë përgjigje në një afat kohor prej njëzet ditësh. Pas disa ditësh pranuam një shkresë të shkurtër ku thuhej se kërkesa jonë është miratuar, por brenda afatit të caktuar ligjor nuk morëm përgjigje.
Në fund të muajit shtator BIRN sërish dërgoi kërkesë që të na dërgohen “të gjitha kontratat individuale me të cilat janë angazhuar këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e jashtëm të kryeministrit Hristijan Mickoski”
Kësaj radhe pranuam një shkresë me të cilën kabineti i kryeministrit praktikisht na e shtyu përgjigjen.
Në dokumentin e nënshkruar nga shefi i kabinetit të kryeministrit, Vlladimir Nelloski, thuhet se “me kontratë janë angazhuar disa këshilltarë të jashtëm”, por se ekipi është ende në fazën e ekipimit, ndërsa lista e plotë do të publikohet pas finalizimit të saj. Në këtë përgjigje nuk ishin të përfshirë as emrat dhe as kontratat e këshilltarëve tashmë të punësuar të cilat i kërkoi BIRN.
German Fillkov nga Qendra për Komunikime Civile, organizatë kjo që për vite me radhë është rekordere për numrin e kërkesave të dërguara për qasje lirë në informata me karakter publik, thotë se kohëve të fundit edhe ata janë përballur me përpjekje nga institucione të caktuara për të manipuluar me të drejtën për të marrë informacion.
Arsyetimi më i shpeshtë që u jepet është se është informatat janë të klasifikuara.
“Problemi është se askush nuk ka kontroll mbi atë se çfarë dhe pse një institucion mund të klasifikojë informacione të caktuara, kështu që i bie që sapo të marrë një kërkesë për qasje, ajo menjëherë të mund t’i klasifikojë ato dhe në këtë mënyrë t’i fshehë nga publiku”, thotë Fillkov.
Ligji i cili funksionon që nga viti 2006 parasheh që çdo institucion të ketë një person të caktuar, të cilit çdo qytetar mund t’i drejtohet me kërkesë për informata me karakter publik.
Nëse nuk respektohen afatet ligjore, atëherë qytetari mund të bëjë ankesë dhe nëse nuk merr informacion edhe pas kësaj, personi përgjegjës për përgjigje mund të paguajë edhe një gjobë prej 250 eurosh.
Fillkov thotë se personat për qasje të lirë në institucione mbeten të njëjtit, ndërsa ndryshojnë vetëm funkcionerët dhe udhëheqësit.
Për këtë shkak mund të konstatoj se pas çdo ndryshimi negativ në praktikën e zbulimit të informacionit, fshihen pikërisht ata, “kryesorët””, thotë Fillkov.
Qasja në Regjistrin Qendror përkohësisht e pamundësuar
Nga ana tjetër nga viti 2017 me vendim të Qeverisë gazetarët kanë qasje falas në bazën e të dhënave të Regjistrit Qendror për të siguruar të dhënat e nevojshme për temat që i hetojnë.
Edhe deri më tani kushtet kanë qenë larg nga ideale. Gazetarëve nuk u jepej fjalëkalim për qasje online, por pasi të bënin një kërkesë me shkrim me nënshkrimin e redaktorit se po hetonin për nevojat e redaksisë, regjistri u mundësonte qasje që të mund të kontrollojnë informacionin e nevojshëm në një kompjuter, të cilin zakonisht e përdorte një nga punonjësit.
Udhëheqësia aktuale e Regjistrit Qendror ka vendosur që vendimi i Qeverisë nga viti 2017 nuk mund të jetë mbi ligjin, sipas të cilit kompensim nuk paguajnë “shfrytëzuesit e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, dhe nga njësitë e vetëqeverisjes lokale”. Gazetarët nuk figurojnë në ligjin aktual. Me këtë arsyetim regjistri ndaloi praktikën e qasjes falas të gazetarëve.
“Për këto arsye, Regjistri Qendror inicoi ndryshime ligjore, të cilat tashmë janë përgatitur dhe janë duke u bërë harmonizimet ndërinstitucionale”, deklarojnë nga Regjistri.
Për dallim nga ne, në vendet fqinje, për shembull në Serbi dhe Bullgari, regjistrat qendrorë janë të hapur dhe ofrojnë shumë më tepër të dhëna që çdo qytetar mund t’i përdorë në internet.
Hapjen e regjistrave në shtetet fqinje dhe në Evropë e thekson edhe gazetari i 360 gradë Aleksandar Dimitrievski i cili thotë se “hapi i ardhshëm nuk duhet të jetë debati për të dhënat falas për gazetarët, por hapja e bazës së të dhënave për të gjithë qytetarët”.
“Regjistri qendror është në thelb një bazë të dhënash. Nuk është një kompani private që menaxhon të dhënat private. Është e thjeshtë – nëse dikush ka nevojë për një dokument zyrtar me një nënshkrim dhe vulë ose grupe të dhënash specifike, ata do të paguajnë përsëri për shërbimin. Por për të gjithë të tjerët nuk e kuptoj pse nuk mund të krijohet një portal ku të dhënat bazë jozyrtare do të jenë falas”, thotë Dimitrievski.
Shoqata e Gazetarëve (SHGM), nga ana tjetër, tashmë ka pyetur qeverinë për vendimin e Regjistrit Qendror dhe ka marrë sigurinë se nuk bëhet fjalë për heqje, por se po kërkojnë një mënyrë për të zyrtarizuar ligjërisht qasjen për gazetarët.
“Presim që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe shpresojmë që të mos zgjatet”, thotë drejtori ekzekutiv i SHGM-së, Dragan Sekullovski.
Ndërkohë, nuk mund të konstatohet se deri ku janë ndryshimet ligjore, për të cilat Regjistri Qendror pretendon se janë përfunduar.
As procedura rreth këtyre ndryshimeve nuk ngjall besim se ato po kryhen me mirëbesim. Nevoja për ndryshime në ligj nuk është komunikuar në mënyrë adekuate me gazetarët dhe publikun, nuk ka asnjë gjurmë të tyre në bazën e të dhënave online ku publikohen ligjet që janë në procedurë ndryshimi dhe shpesh qeveria nuk publikon rendet e ditës të seancave, nga të cilat mund të shihet nëse dhe çfarë është diskutuar për këtë legjislacion.
Sipas Fillkov, përpjekjet gjithnjë e më të shpeshta për të reduktuar transparencën “vetëm na kujtojnë se lufta për qasje të lirë në informatat me karakter publik është, për fat të keq, e përditshme, e gjatë dhe e mundimshme, dhe në vend që të ecim përpara në botimin e të pabotuarës, ne kthehemi prapa”.