Vendimi për ndarjen e 100 €/ Ankohen Sindikalistët: Po shpërfillemi nga Qeveria “Kurti”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, të dielën që lamë pas njoftuan për  vendimin që të gjithë pensionistëve t’i ndahen këtë javë nga 100 euro shtesë, po aq (100 euro) edhe të gjithë fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare. Por, nga një subvencionim i tillë financiar në fundvit nuk do

dhjetor 23, 2024 - 19:00
 0  4
Vendimi për ndarjen e 100 €/ Ankohen Sindikalistët: Po shpërfillemi nga Qeveria “Kurti”
vendimi-per-ndarjen-e-100-e/-ankohen-sindikalistet:-po-shperfillemi-nga-qeveria-“kurti”

vendimi-per-ndarjen-e-100-e/-ankohen-sindikalistet:-po-shperfillemi-nga-qeveria-“kurti”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, të dielën që lamë pas njoftuan për  vendimin që të gjithë pensionistëve t’i ndahen këtë javë nga 100 euro shtesë, po aq (100 euro) edhe të gjithë fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare.

Por, nga një subvencionim i tillë financiar në fundvit nuk do të përfitojnë edhe punëtorët që marrin pagë nga shteti. Sindikalistët ankohen, siç thonë ata, për padrejtësitë që po ua bënë Qeveria “Kurti”.

“Qeveria Kurti ka pasur qasje armiqësore me Sindikatat, ndonëse ishte e majtë, tash na doli ndryshe”, shprehet për FrontOnline Ali Sefaj, kryetar i Sindikatës së Shërbyesëve Civil të Kosovës.

Sefaj: Qeveria “Kurti” vazhdimisht ka pasur qasje armiqësore me shërbyesit civil, ishte e majtë, por doli ndryshe

Sefaj thotë se vendimi i fundit për ndarjen nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët nuk është i bazuar në një analizë të duhur paraprake.

Ai ka sugjeruar që ndihma të jetë më selektive, duke u përqendruar te familjet me të ardhura më të ulëta dhe tek pensionistët që kanë vetëm pensionin e pleqërisë, përjashtuar ata që kanë mbi dy mijë euro të ardhura.

“Shtresat që janë në nevojë dhe të varfëra, pavarësisht fushatës zgjedhore është e nevojshme me u ndihmuar. Nuk jam dakord që kjo të bëhet pa një analizë paraprake, dhe këtu do të duhej të përfshiheshin familjet që kanë të ardhura më pak dhe pensionistët që kanë vetëm pensionin e pleqërisë, por jo edhe ata të punës”, shprehet Sefaj për FrontOnline.

Ai ka shtuar se Qeveria aktuale  ka pasur një “qasje armiqësore” ndaj qytetarëve dhe se ndihma e fundit është një hap i pamjaftueshëm për të adresuar problemet reale të tyre.

“Tek administrata do të duhej që të mbështeteshin më shumë, sepse kjo 100 euro mund të ketë rimbursim momental, por nuk ndikon asgjë, në shportën e qytetarit. Kjo Qeveri ka pasur qasje armiqësore me ne, ishte e majtë tash doli ndryshe”, shprehet Sefaj.

Sindikalisti i Administratës: Pensionistët dhe fëmijët duhet të jetojnë edhe 11 muaj të tjerë, jo vetëm në fundvit

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës, Ali Gashi, ka kritikuar Qeverinë për ndihmën financiare të ofruar në fund të vitit, duke e cilësuar këtë veprim si një “blerje votash” dhe  tallje me qytetarët.

Sipas Gashit, ky vendim është një përpjekje e paqëndrueshme dhe joadekuate për të zgjidhur problemet ekonomike të popullit.

“Kjo është puro blerje e votave nga Qeveria dhe kjo është për të ardhur keq forma dhe qasja e Qeverisë, pa marr parasysh se populli duhet të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe të mos bëhet diskriminim. Gjendja ekonomike duhet trajtuar 12 muaj. Fëmijët dhe pensionistët ekzistojnë edhe në 11 muaj tjerë, andaj është tallje dhe puro blerje e votave dhe është e papranueshme dhe e padrejtë’, shprehet Gashi.

Rrahman Jasharaj: Qeveria “Kurti”  i ndëshkon pensionistët gjatë gjithë vitit, ndërsa në muajin e fundit i shpërblen

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka kritikuar ndihmën e fundit financiare të dhënë nga Qeveria Kurti për pensionistët e arsimit, duke e cilësuar si një manovër të fushatës zgjedhore.

Sipas Jasharajt, kjo ndihmë është një përpjekje për të fituar votat e pensionistëve në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Kjo po bëhet mbase për t’ia ndryshuar mendjen dikujt apo për t’i marr me të mirë që të votojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pensionistët e arsimit e dinë se kjo ndihmë është veç sa me u thënë, sepse ata e dinë se Qeveria Kurti, ua kishte mohuar një të drejtë, për vitet 90-ta e që ishin vite kontributdhënëse dhe me këtë ndryshim që ka bërë Qeveria Kurti ata ndëshkohen çdo muaj me dhjetëra euro”, shprehet Jasharaj.

Ai theksoi se pensionistët e arsimit janë të vetëdijshëm se ky “dhuratë fundviti” nuk ka asnjë efekt afatgjatë,

“Pensionet janë të vogla dhe ndihma një herë në vit nuk ua ndryshon jetën. Gjërat tek ne ndodhin kështu, Qeveria e vonon vendimin e vet e bashkë me të edhe Kuvendi. Pra i ndëshkon gjatë gjithë vitit e në fund të vitit i shpërblen me dhurata të tilla se mos po ua merr votat në shkurtin e vitit të ardhshëm”, shprehet Jasharaj për FrontOnline.

Sindikalistja e Shëndetësisë: Sindikatat janë të shpërfillura nga Qeveria

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri ka vlerësuar për “Front Online” si shumë të rëndësishme trajtimin e barabartë dhe të drejtë të shtresave shoqërore nga ana e Qeverisë.

Ajo duke theksuar se çdo ndihmë për kategoritë sociale më të prekura është e nevojshme në çdo kohë, dhe jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore.

“Si FSSHK mbështesim çdo hap qe merret për të ndihmuar kategoritë sociale më të prekura d.m.th. janë hapa të nevojshëm në çdo kohë dhe jo vetëm në fushatë zgjedhore”.

Imeri ka thënë se është shqetësueses që sindikatat nuk përfshihen në këto masa të Qeverisë.

“Ajo që për ne është shqetësuese ,se sindikatat të cilat janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë mbeten jashtë këtij procesi ,dhe janë të shpërfillura nga Qeveria duke mos i trajtuar si partner për dialog social dhe duke refuzuar të nënshkruaj marrëveshje kolektive ,duke mos themeluar KES -in Stop dhënies së lëmoshës”, u shpreh ajo.