Visar Ymeri: Mundësitë e VV’së për ta bërë qeverinë të reduktuara, partitë opozitare s’kanë dhënë shenja se mund t’i bashkohen Kurtit
9 shkurti ka krijuar një peizazh të komplikuar politik në vend, në kuptim të formimit të institucioneve të reja dhe Qeverisë. Bazuar në rezultatin aktual, VV, nuk është më në pozitën e favorshme që e kishte në vitin 2021, kur për shkak të votave të shumta që i kishte fituar ia kishte dhënë shpejt vendit
9 shkurti ka krijuar një peizazh të komplikuar politik në vend, në kuptim të formimit të institucioneve të reja dhe Qeverisë.
Bazuar në rezultatin aktual, VV, nuk është më në pozitën e favorshme që e kishte në vitin 2021, kur për shkak të votave të shumta që i kishte fituar ia kishte dhënë shpejt vendit Qeverinë Kurti 2, mandati i së cilës ishte i plotë – 4 vjeçar.
Duke mos arritur t’ marrë 500 mijë votat e kërkuara dhe për shkak të raporteve të këqija me partitë opozitare, Qeveria Kurti 3 nuk është e sigurt ose aspak e sigurt.
Gazeta Express në lidhje me zhvillimet më të fundit, për rezultatin e zgjedhjeve, koalicionet e mundshme dhe për bllokadat eventuale ka kërkuar opinionet e Visar Imerit njohës i çështjeve politike dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ymeri ka hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni mes VV-së dhe partive të mëdha shqiptare, por ka theksuar se edhe nëse topi kaloj te to për ta bërë qeverinë e re, nuk do të ketë negocim të lehtë.
Duke pasur parasysh se çështja e Presidentit/ës do të shfaqet në skenën politike vitin e ardhshëm ku si opsion është edhe shkuarja në zgjedhje për shkak të pamundësisë për t’i siguruar votat e mjaftueshme për shefin e ri të shtetit, Imeri thotë se kjo sfidë duhet të trajtohet seriozisht.
“Nuk mendoj që u konvenon as partive politike e aq më pak Kosovës që ta kemi një qeveri kaq afatshkurtër. Në këtë drejtim koalicioni qeverisës duhet të sigurohet se zgjedhja e Presidentes/it është domosdoshmëri që kërkon zgjidhje”
Sidoqoftë, porosia e Ymerit për akterët politikë është se “duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk kemi shumë kohë për të humbur dhe se zhvillimet e hovshme globale kërkojnë veprim urgjent për të pasur institucione të konsoliduara”.
Cilat janë opsionet apo koalicionet më të mundshme sipas jush për formimin e qeverisë së re, duke marr parasysh që sipas të gjitha gjasave as VV-ja nuk mund ta formojë atë vetë?
Visar Imeri: Sipas rezultatit zgjedhor me informatat që i kemi deri tash LVV nuk ka mundësi ta krijojë qeverinë ashtu siç po thonë: pra pa koalicion me njërën prej partive dhe/ose pa koalicion me të gjitha partitë e komuniteteve jo shumicë përfshirë komunitetin serb. Kjo i redukton kogja shumë mundësitë e LVV për ta bërë qeverinë. LVV që gjatë fushatës e ka refuzuar kategorkisht mundësinë e bashkëpunimit me partitë tjera për themelim të qeverisë. Në anën tjetër tash i kemi qëndrimet e prera të dy partive PDK dhe AAK se as nuk pranojnë koalicion me LVV dhe se duan qeveri të tri partive bashkë PDK, LDK dhe AAK. Nëse i njëjti vullnet ekziston edhe të LDK-ja atëherë duket se ky do të jetë opsioni më i mundshëm.
Duke pasur parasysh qëndrimet e forta të partive kundrejt njëra tjetrës dhe gjuhën e Kurtit ndaj tyre a mendoni se dikush nga ‘kampi’ opozitar mund të lëviz dhe ta negociojë me VV’në formimin e qeverisë?
Visar Imeri: Nuk besoj që një e tillë është e mundshme. Natyrisht që në rrethana të jashtëzakonshme këto qëndrime edhe mund të ndërrojnë. Mirëpo deri tash nuk ka asnjë parti që ka dhënë ndonjë shenjë se nuk e përjashtojnë koalicionin me LVV.
A mund të kemi qeveri të formuar nga partitë opozitare. A prisni që ata mund të merren vesh lehtë për postin e Kryeministrit nëse ecin në këtë rrugë?
Visar Imeri: Nuk do të jetë marrëveshje e lehtë e as negociim i lehtë. Mirëpo partitë opozitare deri kanë shprehur maturi në paraqitjet publike dhe kanë dëshmuar se e kuptojnë seriozitetin e situatës dhe rrethanave në të cilat ndodhet Kosova që do të duhej të ishte udhërrëfyes i mjaftueshëm për atë se si të ecet përpara.
Formimi i qeverisë e ka edhe një ‘pengesë’ që është çështja e postit të Presidentes të cilës në këtë rast i skadon mandati vitin e ardhshëm. Si do të ndikojë kjo në bisedimet për koalicion dhe a mund të determinojë kjo situatë një qeveri të përkohshme?
Visar Imeri: Kjo është një sfidë e cila duhet të trajtohet seriozisht. Nuk mendoj që u konvenon as partive politike e aq më pak Kosovës që ta kemi një qeveri kaq afatshkurtër. Në këtë drejtim koalicioni qeverisës duhet të sigurohet se zgjedhja e Presidentes/it është domosdoshmëri që kërkon zgjidhje. Se si do të vie deri të kjo zgjidhje është çështje e atyre partive politike të cilat futen në bisedime për krijimin e qeverisë.
Sa i përket pakicave: Si e shihni rolin e tyre? Sipas jush a do të kenë rol krucial për qeverinë e re, dhe nëse po, si do të jetë ky rol i tyre dhe në ketë kombinim a hyn edhe Lista Srpska dhe në çfarë mënyrë?
Visar Imeri: Komunitet jo shumicë do të jenë pjesë e qeverisë, pavarësisht kush e krijon atë. Ky është obligim kushtetues. Dhe duhet të vijë përmes marrëveshjes politike me to. Varet pastaj për përbërjes së koalicionit qeverisës për ta parë nëse qeveria do të varet vazhdimisht nga votat e ta zëmë Listës Serbe.
Dhe njëherë të qëndrimet e partive: Sa janë gjasat që të kemi bllokadë dhe rrjedhimisht më vonë zgjedhje të reja për shkak të saj?
Visar Imeri: Zvarritje duket se do të ketë. Mirëpo ka mundësi që kjo të mos jetë afatgjatë nëse ka marrëveshje koalicioni. Këtu ka një rëndësi të veçantë roli që do ta luaj Presidentja kur vjen puna të mandatimi i mandatarit të parë për KM, dhe pastaj të dytit nëse ka nevojë. Në këtë pikë duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk kemi shumë kohë për të humbur dhe se zhvillimet e hovshme globale kërkojnë veprim urgjent për të pasur institucione të konsoliduara.