Viti i ri shkollor në RMV do të fillojë me shumë sfida
Pa tekste shkollore për gjuhët e huaja, me pritshmëri për paga më të larta për mësimdhënësit, por edhe frikë se eksodi i popullatës do t’i zbrazë shkollat dhe mësimdhënësit nuk do të kenë kujt t’i japin mësim, kështu do të fillojë viti i ri shkollor. Për vetëm një vit shkollor në Maqedoninë e Veriut numri […]
Pa tekste shkollore për gjuhët e huaja, me pritshmëri për paga më të larta për mësimdhënësit, por edhe frikë se eksodi i popullatës do t’i zbrazë shkollat dhe mësimdhënësit nuk do të kenë kujt t’i japin mësim, kështu do të fillojë viti i ri shkollor. Për vetëm një vit shkollor në Maqedoninë e Veriut numri i shkollave fillore është zvogëluar për 11, ndërsa numri i nxënësve është zvogëluar për 3.000. Tendencë e njëjtë pritet edhe këtë vit, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Nëse para dy dekadash në shkollat e Dibrës kishte mbi 400 nxënës të klasës së parë, pas dhjetë ditësh për herë të parë në bankat shkollore do të ulen rreth 130 fëmijë. Rënia e numrit të nxënësve për shkak të natalitetit më të ulët dhe për shkak të largimit jashtë shtetit është një problem me të cilin prej vitesh po përballen edhe shkollat edhe shteti.
Kjo është vetëm një nga sfidat me të cilat do të fillojë ky vit shkollor më 2 shtator. Sigurimi i teksteve shkollore, puna me dy turne, rritja e pagave, përmirësimi i kurrikulave janë në listën e problemeve që presin të trajtohen si nga institucionet ashtu edhe mësimdhënësit dhe prindërit.
Pothuajse nuk ka ndryshime në procesin mësimor të nxënësve në krahasim me vitin e kaluar. Ndryshim do të ketë sa i përket pushimit pranveror i cili u prezantua vitin e kaluar shkollor, e që këtë vit do të hiqet pasi një anketë e realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) tregoi se shumica e prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve nuk kishin nevojë për të.
Pa tekste për gjuhë të huaja dhe me konceptim të ndërprerë
Megjithatë, sipas premtimeve të qeverisë, tekste apo materiale mësimore për disa lëndë do të ketë. Por nuk do të ketë për gjuhët e huaja.
“Të gjitha tekstet që i ka premtuar kjo qeveri këtë vit do të mbërrijnë në fillim të vitit shkollor. Tashmë kemi bërë të ditur se shpërndarja ka filluar, ende kemi tekste në shtyp, por sipas kontratës edhe ato deri më 1 shtator duhet të jenë në shkolla. Shpresoj se kjo do të respektohet nga distributorët”, thotë ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska.
Për gjuhët e huaja tekste nuk do ketë sepse sipas sqarimit tenderi dështoi dhe po vijon procesi i ankimimit. Asgjë që do të ishte në përputhje me ligjin nuk mund të ndërmerrej jashtë kësaj, pohon ministrja.
Koncepti i ri për arsimin fillor, i cili duhej të zbatohej këtë vit në klasën e shtatë është ndërprerë, pasi siç sqarojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bëhet revizion. Me zbatimin në klasat e ulëta, ajo bëri bashkimin e lëndëve si “Historia dhe shoqëria” për klasën e pestë dhe të gjashtë. Shtyrja e aplikimit në klasën e shtatë do të thotë se historia do të mbetet si lëndë më vete për nxënësit e klasës së shtatë, siç ka qenë edhe më parë.
Për numrin më të madh të nxënësve mbetet edhe ndjekja e mësimit në dy turne. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës këtë vit shkollor vetëm 124 shkolla fillore dhe të mesme mund ta zhvillojnë mësimin me një turn.
Mësuesit duan paga më të larta dhe fond të mjaftueshëm të orëve
Nga ana tjetër mësimdhënësit presin që më 2 shtator t’i kenë tekstet e premtuara, por ajo që dëshirojnë është që viti i ri shkollor të fillojë me paga më të larta. Ata kërkojnë harmonizim me Ligjin për Pagën Minimale, i cili sipas sindikalistëve duhet t’u mundësojë paga më të larta për rreth 12 përqind.
“Kanë mbetur ende harmonizime për të bërë në arsimin fillor dhe të mesëm. Është një problem relativisht i madh për ne për shkak se qeveria e re thotë qënuk ka fonde në Buxhet, edhe madje as me ribalansin e Buxhetit nuk mundi t’i siguronte. Këto janë burimet e tyre të informacionit dhe për këto arsye ne si mësimdhënës po reagojmë dhe kërkojmë që të respektohet obligimi ligjor”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK).
Negociatat me Ministrinë e Arsimit, shton ai, janë duke vazhduar dhe presin që në dy-tre javët e ardhshme të gjendet një zgjidhje dhe të ketë korrigjim për pagat e shtatorit.
Në anën tjetër, ministrja Vesna Janevska dje kërkoi durim nga mësimdhënësit sepse, siç tha ajo, në MASH kanë trashëguar buxhet njëvjeçar, i cili është shpenzuar për gjysmë viti nga qeveria e kaluar. Ajo u ankua se udhëheqësia e mëparshme i ka lënë buxhet një vjeçar të shpenzuar në gjysmë viti, paga dhe tekste të pasiguruara, si dhe detyrime të papaguara për ndihma për nxënësit, transport, bursa etj.
“I lus mësimdhënësit që në këtë moment të veprojnë me të njëjtin pasion si kur u regjistruan në fakultet kur e zgjodhën këtë profesion. Le ta mbyllim këtë vit me atë dëshirën e tyre për të kontribuar në dijen e nxënësve, për përparimin e shtetit, ndërsa atë që e meritojnë do ta marrin në atë moment kur shteti do mund ta bëjë. Unë si ministre do të luftoj fort që ajo të jetë sa më shumë të jetë e mundur”, tha Janevska.
Ndërsa për mësimdhënësit, përveç pagave më të larta, çështje e hapur mbetet edhe nënshkrimi i kontratave kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm. Ato janë hartuar në kohën e qeverisjes së kaluar dhe nga Sindikata shpresojnë se do të arrijnë ta nënshkruajnë me atë aktuale.
“Për ne janë të rëndësishme jo vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe nga aspekti i rregullimit të marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet punonjësve dhe punëdhënësve e që nuk janë të rregulluara me ligj. Pra, obligimet dhe të drejtat që përmenden vetëm në ligj këtu janë të specifikuara dhe janë shumë të rëndësishme për ne”, thotë kryetari i SASHK-ut.
Ka gjithnjë e më pak nxënës dhe shkolla
Siç thotë ai, ka shqetësim edhe për zvogëlimin e numrit të nxënësve dhe të klasave, që paraqet sfidë edhe për mësimdhënësit që duhet të kenë fond të mjaftueshëm të orëve.
Numri i nxënësve është në rënie të vazhdueshme. Të tilla janë pritshmëritë edhe për këtë vit, ndërsa indiciet e para i treguan të dhënat për numrin e nxënësve të regjistruar në klasën e parë. Në muajin maj, muaji i parë kur filluan regjistrimet, në të gjithë vendin kishte rreth 17.200 nxënës, ose rreth 500 më pak se vitin e kaluar. Numrin e saktë për fëmijët që do të fillojnë me klasën e parë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës do e njoftojnë gjatë muajit shtator, pasi siç theksojnë, regjistrimet ende nuk janë finalizuar.
Sipas rregulloreve ligjore që të formohen klasa duhet që në shkolla fillore të kenë nga 20 deri në 30 nxënës dhe në shkollat e mesme nga 24 deri në 34.
“Nga aspekti social, edhe qeveria e mëparshme dhe kjo qeveri i toleron klasat dhe ne kemi klasa me 7-8-9 fëmijë, ndonjëherë edhe me tre dhe kjo gjë tolerohet dhe jepen pëlqimet. Por nëse nuk tolerohet kjo situatë, nuk do të doja të spekuloja me shifra, por numri i mësimdhënësve që do të mbeteshin pa punë do të ishte vërtet i madh”, thotë Nedellkov.
Për zbrazjen e shkollave flasin edhe statistikat. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se vitin e kaluar shkollor ka pasur 182.124 nxënës të shkollave fillore ose pothuajse 3.000 më pak se ai paraprak. Nga ana tjetër, nxënësit e shkollave të mesme kanë qenë 69.227 ose rreth 2.000 më pak se një vit më parë.
Kjo ka ndikuar edhe në numrin e shkollave fillore. Në vitin akademik 2022-2023 kishte 966, ndërsa vitin e kaluar 11 shkolla më pak. Sa për shkollat e mesme të rregullta, numri mbeti i njëjtë – 126.