VLEN me afat të ri për ndryshimet kushtetuese, VMRO e papërcaktuar derisa s’ka garanci

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari është optimist se shteti do të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian, për çka pret mbështetje nga opozita, pasi siç theksoi, shumica qeverisëse është pro-evropiane. “Jam optimist se do të kemi bashkëpunim të ndërsjellë dhe e di që shumica qeverisëse është pro-evropiane. Kjo më siguron se së shpejti do të fillojnë […]

dhjetor 27, 2024 - 20:00
 0  3
VLEN me afat të ri për ndryshimet kushtetuese, VMRO e papërcaktuar derisa s’ka garanci
Bekim Qoku, Izet Mexhiti, Arben Taravari, Bilall Kasami, Afrim Gashi. Foto: Bilall Kasami (faqja në Facebook)

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari është optimist se shteti do të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian, për çka pret mbështetje nga opozita, pasi siç theksoi, shumica qeverisëse është pro-evropiane. “Jam optimist se do të kemi bashkëpunim të ndërsjellë dhe e di që shumica qeverisëse është pro-evropiane. Kjo më siguron se së shpejti do të fillojnë proceset integruese evropiane”, tha Taravari duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës së sotme në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar, transmeton Portalb.mk.

Taravari shprehu besimin se të gjitha partitë shqiptare i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe se asnjëra prej tyre nuk do të votojë kundër tyre.

“Nëse dikush voton kundër, atëherë do të jetë paradoks. Që nga viti 2002, Ahmeti ka më shumë se dy dekada që i paralajmëron ato negociata me BE-në. Ai madje e përshkroi si fluturim me aeroplan dhe se ai fluturim është i pasigurt. Megjithatë, mendoj se vitin e ardhshëm 2025 do të fillojmë negociatat me BE-në”, tha Taravari.

Ai theksoi se lidershipi aktual shtetëror është i fokusuar në integrimet evropiane.

“Jam i lumtur që dëgjova në fjalimin e kryetarit në parlament, se Maqedonia nuk ka rrugë tjetër përveç asaj evropiane dhe të njëjtën gjë e përsëriti edhe kryeministri. Unë besoj se kryeministri ka të drejtë që kërkon një lloj garancie nga Uashingtoni, Brukseli dhe Sofja se ky do të jetë kushtëzimi i fundit. Që të mos na ndodhë si në vitin 2018, kur katër-pesë ministra u fotografuan në avion dhe shpallën fillimin e negociatave, por lindën komplikime”, theksoi Taravari.

Koalicioni qeverisës “VLEN”, ku është edhe partia e Taravarit – Aleanca për Shqiptarët, sot me një deklaratë me shkrim shpalosi qëndrimin e saj në lidhje me miratimin e ndryshimeve kushtetuese pasi këto ditë përmendej nga BDI-ja opozitare për mos përmbushje të premtimit parazgjedhor për miratimin e ndryshimeve Kushtetuese në gjashtë muajt e parë të qeverisë së re.

Në njoftim, koalicioni “VLEN” thekson se qeveria ka një plan, strategji dhe hapa veprimi të qartë që ndërmerren çdo ditë, se është e vendosur fort në agjendën evropiane dhe se po punon për të respektuar kushtet për dinamizimin e procesit drejt anëtarësimit të plotë të vendit në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, thonë se pa deputetët e partnerit të tyre të koalicionit VMRO-DPMNE është e pamundur një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, e cila është e nevojshme për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë.

Qëndrimet e kundërta midis VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN për ndryshimet kushtetuese kanë qenë të theksuara që në fillim. Krerët e koalicionit VLEN, janë shprehur disa herë se ndryshimet kushtetuese do të bëhen. Madje kreu i ASh-së, Arben Taravari tha se ndryshimet kushtetuese mund të fillojnë nga dhjetori

“Të jemi plotësisht të sinqertë, problemi nuk është fare nëse bullgarët do të jenë në Kushtetutë, kjo nuk është problem, ne ishim që egjiptianët dhe kroatët të ishin në preambulë. Nuk është kjo pengesë, pengesa është problemi historik midis Bullgarisë dhe Maqedonisë. Dhe është e gjithë kjo që nuk shkon mirë dhe e bën të pamundur zhvillimin e negociatave. Mendoj se pas zgjedhjeve në Bullgari dhe zgjedhjeve në SHBA, mendoj se do të gjendet një zgjidhje që do të jetë një rrugëdalje për Maqedoninë nga ky ngërç. Mendoj se ndryshimet kushtetuese do t’i fillojmë nga dhjetori”, theksoi Taravari.

VMRO-DPMNE nga ana tjetër mendon se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen, por me efekt të vonuar, duke i liruar kështu vendin për të përfunduar procesin e anëtarësimit në BE përpara se të bëhen ndryshime të mëdha në kushtetutë.

Këto deklarata tregojnë se ekzistojnë ndryshime të qëndrueshme në pikëpamjet e afatit për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese midis partnerëve të koalicionit.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.