Toshkovski i habitur pse Prokuroria nuk kërkoi paraburgim për ish-drejtorin e EMV-së, s’ka masa për policin nga Kumanova që hoqi flamurin shqiptar
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot tha se është i habitur që nuk është kërkuar masë paraburgimi për ish-drejtorin e SHA EMV, Vasko Kovaçevski, i cili është i padisponueshëm për organet e rendit dhe dyshohet për përvetësim të 6,5 milionë eurove, transmeton Portalb.mk. “Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të […]
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot tha se është i habitur që nuk është kërkuar masë paraburgimi për ish-drejtorin e SHA EMV, Vasko Kovaçevski, i cili është i padisponueshëm për organet e rendit dhe dyshohet për përvetësim të 6,5 milionë eurove, transmeton Portalb.mk.
“Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të informimit të Prokurorisë Publike. Ajo është njoftuar me shkrim dhe gojarisht për personin që përmendni, por fatkeqësisht prokurori publik që e ka udhëhequr procedurën në kuadër të PNKOK ka gjykuar se nuk duhet të kërkojë masën më të rreptë sipas dispozitave të Ligjit për procedurë penale, megjithëse nëse më pyesni mua personalisht me habit pak që për një person të padisponueshëm nga organet ligjzbatuese dhe i përfshirë ne krime fillimisht rreth 6.5 milion euro, Prokuroria nuk kërkoi masë të tillë vetëm për këtë person. Përndryshe, të gjithë të tjerët që kanë qenë ish-zyrtarë janë aktualisht në paraburgim”, tha Toshkovski.
Lidhur me rastin e Lotarisë Shtetërore, ministri konfirmoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të zgjerojë hetimet, pasi ka të dhëna për disa krime të kryera dhe dyshime të bazuara për krime specifike që kanë dëmtuar buxhetin e kompanisë.
“Sa i përket personit juridik në fjalë, ka disa indicie për krime të kryera, ka shumë baza dyshimi dhe gjithashtu dyshime të bazuara për vepra të veçanta kriminale që kanë dëmtuar buxhetin, kështu që publiku do të informohet në përputhje me rrethanat në një kohë kur mund t’i publikojmë informacionin publikut”, tha ai.
Lidhur me incidentin në Ditën e Flamurit Shqiptar, Toshkovski informoi se Departamenti i Kontrollit të Brendshëm nuk ka konstatuar se polici nga Kumanova, i cili e hoqi flamurin shqiptar, ka shkelur ndonjë procedurë standarde të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Për personin në fjalë është hapur hetim nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm dhe në kuadër të veprimeve të kryera nga personi në fjalë nuk është konstatuar se ka shkelur ndonjë procedurë standarde në MPB, me sa jam i informuar”, tha Toshkovski.
Vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të mbyllur rastin e policit që hoqi Flamurin Kombëtar Shqiptar BDI e konsideron akt të turpshëm dhe shenjë të legalizimit të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ky veprim tregon dështimin total të institucioneve për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve dhe për të garantuar respektimin e të drejtave themelore. Përgjegjësia për këtë situatë nuk mbetet vetëm tek hakmareja etnike apo tek ministri Pançe Toçkovski, por edhe tek përfaqësuesit shqiptarë brenda qeverisë, të cilët me manipulimet e tyre të vazhdueshme dhe premtimet e rreme kanë tradhtuar interesat e shqiptarëve. Zëvendësministri dhe përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga VMRO-DPMNE , që sot janë pjesë e kësaj qeverie kanë treguar paaftësi totale për të përfaqësuar dhe mbrojtur komunitetin e tyre, duke u bërë garantues të padrejtësisë dhe diskriminimit. Heshtja e tyre përballë këtij akti dhe shumë veprimeve të tjera diskriminuese është një turp i madh dhe një tradhti ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve. Në vend që të jenë mbrojtës të shqiptarëve, ata janë bërë vegla të pushtetit që në mënyrë sistematike poshtëron simbolet dhe dinjitetin tonë kombëtar”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ministria e Brendshme arrestoi 18 persona në lidhje me ngjarjet e Ditës së Flamurit Shqiptar, nga të cilët katër janë në paraburgim, ndërsa ndaj dhjetëra personave ka nisur procedimi penal për shkak kaosit në rrugë dhe në komunikacion.
Ngjarjet e kësaj dite (28 Nëntorit), pasuan me djegien e tre veturave, një objekt afarist dhe një fasadë shtëpie në Kumanovë, të cilat u përkasin qytetarëve shqiptarë.
Ndërkohë, kur bëhet fjalë për Elektranat e Maqedonisë së Veriut, ish-drejtori Kovaçevski është një nga njëzet e tre të dyshuarit në hetimin me emrin e koduar “Aditiv” që është hapur së fundmi nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThP NKOK) për një krim prej 6.5 milionë eurosh.