VLEN për akuzat e opozitës shqiptare për tragjedinë në Koçan: Prokurorin Kocevski e propozuan Grubi dhe Lloga
Koalicioni VLEN thotë se nuk do që asnjë shqiptar të jetë fajtor për tragjedinë kolektive në Koçan. Ndërsa reagimet e BDI-së dhe Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës i konsiderojnë si fallco dhe për përfitime politike, raporton Portalb.mk. Nga VLEN urojnë që të gjithë zyrtarët aktualë dhe ish-funksionarët shqiptarë të provojnë pafajësinë e tyre, […]


Koalicioni VLEN thotë se nuk do që asnjë shqiptar të jetë fajtor për tragjedinë kolektive në Koçan. Ndërsa reagimet e BDI-së dhe Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës i konsiderojnë si fallco dhe për përfitime politike, raporton Portalb.mk.
Nga VLEN urojnë që të gjithë zyrtarët aktualë dhe ish-funksionarët shqiptarë të provojnë pafajësinë e tyre, në një procedurë gjyqësore të drejtë, transparente, që do të bazohet ekskluzivisht në parimet kushtetuese të drejtësisë jo selektive, prezumimit të pafajësisë dhe barazisë para ligjit.
“Sa i përket përpjekjeve të Ali Ahmetit dhe Zijadin Selës për të ndërtuar perceptimin se shqiptarët janë viktima të Qeverisë, duam t’ua themi troç: jeni të lexuar si abetare të klasës së parë! Atyre fare nuk u interesojnë shqetësimet e popullit shqiptar, por vetëm se si të shkaktojnë krizë politike”, thanë nga VLEN.
Aga ky koalicion thonë se lotët e tyre fallco për shqiptarët janë hipokrizia më e madhe politike.
“E gjithë drejtësia është e mbushur me kuadro të kohës së tyre. Këtu është një tjetër dëshmi: më 15 janar 2024, Artan Grubi dhe Krenar Lloga propozuan Ljupço Kocevskin për prokuror publik. Prandaj, në vend që të përpiqen të manipulojnë me ndjenjat e shqiptarëve, le të përgjigjen: a është e mundur që Ljupço Kocevski dhe Islam Abazi, të cilët janë propozime të tyre, tani po udhëheqin “gjueti shtrigash”, apo me këto pamflete politike që i shpërndajnë, po shënojnë autogola”, thanë nga VLEN.
Ky reagim i VLEN-it vjen si përgjigje nga reagimet e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, lidhur me hetimet për tragjedinë në Koçan.
Sipas BDI-së, sjellja e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE në krye me kryeministrin Hristijan Mickoskin është shqetësuese, sepse në vend që të ndërmarrin masa dhe të kërkojnë përgjegjësi nga fajtorët e vërtetë, qeveria ka zgjedhur të shmangë përgjegjësinë e funksionarëve aktualë dhe është dhënë pas krijimit të tensioneve të panevojshme ndëretnike.
BDI thotë se Mickoski, përmes arrestimeve të pabazuara të shqiptarëve, po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e qeverisë dhe si mjet për të shkaktuar përçarje etnike.
“BDI dënon ashpër arrestimet e fundit të individëve që nuk kanë asnjë lidhje me tragjedinë, si një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësit e vërtetë. Këto veprime të paprovuara, të nisura nga institucionet e kontrolluara nga Mickoski, shërbejnë për të targetuar qëllimisht individë për qëllime politike”, theksuan nga BDI.
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka thënë se edhe tragjeditë keqpërdoren për t’i goditur shqiptarët dhe se kjo është padrejtësi edhe ndaj viktimave të Koçanit.
“Fushata kundër shqiptarëve e paralajmëruar nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski duke thënë se “do t’i kapim për veshi” dhe do t’i dërgojmë në burg, tani po zbatohet në praktikë nga Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme”, thanë nga ASh Ziadin Sela.
Sipas tyre, arrestimet e padrejta, të pabaza dhe me prapavijë të pastër etnike, duke keqpërdorur tragjedinë e Koçanit kanë dy qëllime:
- Të fshehin përgjegjësit e vërtetë duke filluar nga kryeministri, ministri i punëve të brendshme dhe drejtuesit aktual të organeve kompetente, lokale dhe qendrore.
- Të frikësojnë shqiptarët, të shtypin shqiptarët dhe të shkaktojnë revoltë dhe tensione ndëretnike, me qëllim defokusimi nga problemet dhe përgjegjësitë reale.
- LEXO: Rasti i Koçanit keqpërdoret për prapavija etnike dhe për fshehje të përgjegjësve, reagoi ASh Sela
Këto reagime erdhën pasi dje, më 12 prill Prokuroria Themelore Publike në Koçan lëshoi urdhër për zgjerimin e hetimeve për zjarrin në diskotekën “Puls” të Koçanit në 19 persona të rinj.
Ndërsa sot përmes një konference për shtyp ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski dhe prokurori publik i shtetit Ljupco Kocevski dhanë detaje nga ky hetim.
Të gjithë ata dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për zyrtarë në periudhën 2012-16.03.2025.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paraprakisht identifikoi si të dyshuar 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërsa me zgjerimin e hetimeve më 12 prill edhe ndaj 19 të dyshuarve të tjerë. Me këtë, deri më tani, Prokuroria e Koçanit ka nisur hetimet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridikë, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim.