1 Qershori përkujtoi se Tetova ka nevojë për më tepër hapësira për fëmijët
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve e njohur ndryshe si 1 Qershori, këtë vit me një organizim në shesh të Tetovës përcolli mesazhin se ky qytet ka nevojë për më tepër hapësira për fëmijët, raporton Portalb.mk. Sheshi “Iliria” sot ishte i mbushur plot fëmijë të cilët nën shoqërimin e prindërve morën pjesë nëpër aktivitetet artistike, muzikore, kreative […]
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve e njohur ndryshe si 1 Qershori, këtë vit me një organizim në shesh të Tetovës përcolli mesazhin se ky qytet ka nevojë për më tepër hapësira për fëmijët, raporton Portalb.mk.
Sheshi “Iliria” sot ishte i mbushur plot fëmijë të cilët nën shoqërimin e prindërve morën pjesë nëpër aktivitetet artistike, muzikore, kreative dhe lojëra argëtuese.
Për këtë organizim u përkujdes shoqata “Më Mirë për Tetovën”, nga ku aktivistja Elmedina Abdulahi theksoi se qyteti ka nevojë për më shumë hapësira dhe aktivitete për fëmijët.
“Kemi mungesë të madhe për kështu organizime për fëmijët, e dini jetojmë në kohën e teknologjisë dhe fëmijë duhet t’i mbajmë larg mjeteve teknologjike, prandaj ne vendosëm që të dërgojmë një mesazh që ka më tepër nevojë ky qytet si për parqe për fëmijë, si për kënde për lojëra fëmijë dhe për aktivitete për fëmijë që gjatë fundjavës të mund fëmijët të dalin në ajër të pastër edhe të shoqërohen mes veti”, tha Abdulahi.
Në shesh pati edhe, recitime, vallëzime dhe aktivitete të tjera.
Dita ndërkombëtare e fëmijëve për një pjesë të vendeve të botës është 20 nëntor ndërsa për vendet e dikurshme të bllokut lindor është 1 qershori.
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një dite për ti thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.
Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925. Dy vjet më pas Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.