114 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, rruga “Hristijan Todorovski Karposh” në Çair të Shkupit u riemërua “Nënë Tereza”
Sot është 114 vjetori i lindjes së Nënë Terezës. Me këtë rast, sot në vend janë zhvilluar një sërë ngjarjesh për të shënuar pikërisht këtë ditë, transmeton Portalb.mk. Me rastin e kësaj dite, rruga “Hristijan Todorovski Karposh” në Çair të Shkupit është riemëruar në rruga “Nënë Tereza”. Rruga u përuruar nga zv/kryeministri Izet Mexhiti dhe […]
Sot është 114 vjetori i lindjes së Nënë Terezës. Me këtë rast, sot në vend janë zhvilluar një sërë ngjarjesh për të shënuar pikërisht këtë ditë, transmeton Portalb.mk.
Me rastin e kësaj dite, rruga “Hristijan Todorovski Karposh” në Çair të Shkupit është riemëruar në rruga “Nënë Tereza”. Rruga u përuruar nga zv/kryeministri Izet Mexhiti dhe nga kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Rruga kryesore e Çairit, nga sot, do të mbajë emrin e bijës dhe nobelistes shqiptare nga Shkupi, Nënë Tereza. Në përvjetorin e 114-të të lindjes së humanistes Nënë Tereza, me krenari dhe respekt përuruam emrin e ri të rrugës kryesore të Çairit, e cila tani do të mbajë emrin e kësaj figure të madhe shqiptare. Më parë, kjo rrugë njihej si “Hristijan Todorovski Karposh”. Çdo ditë, mijëra qytetarë kalojnë në këtë rrugë, dhe tani, me një ndjenjë të veçantë mburrjeje, ata do të përkujtojnë dhe nderojnë Nënë Terezën, duke e kthyer këtë rrugë në një simbol të dashurisë dhe humanizmit që ajo përfaqëson”, tha Izet Mexhiti, zv/kryeministër.
Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër mori pjesë në manifestimin “Drita e Gonxhes” në shtëpinë përkujtimore dhe monumentin e Nënë Terezës në rrugën “Maqedonia”.
Mickoski tha se Nënë Tereza paraqet sinonim për gjithçka që është e mirë, fisnike, e sinqertë për atë se si nga zemra ndihmon sinqerisht ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
“Ajo shpesh emërohej si shenjtore e varfërisë dhe ia kushtoi gjithë jetën viktimave të pafajshme të dhunës, atyre që vdisnin në rrugë, atyre që vuanin nga lebra dhe SIDA. Ajo jetoi thjesht, si gjatë jetës, ashtu edhe pas vdekjes së saj – mbeti sinonim i mirësisë në botë. Për Nënë Terezën, ajo u bë fituese e njohjeve dhe çmimeve të shumta për angazhimin e saj jashtëzakonisht njerëzor në përkujdesin e më të varfërve e të varfërve, për të cilin fitoi edhe Çmimin Nobel për Paqe. Ajo ishte shkupjane e cila pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Indi, vendi i dytë më i populluar në botë dhe i shtati për nga madhësia gjeografike, kryeqyteti i të cilit është Nju Delhi. Si shtëpi e qytetërimit të lashtë të Luginës së Indisë dhe zone historike e rrugëve tregtare dhe perandorive të përhapura, nënkontinenti indian është identifikuar me pasuritë e tij tregtare dhe kulturore për pjesën më të madhe të historisë së tij të gjatë”, tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se sot Nënë Tereza i përket botës.
“Jeta e saj nuk njihte kufij apo dallime dhe ajo bashkonte kultura të ndryshme, njerëz dhe kombe të ndryshme. Ajo është edhe ura më e mirë e lidhjes sot edhe në vendin nga e ka origjinën – Shkupi. Ajo është filli I cili lidh maqedonasit, shqiptarët dhe të gjithë ata që kanë jetuar në këto treva, por edhe shembull kur një zemër plot dashuri është gati për bëmat e mëdha dhe fitoren mbi të gjitha paragjykimet dhe pengesat. Të mësojmë nga kjo Shkupjane e madhe dhe humaniste, të respektojmë njëri-tjetrin, të kujdesemi, të ndihmojmë të pafavorizuarit, të shtypurit dhe të varfërit. Të ndjekim shembullin e Gonxhes e cila e ndryshonte botën. Vetëm kështu do të sigurojmë një të ardhme për të gjithë. I përjetshëm qoftë kujtimi për Nënë Terezën”, përfundoi Mickoski.
Për nder të Nënë Terezës do të ketë edhe ngjarje të tjera, si koncerti klasik në qendrën informative kulturore në Shkup.
Shqiptarja Gonxhe Agnes Bojaxhiu ka lindur më 26 gusht 1910, në rrugën e atëhershme “Pop Koçina” numër 14, e cila ndodhej në sheshin e sotëm Maqedonia.
Gjatë jetës së saj, Nënë Tereza, për punën e saj humanitare, ka marrë më shumë se 700 çmime dhe konsiderohet si personi më i vlerësuar i shekullit të 20-të. Ajo është fituese e Çmimit Nobel për Paqen.