2024 do të mbarojë pa inspektim të bankave në RMV për zbatimin e gjuhës shqipe, shpresat dhe premtimet ngelen për 2025
Viti 2024 do të përfundojë pa mbikëqyrje të bankave për zbatimin e gjuhës shqipe nga ana e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, pavarësisht se mbikëqyrje u premtua muaj më parë. Drejtori i ri i këtij institucioni thekson se bankat do të mbikëqyren në vitin 2025. Alarmon Më Mirë për Tetovën: Ligji është i qartë, Inspektorati […]
Viti 2024 do të përfundojë pa mbikëqyrje të bankave për zbatimin e gjuhës shqipe nga ana e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, pavarësisht se mbikëqyrje u premtua muaj më parë. Drejtori i ri i këtij institucioni thekson se bankat do të mbikëqyren në vitin 2025. Alarmon Më Mirë për Tetovën: Ligji është i qartë, Inspektorati duhet të veprojë, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht se në muajin maj 2024 nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve thanë se do të mbikëqyrin zbatimin e gjuhës shqipe nëpër banka dhe nëse kjo nuk respektohet Inspektorati do të veprojë, pesë muaj më vonë nuk është kryer asnjë inspektim.
Me ardhjen e Qeverisë së re ndryshoi edhe drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Në fillim të muajit gusht nga pozita e drejtorit të Inspektoratit u largua Fatmir Iseni ndërsa u emërua Arsim Idrizi.
Drejtori i ri, Arsim Idrizi për Portalbin informoi se në Planin Vjetor të punës së Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve për vitin 2024 nuk është paraparë të realizohet mbikëqyrje e rregullt inspektuese në banka.
“Në përputhje me Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese jemi duke e përgatitur Planin Vjetor të punës së Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve për vitin 2025, me të cilin plan i parashohim krahas institucioneve tjera edhe bankat si subjekte ku do të realizojmë mbikëqyrje inspektuese”, tha Idrizi.
Nga ana tjetër, shoqata Më Mirë për Tetovën vijon të apelojë që Institucionet të respektojnë ligjet. Nga ty thonë se pas sqarimeve nga Ministria e Drejtësisë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka tashmë kompetenca të qarta për të monitoruar dhe ndërmarrë veprime në rastet kur gjuha shqipe nuk përdoret nga bankat, siç kërkohet me ligj.
“Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, bankat dhe subjektet e tjera juridike që ushtrojnë funksione publike janë të detyruara të përdorin gjuhën shqipe, duke marrë parasysh që më shumë se 20% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut flasin shqip”, thonë nga Më Mirë për Tetovën.
Nga aty inkurajojnë të gjithë qytetarët që të marrin pjesë aktive në respektimin e këtij ligji, duke i drejtuar ankesat e tyre Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Nëse një bankë nuk respekton kërkesën ligjore për të ofruar shërbime në gjuhën shqipe, qytetarët duhet të paraqesin një ankesë për të nxitur zbatimin e këtyre të drejtave të tyre”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.
Në muajin maj 2024, nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve në një deklaratë për Portalb.mk nëse do të veprojnë ndaj bankave për mospërdorimin e gjuhës shqipe, theksuan se do të veprojnë në këtë drejtim duke marrë parasysh edhe përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë se bankat dhe personat e tjerë juridikë që ushtrojnë kompetenca publike në përputhje me ligjin gjatë mbledhjes së depozitave dhe burimeve të tjera të kthyeshme të mjeteve duhet ta përdorin edhe gjuhën dhe alfabetin që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik.
Inspektorati paraprakisht kishte “paqartësi nuk e kishin të qartë nëse mundnin ose jo t’i gjobitin bankat për moszbatimin e gjuhës shqipe. Për këtë ata kërkuan mendim nga Ministria e Drejtësisë, mirëpo ky mendim u vonua dhe i njëjti u bë publik nga Portalb.mk, në të thuhej se bankat detyrohen të përdorin gjuhën shqipe ndërsa i ngelet Inspektoratit të veprojë.
Edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës mbeti e qëndrimit se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, por në praktikë bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.
Problematika me (mos)përdorimin e gjuhës shqipe nga ana e bankave u hap në shkurt 2024 nga organizata qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT).