Deponia e vogël me lindan në OHIS ka më shumë mbetje se sa pritej, pastrimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm

Përqendrimi i mbetjeve në deponinë e vogël me lindan në OHIS është 25 për qind më i lartë se sasia e vlerësuar fillimisht, kanë treguar gërmimet e deritanishme të këtyre mbetjeve të rrezikshme. Për shkak të kësaj, testet e tokës do të fillojnë këtë muaj në pjesën që mbetet për t’u pastruar, në mënyrë që […]

Nëntor 9, 2024 - 12:00
 0  5
Deponia e vogël me lindan në OHIS ka më shumë mbetje se sa pritej, pastrimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm
Lindani në OHIS, Foto: Meta.mk

Përqendrimi i mbetjeve në deponinë e vogël me lindan në OHIS është 25 për qind më i lartë se sasia e vlerësuar fillimisht, kanë treguar gërmimet e deritanishme të këtyre mbetjeve të rrezikshme. Për shkak të kësaj, testet e tokës do të fillojnë këtë muaj në pjesën që mbetet për t’u pastruar, në mënyrë që të bëhet një vlerësim i vërtetë se sa kohë dhe para do të nevojiten për të përfunduar këtë projekt të madh, transmeton Portalb.mk.

Qeveria muajin e kaluar ka ndarë 24,2 milionë denarë nga buxheti, me të cilat Fondi multipartner për mjedisin i menaxhuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për shërbime projektuese, UNOPS, do të ketë rreth 500.000 euro të destinuara për sanimin e deponisë së vogël. Deri më tani me paratë e këtij fondi janë pastruar afro 1600 ton mbetje dhe 500 ton tokë të kontaminuar me HCH dhe pastrimi i mbetjeve në pjesën e pestë pritet të fillojë në vitin 2025, pasi të përfundojë marrja e mostrave dhe vlerësimi i ri i sasive.

“Praktika e deritanishme në këtë çështje ka treguar se përqendrimi i mbetjeve është më i lartë dhe për të ulur pasigurinë për llojin dhe sasinë në dy pishinat e mbetura dhe hapësirën ndërmjet pesë pishinave në deponinë e vogël, UNOPS në përputhje me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të zbatojnë një grumbullim të targetuar të mostrave të tokës. Gjatë këtij muaji do të fillojë marrja e mostrave të tokës dhe pritet të mundësohet vlerësimi i fondeve të nevojshme për sanimin e plotë të pjesës së mbetur të deponisë së vogël”, njoftoi ministria.

Nga aty bëjnë me dije se po punohet që të sigurohet vazhdimësia e sanimit të deponisë së vogël me lindan. Tani për tani, financimi ekzistues mbulon fazat aktuale, por për të vazhduar procesin e pastrimit të pjesës tjetër të pishinave në deponinë e vogël, nuk ka dyshim se do të kërkohen fonde shtesë.

“UNOPS së bashku me MMJPH po punojnë në mënyrë aktive në gjetjen dhe mobilizimin e burimeve financiare shtesë. Po eksplorohen mundësitë dhe donatorët e mundshëm për të siguruar mbështetjen e plotë financiare të nevojshme për të përfunduar këtë iniciativë të rëndësishme, e cila presim të ketë më shumë intensitet deri në fund të vitit 2024, thotë ministria.

Për të vazhduar pastrimin e mbetjeve të rrezikshme do të duhet të rishpallet tenderi për përzgjedhjen e një kompanie rehabilitimi. Në tre vitet e fundit këtë rol e ka luajtur kompania greke “Polieko”. Pastrimi i Lindanit nga OHIS-i filloi në shtator 2021 dhe deri më tani janë pastruar katër pjesë. Lindani i grumbulluar transportohet dhe asgjësohet në Tredi në Francë, ndërsa dheu i kontaminuar me HCH transportohet në fabrikën Indaver në Gjermani. Deri më tani janë transportuar dhe shkatërruar 1932 ton mbetje HCH me koncentrim të lartë dhe 586 ton tokë të kontaminuar me izomere HCH. Supozohet se kanë mbetur për t’u larguar edhe 300 tonë lindan dhe 1500 ton tokë.

Përkujtojmë që pastrimi i deponisë së vogël bahet në katër pjesë, ashtu që LOT 1 ka filluar në shtator 2021, LOT 2 në qershor 2022, LOT 3 në qershor të vitit 2023, ndërs LOT 4 në mars të vitit 2024.

Ndryshe, në qershor të vitit 2024 ka përfunduar pastrimi i katërt i deponisë së vogël të lindanit në OHIS. Në periudhën mars-qershor u gërmuan 450 ton mbetje HCH dhe 250 ton dhe të kontaminuar me lindan. E gjithë sasia është e paketuar në fuçi të specializuara në të cilat do të transportohet për shkatërrim përfundimtar.

Deponia e vogël e lindanit përmban rreth 13,000 tonë, ndërsa deponia e madhe besohet se përmban rreth 50,000 ton lindan. Gjithashtu, deponia në qytetin e Pelenicës afër Draçevës përmban gjithashtu sasi të mëdha të mbeturinave të rrezikshme, rreth 40,000 tonë HCH të pastër dhe 6,500 tonë të tjera të përziera, së bashku me mbeturinat e një fabrike qelqi.

Punëtoria e lindanit në kuadër të një fabrike ka funksionuar nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur prodhimi u mbyll për arsye ekologjike. Në atë periudhë janë prodhuar rreth 2.800 tonë lindan, që kanë rezultuar në rreth 25.000 ton izomerë joaktive, të cilat janë shpërndarë në mënyrë të papërshtatshme dhe që ende janë rrezik për ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës në Shkup. Deri para pak kohësh në OHIS ruheshin 64 tonë dhjetëra kimikate të tjera të rrezikshme, të cilat në dy vite, në gjithsej shtatë eksporte mbetjesh kimike, u eksportuan për asgjësim në disa vende.