22 të arrestuarit për drogë mund të arratisen, përsërisin veprat penale – Arsyeton gjykata masën e paraburgimit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 22 të dyshuarve për trafik ndërkombëtar droge, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes, përsëritjes së veprave penale dhe ndikimit në hetimet që janë ende në fazën fillestare. Sipas gjykatës, të dyshuarit janë pjesë e një strukture të organizuar kriminale ndërkombëtare, me aftësi të dëshmuar

qershor 6, 2025 - 08:30
 0  6
22 të arrestuarit për drogë mund të arratisen, përsërisin veprat penale – Arsyeton gjykata masën e paraburgimit
22 të arrestuarit për drogë mund të arratisen, përsërisin veprat penale – Arsyeton gjykata masën e paraburgimit

22 të arrestuarit për drogë mund të arratisen, përsërisin veprat penale – Arsyeton gjykata masën e paraburgimit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 22 të dyshuarve për trafik ndërkombëtar droge, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes, përsëritjes së veprave penale dhe ndikimit në hetimet që janë ende në fazën fillestare.

Sipas gjykatës, të dyshuarit janë pjesë e një strukture të organizuar kriminale ndërkombëtare, me aftësi të dëshmuar për shmangie të ndjekjes ligjore dhe ndikim potencial ndaj dëshmitarëve apo bashkëpunëtorëve që ndodhen në arrati.

Aktvendimi për caktimin e paraburgimit është siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.Aty gjykata vlerëson se ekziston rreziku real që të dyshuarit të përsërisin veprat penale nëse mbesin të lirë, duke qenë se ata janë pjesë e një strukture të organizuar që ka vepruar në mënyrë të qëllimshme, të qëndrueshme dhe të planifikuar.

Sipas gjykatës, veprimtaria kriminale e këtij grupi ka përfshirë transport, logjistikë, pagesa dhe shmangie të kontrolleve ligjore, duke përdorur identitete të rreme dhe dokumente të falsifikuara.Të dyshuarit kanë mohuar pretendimet e Prokurorisë, kanë kundërshtuar mënyrën e sigurimit të provave duke pretenduar se ato janë marrë në mënyrë të jashtëligjshme dhe kanë kërkuar nga gjykata që të refuzojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke kërkuar lirimin e tyre.

Në dosjen e Prokurorisë përmenden edhe komunikimet e përgjuara përmes rrjetit të koduar “Sky ECC”, të cilat tregojnë se të dyshuarit kanë bashkëpunuar për trafikimin e narkotikëve të rëndë – përfshirë kokainë, heroinë dhe marihuanë – me origjinë nga Amerika Latine, Irani dhe Turqia, të cilat përmes rrugëve ballkanike janë synuar të depërtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.Gjykata thekson se disa nga të pandehurit kanë qenë më parë të dënuar për vepra të ngjashme penale në shtete si Gjermania dhe Belgjika, ndërsa disa prej tyre kanë qenë në kërkim ndërkombëtar. Ata kanë përdorur identitete të falsifikuara për t’iu shmangur autoriteteve, gjë që dëshmon, sipas gjykatës, rrezikun e ikjes apo të fshirjes së gjurmëve në rast të lënies së tyre në liri.Në këtë fazë të hershme të hetimeve, gjykata konsideron se lënia e tyre në liri do të rrezikonte dëmtimin e procesit hetimor, përfshirë edhe mundësinë e ndikimit në dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të grupit kriminal, nga të cilët disa janë ende në arrati.

Gjyqtari i procedurës paraprake Valon Kurtaj ka caktuar paraburgim prej një muaji për të dyshuarit, duke u thirrur në nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale. Paraburgimi llogaritet nga data 3 qershor 2025 dhe zgjat deri më 3 korrik 2025.