23 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut po bëhen 23 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vend, raporton Portalb.mk. Në Kushtetutën e vendit pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, ishin sjellë disa kufizime për të drejtat e grupeve të tjera etnike […]
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut po bëhen 23 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vend, raporton Portalb.mk.
Në Kushtetutën e vendit pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, ishin sjellë disa kufizime për të drejtat e grupeve të tjera etnike në vend, veçanërisht për shqiptarët.
Shqiptarët të cilët kërkonin të drejtën e arsimit të lartë në gjuhën e tyre amtare, në vitin 1994 e themeluan universitetin e tyre. Ky hap nuk u mbështet nga qeveria e asokohshme dhe universiteti i themeluar ishte rrënuar nga policia. Në përplasjen e ndodhur kishte humbur jetën një person, ndërsa ishin plagosur shumë të tjerë.
Shqiptarët të cilët gjithashtu kërkonin përdorimin e flamurit kombëtar në vend, në vitin 1997 i vendosën flamujt në komunat e Gostivarit dhe Tetovës, veprim ky i cili u cilësua si i paligjshëm dhe ishin hequr flamujt. Pas intervenimit të policisë, kishin humbur jetën disa persona dhe ishin arrestuar shumë të tjerë.
Rruga që çoi në Marrëveshjen e Ohrit
Konflikti i armatosur filloi pasi më 22 janar një grup i armatosur sulmoi stacionin policor në fshatin Tearcë të Tetovës, ku në sulm humbi jetën një polic ndërsa tre të tjerë ishin plagosur. Përgjegjësinë mbi sulmin e kishte marrë Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Përleshjet kanë vazhduar edhe në qytete të tjera të vendit me shkallë të ndryshme intensiteti gjatë muajve të pranverës.
Një marrëveshje e përgjithshme armëpushimi u arrit më 5 korrik, e ndërmjetësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO, ndërkohë të dyja palët e shkelën marrëveshjen shumë herë.
Në ngjarjet mes 22 janar-12 nëntor 2001 humbën jetën qindra persona nga të dyja palët, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën.
Përleshjet kanë ndodhur në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit si dhe në afërsi të kryeqytetit Shkup. Incidente të dhunshme ndodhën në qytete të ndryshme të vendit.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit
Negociatat për arritjen e marrëveshjes në Ohër, përfunduan me përafrimin e dokumentit, ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001. Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua nga partitë më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Marrëveshja i dha fund konfliktit ndërsa hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.
Në marrëveshje, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe zhvillimi i pushtetit vendor, mos diskriminimi, përfaqësimi i drejtë, zbatimi i procedurave të veçanta të Kuvendit për çështje si gjuha, kultura, arsimi dhe simbolet.
Me “Ligjin për përdorimin e gjuhëve” të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 janar 2018, i cili parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, u bë gjuha e dytë zyrtare në vend më 15 janar 2019.
Gjithashtu u vendos që një gjuhë e cila flitet nga më shumë se 20 për qind e popullsisë në cilindo qytet të vendit, përveç maqedonishtes, të jetë gjuhë zyrtare.
Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionoi në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Sekretariati më pas u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.