4 muaj pa rroga, bojkot në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Akuza BDI & VLEN!

Ka filluar bojkoti i punës në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve pasi 17 të punësuar tanimë katër muaj nuk kanë marrë rroga. Të punësuarit gjithashtu kanë mbetur pa sigurim pensional, The post 4 muaj pa rroga, bojkot në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Akuza BDI & VLEN! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Prill 25, 2025 - 01:00
 0  5
4 muaj pa rroga, bojkot në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Akuza BDI & VLEN!

Ka filluar bojkoti i punës në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve pasi 17 të punësuar tanimë katër muaj nuk kanë marrë rroga.

Të punësuarit gjithashtu kanë mbetur pa sigurim pensional, e që është më tragjike edhe pa sigurim shëndetësor. Për këtë, gjatë kësaj periudhe të punësuarit janë detyruar që të gjitha shërbimet në spitale t’i paguajnë në mënyrë private.

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, më 7 prill të këtij muaji u dha shpresë të punësuarve se është gjetur zgjidhje për çështjen e rrogave.

“Ndërsa për rrogat mendoj që sot marrin rrogën e parë dhe në mënyrë etapore do t’i marrin edhe dy të tjerat”, deklaroi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

Por nga premtimi për sot, kaluan 17 ditë. Ndërsa, nuk dihet edhe sa ditë e muaj tjerë do të kalojnë që punëtorët të marrin rrogë. Fati i Inspektoratit momentalisht është në udhëkryq.

Neglizhenca e shtetit ndaj këtij institucioni kyç për mbrojtjen e respektimit të gjuhës shqipe nëpër institucione ka arritur majat. Funksionarët e politikanët e kujtojnë vetëm në data solemne sa për mburrje e lavd përpara qytetarëve, duke rrahur gjoks se kanë ngritur një institucion me rëndësi për komunitetin shqiptar.

Por në realitet, ky institucion momentalisht është jofunksional, me kuptimin e plotë të fjalës. Për këtë, nuk dëshmon vetëm fakti se janë lënë pa rroga katër muaj të punësuarit, por situata është bërë alarmante deri në pikën që Inspektorati madje nuk ka as letër e ngjyrë për të kryer detyrat elementare. Sikur të mos jetë e mjaftueshme kjo, sipas informatave të Alsat prej shtatorit të vitit të kaluar, Inspektoratit i janë përgjysmuar edhe zyrat, respektivisht prej 6 në 3. E të mos flasim që shteti shpërfill ndër vite kërkesën modeste të inspektorëve për një automjet zyrtar, diçka që do të ishte e paimagjinueshme të ndodhte në ndonjërin prej inspektorateve tjera. Deri më tani inspektimet në terren, janë bërë me vetura dhe shpenzime private.

Kaosi me Inspektoratin e Gjuhëve është krijuar pas ndryshimeve të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese të miratuara në dhjetor të vitit të kaluara, me të cilat të gjitha inspektorateve ua heq statusin juridik dhe i vendos nën kompetenca të Ministrive. Këtë, e pësoi dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve edhe pse statusi i tij juridik garantohet me nene të posaçme në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligji për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Inspektorati momentalisht ka mbetur në situatë absurde – edhe ka, edhe nuk ka status juridik.

Zëvendëskryeministri Mexhiti për këtë paralajmëroi në mes të muajit prill do të propozohet zgjidhje e re ligjore për të rregulluar statusin e Inspektoratit që të mos jetë në kuadër të Ministrisë, por të jetë në kuadër të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve. Por edhe për këtë, nuk ka kurrfarë aktiviteti.

BDI përmes një komunikate në Facebook thanë se: Përfaqësues të koalicionit LEN, i cili me vetëm 9 deputetë ( 1.3% të deputetëve) pretendon të përfaqësojë mbi 29% shqiptarë në institucione, vazhdojnë të relativizojnë bashkëpunimin e tyre të mëhershëm me partitë maqedonase, duke e quajtur atë “eksperiment që nuk funksionoi”, akuzojnë sot nga BDI-së.

Nga atje thonë se por problemi nuk qëndron tek një eksperiment i dështuar politik. Problemi është se kjo qasje e eksperimentimit me shqiptarët po vazhdon – me pasoja reale dhe të rrezikshme.

“Historikisht, regjimet më represive në rajon, veçanërisht ai i Millosheviqit, kanë përdorur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si inkubator për të testuar politika ndaj “çështjes shqiptare”.

Dhe ajo që dikur vinte nga jashtë, sot po zbatohet nga brenda – me shqiptarë që heshtin ose bashkëpunojnë në kurriz të të drejtave kolektive të popullit të vet.

Sot jemi dëshmitarë të një vale të re eksperimentimesh:

A është eksperiment përpjekja për të normalizuar një qeveri pa shumicë shqiptare, pa mandat dhe pa përfaqësim të drejtë?

A është eksperiment vendosja e një eksponenti pro-rus si Stoilkovic në krye të Marrëveshjes së Ohrit?

A ishte eksperiment manipulimi i rezultateve të regjistrimit të popullsisë, përjashtimi i diasporës dhe ulja e përqindjes së shqiptarëve nga 29.3% në 24.5%?

A është eksperiment sfidimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët në Gjykatën Kushtetuese, për të parë sa do të heshtin shqiptarët?

A është eksperiment heqja e mekanizmit të balanserit dhe lënia e institucioneve në mëshirën e ministrave dhe drejtorëve me qëndrime antishqiptare?

A është eksperiment që inspektorët për gjuhën shqipe nuk marrin rrogë për muaj të tërë, me qëllim që të dorëhiqen dhe të zhbëhet mekanizmi i zbatimit të ligjit?

E gjithë kjo nuk është as gabim, as rastësi. Është një model: të testosh kufirin e pranueshmërisë së shqiptarëve”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Koalicioni VLEN përmes një postimi në Facebook ka reaguar ashpër ndaj BDI-së, duke i hedhur akuza për keqmenaxhim të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. Ata theksojnë se, gjatë kohës që kjo Byro drejtohej nga kuadrot e BDI-së, janë shkelur ligjet dhe janë abuzuar me buxhetin, duke përfshirë punësime partiake dhe keqadministrim të fondeve për arsimin

Reagimi i plotë:

Revizorët e kryen punën e tyre. Enti Shtetëror i Revizionit hapi dosjen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe ajo që u zbulua nuk befason më askënd: kaos, shkelje të ligjit, abuzim me buxhetin dhe partizim politik deri në palcë.

Revizorët konfirmuan: Zeqirija Hasipi, i vendosur në krye të Byrosë nga Ministria e Arsimit gjatë kohës kur ajo drejtohej nga kuadri i BDI-së, Jeton Shaqiri, ka qëndruar në atë post për më shumë se 5 vite. Pa shpallje publike, pa transparencë, pa turp.
Çfarë tregon raporti për vitin 2023?

Byroja është drejtuar nga dy persona pa mandat të rregullt – në kundërshtim të plotë me ligjin. Pagesat për bashkëpunëtorët e jashtëm janë bërë pa kritere të qarta dhe pa kontroll. Nuk ka pasur mjete për trajnimin e mësimdhënësve, por gjithmonë ka pasur para për punësime partiake. Nga shtatë rekomandimet e raportit të kaluar – janë realizuar vetëm dy.

Të tjerat? Janë lënë pas dore – ashtu siç është lënë pas dore nxënësi dhe e ardhmja e tij.
Kuadrot e BDI-së nuk ishin thjesht funksionarë të emëruar politikisht – ata u shndërruan në simbol të një shteti të kriminalizuar, të një sistemi arsimor të degraduar në shtab partie. Aty nuk numëroheshin programe mësimore, por vota. Nuk investohej në fëmijë, por në klientelizëm.

Shqiptarët i kujtojnë mirë përkthimet e turpshme të projektit “1000 libra” të Gruevskit dhe fëmijët shqiptarë të Velesit që për vite me radhë mbetën pa mësim në gjuhën amtare. Politika e BDI-së është e qartë, të përdorë shqiptarët si mburojë për krimet e saj.

Tani që janë në opozitë, kur opinioni publik çdo ditë më shumë njihet me mëkatet e tyre, BDI nuk tregon asnjë kapacitet demokratik për të përballuar përgjegjësinë. Përkundrazi, kërkon shpëtim përmes përpjekjeve për të shkaktuar krizë politike. Shantazhi i tyre do të jetë – do t’i bojkotojmë zgjedhjet lokale nëse nuk shpallen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. E gjithë kjo s’ka të bëjë fare me pretendimet e tyre të rreme për “rrezikimin e të drejtave të shqiptarëve”, por lidhet drejtpërdrejt me interesat e tyre të ngushta partiake.

Ata shpresojnë se një Qeveri e tipit “Przhino”, me Ministrinë e Brendshme në duart e opozitës, do t’u japë mundësi të zhdukin provat për aferat korruptive të ish-zyrtarëve të tyre.

The post 4 muaj pa rroga, bojkot në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Akuza BDI & VLEN! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .