6 muaj nga formimi i Qeverisë së RMV-së, partitë opozitare akuzojnë pushtetin për regres në eurointegrime dhe dështim në shëndetësi

BDI dhe LSDM kanë dërguar akuza ndaj qeverisë me rastin e 6 mujorit të formimit të saj. Sipas BDI-së kjo qeveri u formua me premtimin e madh të VLEN: “Nëse brenda gjashtë muajve nuk zhbllokohet rruga evropiane, do të rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në qeveri.” Gjashtë muaj më vonë, thonë nga kjo parti, integrimi evropian mbetet […]

dhjetor 23, 2024 - 20:00
 0  4
6 muaj nga formimi i Qeverisë së RMV-së, partitë opozitare akuzojnë pushtetin për regres në eurointegrime dhe dështim në shëndetësi
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

BDI dhe LSDM kanë dërguar akuza ndaj qeverisë me rastin e 6 mujorit të formimit të saj. Sipas BDI-së kjo qeveri u formua me premtimin e madh të VLEN: “Nëse brenda gjashtë muajve nuk zhbllokohet rruga evropiane, do të rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në qeveri.” Gjashtë muaj më vonë, thonë nga kjo parti, integrimi evropian mbetet i bllokuar, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të mashtrohen me iluzione dhe fjalë të kota. Nga ana tjetër, LSDM thotë se për 6 muaj vdiqën 20 foshnja në klinikë dhe kërkon dorëheqjen nga Taravari, transmeton Portalb.mk.

“Asnjë përparim konkret, asnjë veprim i guximshëm – vetëm heshtje dhe justifikime nga një koalicion që ka ndërtuar gjithë ekzistencën e tij politike mbi manipulime dhe mashtrime. Thanë se nuk do të bëjnë Qeveri pa ndryshime kushtetuese! Nënshkruan edhe Dokument për këtë gjë qysh para zgjedhjeve. Pastaj poashtu premtuan se pas zgjedhjeve në BE dhe Bullgari do ti bëjnë ndryshimet kushtetuese. Pastaj thanë për 3-4 muaj. E në fund thanë para Vitit të Ri, brenda 6 muajve! Vlen ka tradhtuar besimin e shqiptarëve! Ky premtim i rremë për integrimin evropian ishte thjesht një tjetër mashtrim për të ruajtur pushtetin, për të blerë kohë dhe për të fshehur dështimet e tyre katastrofale. Shqiptarët nuk do të tolerojnë më një politikë që shërben interesat personale dhe klanore në vend të interesave kombëtare dhe europiane”, thonë nga BDI. 

Edhe Aleanca për Shqiptarët sikurse BDI, thonë se VLEN e shkeli edhe premtimin e fundit, kaluan 6 muaj nuk ka bisedime me BE-në, duke kërkuar dorëheqje.

“U bënë 6 muaj nga formimi i Qeverisë dhe nga premtimi i dhënë nga të gjithë funksionarët e koalicionit VLEN se brenda kësaj periudhe do të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe vendi do t’i hap bisedimet me Bashkimin Europian. Dëgjuam edhe zotime të llojit se “ne jemi kozistent” dhe se do ta rishqyrtojmë qëndrimin në Qeveri nëse brenda 6 muajve nuk bëhen ndryshimet kushtetuese.

“Qytetarët janë dëshmitarë se eksponentët e VLEN deri më tani kanë shkelur shumë premtime dhe asnjë prej tyre nuk e kanë mbajtur. Por, kësaj radhe ju bëjmë thirje që ta bajnë një premtim të vetëm që edhe ata mos të kenë më raste të reja ku do të detyrohen të shkelin premtime. I ftojmë që të binden se si pasojë e mungesës së legjitimitetit, ata nuk kanë as peshë politike në atë Qeveri dhe as si pyet kush për asgjë”, thonë nga ASH.

Ndaj BDI-së ka reaguar VLEN, ata thonë BDI e cila bllokoi rrugën e Maqedonisë së Veriut për në BE vite me radhë kërkon llogari se pse VLEN-i nuk e zhbllokon rrugën evropiane për gjashtë muaj.  

“Partia non grata BDI e cila heshti për vite me radhë për reformat në drejtësi dhe kur BE-ja e ndau Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën drejtë BE-së, sot kërkon që këto punë të rregullohen brenda natës me shkop magjik. Ne u themi se po, Maqedonia e Veriut do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian por asnjëherë me një parti antiamerikane si BDI në Qeveri. Koalicioni VLEN është i angazhuar fuqishëm në implementimin e detyrimeve nga BE-ja dhe presim momentin final të krijimit të Qeverisë politike në Bullgari për ta mbyllur kontestimin me Bullgarinë dhe për të hapur përfundimisht kapitullin e bisedimeve me BE-në”, thanë nga VLEN. 

Nga ana tjetër nga LSDM thonë se të dhënat tragjike për vdekjen e fëmijëve në gjashtë muajt e fundit tronditën opinionin, ndërsa sipas tyre Mickoskit dhe DPMNE-së nuk i intereson. Ata shtojnë se në gjysmën e dytë të vitit 2024 kanë humbur jetën 19 foshnja dhe një vajzë pesëvjeçare.

“Këto shifra janë të frikshme dhe ngrenë pyetje që kërkojnë përgjigje urgjente: ku po dështon sistemi, si bëhen gabimet dhe a ka mbulim të gabimeve mjekësore? Është alarmant rasti i fundit me vdekjen e foshnjës shtatë muajshe në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve. Foshnjës iu refuzua shtrimi në spital pa asnjë shpjegim – rasti i dytë i tillë tragjik në vetëm dy muaj e gjysmë. Këto tragjedi nuk duhet të injorohen! Ministër Taravari, drejtori Memedi, është koha që ju të merrni përgjegjësi. LSDM insiston në hetim të plotë, transparencë të plotë dhe masa të menjëhershme për të parandaluar tragjedi të tilla. Në kohën e LSDM-së, përmes masave dhe investimeve specifike u zvogëlua dukshëm vdekshmëria foshnjore. Vdekshmëria neonatale u reduktua pesëfish dhe vdekshmëria perinatale u dyfishua. Janë bërë investime në pajisje moderne dhe staf profesional.Tani, me qeverisjen aktuale të VMRO-DPMNE-së, sistemi shëndetësor po kthehet në gjendjen e qeverisjes së mëparshme. Jeta e fëmijëve dhe shëndeti i qytetarëve nuk duhet të jetë dëm kolateral i paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie. I bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe të gjitha institucioneve kompetente që të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe ministri Taravari të japë dorëheqje”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Kujtojmë se Qeveria e re u votua më 23 qershor në Kuvend me 77 vota “për” dhe 22 vota “kundër”, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski. Koalicioni qeveritar përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni “VLEN” dhe ZNAM.

Hristijan Mickoski e mori mandatin për të formuar qeverinë e re pasi partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti dhe fitoi 58 ulëse në Kuvend.