71 denarë për 1 metër katrorë tokë shtetërore në RMV, transparencë e pamjaftueshme dhe çmime të ulëta gjatë shitjes së tokës shtetërore ndërtimore

Komunat në Maqedoninë e Veriut nuk i informojnë qytetarët për shitjet tokave ndërtimore shtetërore, transmeton Portalb.mk. Ky është një nga përfundimi kryesor i hulumtimit më të ri nga Qendra për Komunikime Civile “Transparencë e pamjaftueshme dhe çmime të ulëta gjatë shitjes së tokës ndërtimore shtetërore”. Hulumtimi tregoi se komunat i publikojnë vendimet për tjetërsimin e […]

tetor 8, 2024 - 16:00
 0  9
71 denarë për 1 metër katrorë tokë shtetërore në RMV, transparencë e pamjaftueshme dhe çmime të ulëta gjatë shitjes së tokës shtetërore ndërtimore
Ekskavator. Foto: Valentynsemenov në Canva

Komunat në Maqedoninë e Veriut nuk i informojnë qytetarët për shitjet tokave ndërtimore shtetërore, transmeton Portalb.mk. Ky është një nga përfundimi kryesor i hulumtimit më të ri nga Qendra për Komunikime Civile “Transparencë e pamjaftueshme dhe çmime të ulëta gjatë shitjes së tokës ndërtimore shtetërore”.

Hulumtimi tregoi se komunat i publikojnë vendimet për tjetërsimin e tokës ndërtimore shtetërore vetëm në Gazetën Zyrtare të RMV-së. Mirëpo, asnjë nga komunat e monitoruara nuk ndërmerr aktivitete të tjera për informimin e qytetarëve, përkatësisht vendimet e marra për shitjen e tokës dhe kontratat e lidhura me blerësit nuk i publikojnë as në ueb-faqet e tyre.

“Mostransparenca shkon deri aty saqë disa nga komunat nuk i kanë dorëzuar kontratat e lidhura edhe përmes kërkesës për qasje në informata publike. Në këtë mënyrë parandalohet ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe rritet rreziku i abuzimeve”, thuhet në hulumtim.

Më tej thuhet se çmimi për 1 metër katrorë tokë shtetërore në pesë vitet e fundit varionte nga 71 deri në 18.400 denarë (nga 1,2 deri në 299 euro), transmeton Portalb.mk.

Mesatarisht, në procedurat e shitjes së tokës ndërtimore shtetërore kanë marrë pjesë 4 blerës potencialë.

Hulumtimi u rekomandon komunave që të publikojnë në faqet e tyre të internetit vendimet për tjetërsimin e tokës ndërtimore në pronësi të shtetit, si dhe marrëveshjet e lidhura me blerësit e tokës shtetërore.