LSDM pret përgjigje për eurointegrimet, Mickoski: Kur të kemi detaje do t’i njoftoj
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) ende pret përgjigje nga Qeveria lidhur me propozimin e tyre për thirrjen e seancës parlamentare për integrimin evropian të vendit. Kryeministri i vendit theksoi se kur të ketë detaje të reja do ta njoftojë opozitën, raporton Portalb.mk. Opozitarja LSDM thekson se kryeministri Mickoski dhe Qeveria kanë obligim […]
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM) ende pret përgjigje nga Qeveria lidhur me propozimin e tyre për thirrjen e seancës parlamentare për integrimin evropian të vendit. Kryeministri i vendit theksoi se kur të ketë detaje të reja do ta njoftojë opozitën, raporton Portalb.mk.
Opozitarja LSDM thekson se kryeministri Mickoski dhe Qeveria kanë obligim para deputetëve dhe qytetarëve që të prezantojnë planin për vazhdimin e integrimeve evropiane të vendit dhe përmirësimin e pozitave në kornizën negociuese me afate të caktuara, siç u ishte premtuar qytetarëve para zgjedhjeve.
“Përkundër premtimeve të bëra për kushte më të mira në negociata, deri më tani nuk janë bërë hapa të dukshëm nga Qeveria, nuk ka asnjë iniciativë dhe as afate se kur mund të ndodhë kjo. Përkundrazi, procesi është plotësisht i bllokuar nga Qeveria”, thanë nga LSDM.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit Hristijan Mickoski theksoi se kur të ketë detaje të reja me Bullgarinë do ta njoftojë opozitën dhe se nuk do ta përsërisë gabimin e tyre që nuk i informonin.
“Nuk po e përsërisim të njëjtin gabim dhe nuk do ta përsërisim. Kur ka diçka për të cilën duhet të informohet opozita, atëherë më besoni do ta informojmë menjëherë. Domethënë të ketë progres që ta ndajmë me opozitën. Tani për tani nuk ka lëvizje”, tha Mickoski.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese.
Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.
Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.
Në ndërkohë, më 25 shtator 2024 ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Me këtë Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt BE-së kurse RMV-ja mbetet në vend.