8 Marsi e gjen Maqedoninë e Veriut pa strategji kombëtare për parandalimin e dhunës ndaj grave

8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas e gjen Maqedoninë e Veriut ende pa Strategji Kombëtare për parandalimin e dhunës ndaj grave. Edhe pse kanë kaluar mbi katër muaj që kur zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski njoftoi se kanë filluar përgatitjet për strategjinë e luftës kundër dhunës me bazë gjinore, nga […]

Mars 8, 2025 - 12:00
 0  5
8 Marsi e gjen Maqedoninë e Veriut pa strategji kombëtare për parandalimin e dhunës ndaj grave
Dhuna ndaj grave, dhunë Foto: Milena Đorđević/novinarkeprotivnasilja.org

8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas e gjen Maqedoninë e Veriut ende pa Strategji Kombëtare për parandalimin e dhunës ndaj grave. Edhe pse kanë kaluar mbi katër muaj që kur zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski njoftoi se kanë filluar përgatitjet për strategjinë e luftës kundër dhunës me bazë gjinore, nga ministria edhe sot thonë se procesi vazhdon, pritet të përfundojë deri në fund të vitit, shkruan Portalb.mk.

“Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ka filluar procesin e përgatitjes së Strategjisë Kombëtare tetëvjeçare për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje 2026 – 2033 dhe planet e veprimit. Është miratuar metodologjia e punës, janë përcaktuar fushat prioritare dhe deri në fund të vitit është planifikuar të miratohet nga Kuvendi i RMV-së”, thanë për Portalb.mk nga Ministria e Politikës Sociale.

Portalb-i kërkoi sqarime shtesë dhe përgjigje më konkrete në lidhje me përgatitjen e Strategjisë Kombëtare, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Kujtojmë që më 31 tetor 2024 zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Gjoko Velkovski njoftoi se ka filluar procesi i përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

“Maqedonia e Veriut e njeh përgjegjësinë e madhe që kemi për përmbushjen e detyrimeve tona sipas kornizave ndërkombëtare, veçanërisht Konventës së Stambollit, e cila na shtyn të krijojmë mjedise të sigurta për viktimat. Jemi të përkushtuar për arritjen e qëllimeve të përcaktuara nga procesi i Berlinit dhe në kuadër të negociatave për anëtarësim me BE-në, veçanërisht në kapitujt 19 dhe 23, për të arritur përparim të dukshëm në parandalimin e dhunës dhe forcimin e barazisë gjinore”, pati deklaruar Velkovski.

Ai mes të tjerash theksoi se “parandalimi i dhunës me bazë gjinore dhe përfshirja e burrave në parandalimin e dhunës me bazë gjinore, ndërtimi i kulturës së tolerancës dhe respektit të ndërsjellë që në moshë të re është jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

Derisa është duke u përgatitur Strategji Kombëtare për luftën kundër dhunës me bazë gjinore, fatkeqësisht viti 2025 filloi me disa raste të dhunës ndaj grave dhe vrasje të grave.

Përndryshe, sot në Shkup për shkak të 8 Marsit do të mbahet protestë dhe bojkot.