Taravari hodhi akuza për keqpërdorime në Spitalin e Tetovës, asnjëherë nuk dha emër ndërsa tani nuk dëshiron të diskutojë  

Tetë muaj pas akuzave për keqpërdorime nga një ish-drejtor në spitalin e Tetovës, Ministria e Shëndetësisë në krye me Arben Taravarin heshtin për këto akuza, nuk tregojnë se a u vërtetuan të njëjtat dhe për cilin drejtor bëhej fjalë. Ndërsa Taravarit nuk i pëlqen të diskutojë për këtë temë. Në Prokurori dhe Polici nuk ka […]

Prill 13, 2025 - 08:00
 0  6
Taravari hodhi akuza për keqpërdorime në Spitalin e Tetovës, asnjëherë nuk dha emër ndërsa tani nuk dëshiron të diskutojë  
Arben Taravari dhe Agim Berisha. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Tetë muaj pas akuzave për keqpërdorime nga një ish-drejtor në spitalin e Tetovës, Ministria e Shëndetësisë në krye me Arben Taravarin heshtin për këto akuza, nuk tregojnë se a u vërtetuan të njëjtat dhe për cilin drejtor bëhej fjalë. Ndërsa Taravarit nuk i pëlqen të diskutojë për këtë temë. Në Prokurori dhe Polici nuk ka të regjistruar rast, shkruan Portalb.mk. 

Ishte 15 gushti i vitit 2024 kur ministri i Shëndetësisë Arben Taravari gjatë një deklarate për media tha se kanë dyshime për keqpërdorime nga ish-drejtori i Spitalit të Tetovës. 

“Në Tetovë kemi indice nuk e di si do të del në fund, s’dua të paragjykoj, kemi indicie se ka pasur keqpërdorime prej ish drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, por na lejoni hapësirë që të dalim me dëshmi nëse kjo është e vërtetë, nëse kjo është e vërtetë, në qoftë se nuk është e vërtetë atëherë mbeten vetëm indice”, tha aso kohe Taravari. 

Taravari atëherë nuk dha emër se për cilin drejtor bëhet fjalë, edhe pse u pyet nga Portalb.mk.  

Mirëpo, këto dyshime nuk u faktuan deri tani për opinionin, ndërsa Taravari as ende nuk jep emër se ndaj kujt dhe për çfarë konkretisht bëhet fjalë. 

“I kemi dërguar komplet materialet ku duhet kështu që s’dua të diskutoj”, tha Taravari më 4 prill 2025 kur u pyet nga Portalb.mk.  

Nga Prokuroria Publike njoftuan për Portalb.mk se në Prokurorinë e Tetovës nuk ka të regjistruar ndonjë rast të tillë. 

Edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme na njoftuan se nuk kanë të evidentuar rast të tillë. 

Tetë muaj më vonë, as nga Ministria e Shëndetësisë nuk japin detaje. 

“Kur të kemi diçka konkrete ju informojmë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë. 

Pavarësisht insistimit si përmes emailit, mesatheve dhe thirrjeve telefonike, nga ky institucion nuk japin detaje. 

Marrë parasysh se në Spitalin e Tetovës drejtorët viteve të fundit janë ndryshuar shumë shpesh, ngelet e paqartë se për cilin drejtor e kishte Taravari.  

Kujtojmë se një ditë pas akuzave të Taravarit, u deklarua ish-drejtori i Spitalit të Tetovës Ilir Demiri. Ai pati thënë se nuk është mirë të akuzohet dikush pa fakte dhe pa bazë. Megjithatë, Taravari nuk e ka precizuar nëse e kishte ose jo për Demirin.