Abdixhiku citon Rugovën për përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut: Ditë e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka ndarë mesazhin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, me rastin e përvjetorit të 34-të të Kushtetutës së Kaçanikut. Abdixhiku ka rikujtuar deklaratën e presidentit Rugova, i cili kishte thënë se 7 shtatori ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e vënies […]
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka ndarë mesazhin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, me rastin e përvjetorit të 34-të të Kushtetutës së Kaçanikut.
Abdixhiku ka rikujtuar deklaratën e presidentit Rugova, i cili kishte thënë se 7 shtatori ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës që erdhi pas Deklaratës së Pavarësisë së 2 korrikut të vitit 1990.
Postimi i plotë:
Mesazhi i kryetarit Lumir Abdixhiku, në përvjetorin e 34 të Kushtetutës së Kaçanikut:
“Datat si kjo, e 7 shtatorit të vitit 1990, na kujtojnë me krenari vendosmërinë dhe guximin e deputetëve të asaj kohe për aktin historik dhe gurthemelin në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovë- shpalljen e Kushtetuës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.
Edhe pse në rrethana të veshtira të okupimit nga Serbia, elita politike dhe intelektuale e asaj kohe e grumbulluar rreth lëvizjes më demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës, organizuan dhe themeluan institucionet e para demokratike të një shteti që po formohej.
Kushtetuta e Kaçanikut, nuk ishte thjesht një dokument juridik; ishte një akt i fuqishëm rezistence ndaj pushtimit dhe padrejtësive që përjetonte populli i Kosovës. Ajo përfaqësonte vullnetin e palëkundur të një kombi të tërë, për të jetuar në liri dhe për të ndërtuar një shtet të drejtë, të pavarur dhe demokratik.
Sot, rikujtojmë edhe deklaratën e Presidentit Ibrahim Rugova se “dita e 7 shtatorit të vitit 1990, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e vënies së themeleve të shtetit të Kosovës, që erdhi pas Deklaratës së Pavarësisë të 2 Korrikut të të njëjtit vit.
Në këtë përvjetor, çmojmë dhe vlerësojmë lart kontributin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në një kohë shumë të rëndë e në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, më 7 shtator 1990. Po ashtu përulemi para grave e burrave, që punuan ditë e natë për jetësimin e ëndrrës shekullore për liri e pavarësi.”