Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e RMV-së shqiptoi 23 gjoba për parregullësi në disa dyqane ushqimore
Njëqind e nëntëdhjetë e dy (192) inspektime të jashtëzakonshme në objekte të shitjes me pakicë – minimarkete dhe dyqane ushqimore, janë kryer javën e kaluar nga shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), transmeton Portalb.mk. U kontrollua plotësimi i kërkesave higjienike për sigurinë ushqimore, kërkesat shëndetësore për punonjësit, regjimi i temperaturës së ruajtjes […]


Njëqind e nëntëdhjetë e dy (192) inspektime të jashtëzakonshme në objekte të shitjes me pakicë – minimarkete dhe dyqane ushqimore, janë kryer javën e kaluar nga shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), transmeton Portalb.mk.
U kontrollua plotësimi i kërkesave higjienike për sigurinë ushqimore, kërkesat shëndetësore për punonjësit, regjimi i temperaturës së ruajtjes së ushqimit, si dhe afati i përcaktuar i ruajtjes së produkteve.
Me kontrollet u konstatua se 12 prej tyre nuk ishin fare të regjistruar në Agjenci si operator ushqimor, në 9 objekte punonjësit nuk kryenin kontrolle të detyrueshme shëndetësore, po aq operatorë nuk plotësonin kërkesat higjienike për siguri ushqimore.
Për mangësitë e konstatuara janë dhënë gjithsej 30 vendime me masa të urdhëruara për heqjen e tyre, si dhe janë shqiptuar 23 gjoba.
Janë asgjësuar 30 kilogramë produkte të pasigurta (mish i ngrirë, bulmet, mish i përpunuar) dhe mbi 66 litra kos.
Kujtojmë se në kontrollet e jashtëzakonshme të javës së fundit të nëntorit në 36 kuzhina shkollore në shkollat fillore dhe speciale në territorin e Qytetit të Shkupit, shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë gjetur një kuzhinë që nuk është e regjistruar në AUV. Për konstatimin e mospërputhjes është shqiptuar sanksion kundërvajtës dhe është urdhëruar regjistrimi i menjëhershëm.