Agron Reçi jep dorëheqje nga funksioni Avokat i Shtetit
Avokati i shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agron Reçi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme për shkaqe personale. Ai kërkoi që Qeveria të pranojë dorëheqjen e tij në seancën e ardhshme qeveritare dhe konform Ligjit për Avokatinë e shtetit, jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi i detyrës, të emërohet Avokat i shtetit […]
Avokati i shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agron Reçi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme për shkaqe personale. Ai kërkoi që Qeveria të pranojë dorëheqjen e tij në seancën e ardhshme qeveritare dhe konform Ligjit për Avokatinë e shtetit, jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi i detyrës, të emërohet Avokat i shtetit me seli në rajonin e Ohrit, nga ku u emërua para se të marrë postin.
Reçi, me vendim të Qeverisë, nga data 18.04.2023 është emëruar Avokat i Shtetit. Më parë ai ka mbajtur detyrën e avokatit të shtetit për rajonin e Ohrit, ku është emëruar me vendim të Qeverisë nga nëntori i vitit 2020.
“Këtë dorëheqje e parashtroj për arsye personale, prej të cilave ndikimi më dominues në vendimin tim e ka pasur fakti se jam person familjar, me një familje të krijuar që nuk banon në qytetin ku kam pasur detyrën. Jeta larg familjes sugjeron këtë akt formal të dorëheqjes nga ana ime. Me ndërgjegje plotësisht të pastër dhe mendje të shëndoshë, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Avokatit të shtetit në RMV-së, për arsye personale, pa u detyruar nga askush”, thuhet në dorëheqjen e Reçit.
Nga dita e emërimit tim, deri në këtë moment, Reçi thekson se i ka përballuar me dinjitet të gjitha sfidat që kanë dalë në drejtim të mbrojtjes ligjore të të drejtave pronësore dhe interesave të shtetit, duke marrë rregullisht masat dhe mjetet e duhura ligjore, duke kryer kompetencat e tij.
“Avokatura e Shtetit, duke përfshirë edhe mua si kryesues, i ka kryer me ndershmëri dhe virtyt kompetencat dhe detyrimet ligjore në drejtim të përfaqësimit të organeve shtetërore dhe publike në RMV, pa gjetur në asnjë situatë alternativa dhe mekanizma për shmangien e përgjegjësive”, thuhet në letrën e dorëheqjes drejtuar Qeverisë.