Ahmeti ka disa pyetje për Mickoskin!
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmbylli dje mbrëma në Haraçinë fushatën e takimeve mobilizuese të partisë me një fjalim të fuqishëm e të mbushur me mesazhe të The post Ahmeti ka disa pyetje për Mickoskin! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmbylli dje mbrëma në Haraçinë fushatën e takimeve mobilizuese të partisë me një fjalim të fuqishëm e të mbushur me mesazhe të qarta për barazi, partneritet dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit multietnik, transmeton Flaka
Në një sallë të tejmbushur nga qytetarë të të gjitha moshave, familje dëshmorësh, invalidë lufte, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe strukturat e BDI-së, Ahmeti hodhi kritika të forta ndaj atyre që, sipas tij, synojnë “të kthejnë vendin prapa”.
“Ne nuk e marrim shtetin – ne e drejtojmë atë që na takon! Shqiptarët janë mbi 30%, jetojnë në kontinuitet në trojet e veta dhe janë pjesë e pandashme e shtetformësisë!” – deklaroi Ahmeti, duke hedhur poshtë diskursin e frikës se shqiptarët po “e marrin shtetin”.
Në qendër të fjalimit ishte edhe një ftesë e drejtpërdrejtë për kryeministrin Kristian Mickoski, nga i cili Ahmeti kërkoi sqarime për disa çështje kyçe që, sipas tij, rrezikojnë themelet e bashkëjetesës:
“Pse po e ndryshon Ligjin e Gjuhës?
Pse po e ndryshon Marrëveshjen e Ohrit?
Pse po rrezikon paqen, stabilitetin dhe sigurinë e shtetit?”
Ahmeti paralajmëroi rikthimin e ideologjive të rrezikshme, duke përmendur shembullin e regjimit të Millosheviçit:
“A e dini kush përdorte filozofinë e ‘shqiptarëve të ndershëm’? Millosheviçi! Dhe kushdo që sot promovon këtë ide, po e ringjall një logjikë që shqiptarët e kanë mundur me gjak e sakrificë.”
Duke kujtuar sakrificat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ai theksoi se epoka e së shtypurit përfundoi:
“Na kanë mbajtur të shtypur, të frikësuar e të dëbuar – por kjo përfundoi me UÇK-në. Sot, shqiptarët kanë tre universitete dhe mijëra kuadro profesionale. Asnjë forcë nuk mund ta ndalë këtë realitet!”
Ahmeti vuri në dukje rëndësinë e mbrojtjes së multietnicitetit dhe theksoi:
“Ky shtet nuk mund të drejtohet më nga një palë e vetme. Nuk është në interesin e askujt që të rrezikohet bashkëjetesa. Kush i shërben të keqes, nuk mund të ketë partneritet me ne!”
Në përmbyllje, lideri i BDI-së apeloi për paqe, integrim evropian dhe bashkëpunim rajonal, duke kundërshtuar konceptet e “shteteve të mëdha” me një vizion të përbashkët:
“Ne nuk kërkojmë Shqipëri të Madhe, Serbi të Madhe, as Bullgari të Madhe – por Evropë të Madhe, pa kufij, si Gjermania me Francën. Ballkani Perëndimor i bashkuar në Bruksel, në paqe dhe pajtim përfundimtar!”
Fjalimi përfundoi me një porosi universaliste:
“Rrofshi e qofshi ju, dhe qofshin të gjithë popujt liridashës.” Flaka Media
The post Ahmeti ka disa pyetje për Mickoskin! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .