3 Maji, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit – pa media të lira, nuk ka shoqëri të lirë
Vetëm mediat profesionale dhe të pavarura mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror dhe demokratik në epokën e ndryshimeve të shpejta teknologjike, thotë Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, transmeton Portalb.mk. Ata shtojnë se liria nënkupton të drejtën e gazetarëve për të […]


Vetëm mediat profesionale dhe të pavarura mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror dhe demokratik në epokën e ndryshimeve të shpejta teknologjike, thotë Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, transmeton Portalb.mk.
Ata shtojnë se liria nënkupton të drejtën e gazetarëve për të hetuar pa presion, por me zhvillimin e inteligjencës artificiale, kjo liri merr një kuptim të ri dhe përballet me sfida të reja.
“Inteligjenca artificiale hap mundësi të reja për avancimin e gazetarisë investigative, automatizimin e krijimit të përmbajtjes dhe përshpejtimin e verifikimit të fakteve, por ajo gjithashtu mbart rreziqe të konsiderueshme në aspektin e gjenerimit të dezinformimit, lajmeve të rreme dhe videove manipuluese. Inteligjenca artificiale është një burim i vlefshëm në praktikën gazetareske, por nuk duhet të jetë një zëvendësim i plotë për verifikimin e plotë, të menduarit kritik dhe objektivitetin”, thotë ASHMAA.
Sipas Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, nevojiten reforma urgjente dhe të koordinuara për të forcuar sektorin mediatik dhe për të përmirësuar pozicionin e gazetarëve. Ata shtojnë se legjislacioni kombëtar ende nuk është në përputhje me standardet evropiane, dhe abuzimi me të ashtuquajturat padi SLAPP (padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike) mbetet një mekanizëm për të ushtruar presion mbi mediat dhe gazetarët kritikë.
“Politikanët, veçanërisht ata në pozita pushteti, duhet të marrin përgjegjësi dhe të kontribuojnë në krijimin e një kulture respekti, transparence dhe komunikimi konstruktiv me median. Përmes njohjes publike të rolit të gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe përmbajtur nga gjuha fyese, mjedisi i përgjithshëm mediatik mund të përmirësohet ndjeshëm dhe besimi publik të forcohet”, thotë Biljana Nasteska Kalanoska.
Në raportin e fundit të organizatës “Reporterë pa Kufij”, Maqedonia ka rënë gjashtë pozicione në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024 dhe renditet në vendin e 42-të. SHGM e konsideron raportin një portretizim realist dhe të ekuilibruar të situatës, i cili tregon qartë sfidat ekzistuese dhe nevojën për reforma thelbësore.