Ahmeti takoi ambasadoren norvegjeze, bisedoi për nevojën e legjitimitetin ndëretnik në frymën e Marrëveshjes së Ohrit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka takuar ambasadoren e Norvegjisë në Maqedoninë e Veriut, Kristin Melsom. Bashkëbiseduesit këmbyen opinione mbi zhvillimet politike në vend e rajon, zgjedhjet e 8 majit si dhe zhvillimet pas zgjedhore në Maqedoninë e veriut, integrimin evropian, legjitimitetin etnik zgjedhor, transmeton Portalb.mk. “Kryetari Ahmeti njoftoi Ambasadoren Melsom për […]
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka takuar ambasadoren e Norvegjisë në Maqedoninë e Veriut, Kristin Melsom. Bashkëbiseduesit këmbyen opinione mbi zhvillimet politike në vend e rajon, zgjedhjet e 8 majit si dhe zhvillimet pas zgjedhore në Maqedoninë e veriut, integrimin evropian, legjitimitetin etnik zgjedhor, transmeton Portalb.mk.
“Kryetari Ahmeti njoftoi Ambasadoren Melsom për qëndrimin e palëkundur të Bashkimit Demokratik për Integrim mbi ndryshimet kushtetuese dhe integrimin Evropian nëpërmjet të respektimit të Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, atë të Prespës dhe të Ohrit”, njoftoi BDI.
Ahmeti e theksoi rëndësinë e legjitimitetit ndëretnik të institucioneve të vendit si rezultat i procesit zgjedhor dhe në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
“Rrethanat në Maqedoninë e veriut janë shumë specifike dhe rregullohen me marrëveshje paqësore, prandaj dhe çdo mosrespektim, sjell pasoja mbi stabilitetin dhe legjitimitetin e institucioneve. Ahmeti njoftoi Ambasadoren norvegjeze për angazhimin e ekspertit të së drejtës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare z. Paul Williams, i cili njihet edhe si autor i Marrëveshjes së Ohrit, për të draftuar një platformë mbi legjitimitetin ndëretnik të institucioneve qëndrore e lokale bazuar mbi rezultatet zgjedhore dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit”, thonë nga BDI.
Ndryshe, thonë nga BDI, “humbet arsyeja e pjesëmarrjes në procese zgjedhore të komuniteteve në vendin tonë nëse përfaqësuesit e tyre përcaktohen me diktat nga komuniteti më i madh, si në kohërat e njëmendësisë”.
Kujtojmë se më 13 korrik, Ali Ahmeti në një takim ndërpartiak njoftoi se kishte kontaktuar me Williamsin dhe kishte shprehur vërejtjet e tij pas zgjedhjeve të 8 majit se, siç tha ai, nuk respektohej rregulli fitues me fitues, për çka u angazhua eksperti i së drejtës ndërkombëtare të përgatisë një propozim platformë për legjitimitetin ndëretnik të institucioneve në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit.
Mirëpo, Ahmeti mbeti i vetëm me këtë ide sepse nuk ka marrë përkrahje nga partneri i mëparshëm i koalicionit LSDM dhe as Vlen nuk beson se Ahmeti është kompetent të flasë për parimin fitues me fitues.
Paul Williams, i cili u angazhua nga integristët për këtë platformë, është bashkëthemelues i Grupit Ndërkombëtar për Ligjin dhe Politikën (GNLP), një shoqëri që ofron ndihmë juridike për shtetet dhe qeveritë në negociatat e paqes, kushtetutat pas konfliktit.
Konsiderohet si një mbështetës i palëve në përpjekjet për të arritur negociatat ndërkombëtare të paqes dhe ekipi i tij ka këshilluar shumë vende për hartimin dhe zbatimin e kushtetutave pas konfliktit. Ai ishte gjithashtu këshilltar ligjor për çështjet evropiane dhe kanadeze në Zyrën e Këshilltarit Ligjor të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhoqi koalicionin parazgjedhor “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Ata arritën të marrin 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.
Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM.