Aktakuza për 16 doganierët dhe policët në RMV që merrnin ryshfet, për dy persona është ndërprerë procedura
Pas procedurës hetimore të zhvilluar në rastin me emrin e koduar ‘Vendkalimi’, prokurori publik kompetent nga Departamenti i specializuar për ndjekjen e veprave të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, sot në Gjykatën Penale Themelore Shkup ka dorëzuar aktakuzë kundër 14 personave dhe propozim aktakuzë kundër dy personave, transmeton […]
Pas procedurës hetimore të zhvilluar në rastin me emrin e koduar ‘Vendkalimi’, prokurori publik kompetent nga Departamenti i specializuar për ndjekjen e veprave të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, sot në Gjykatën Penale Themelore Shkup ka dorëzuar aktakuzë kundër 14 personave dhe propozim aktakuzë kundër dy personave, transmeton Portalb.mk.
Sipas pretendimeve të aktakuzës, 13 doganierë, njëri prej të cilëve është pensionist dhe polic, akuzohen se si bashkëkryerës kanë kryer veprën e zgjatur penale të marrjes së ryshfetit, e dënueshme nga neni 357 i Kodit Penal. Nëntë nga të pandehurit kanë kryer edhe veprën e zgjatur penale të Keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 i Kodit Penal. Një person, përveç dy krimeve të lartpërmendura, akuzohet edhe për veprën e prodhimit, mbajtjes, ndërmjetësimit dhe tregtisë së paautorizuar të armëve dhe lëndëve plasëse.
Dy doganierët ndaj të cilëve është ngritur aktakuza akuzohen se kanë kryer vepër penale si bashkëkryerës të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 i Kodit Penal.
“Për të gjithë të akuzuarit për veprën e marrjes së ryshfetit, prokuroria vlerëson se janë plotësuar kushtet e nenit 38-b të K.Penal dhe i propozon gjykatës caktimin e dënimit ndaj tyre – Ndalim të ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, e cila do t’u ndalojë personave të kryejnë detyrën e zyrtarit në organin e administratës shtetërore, përkatësisht ministrinë, organin tjetër të administratës shtetërore si organ i pavarur i administratës shtetërore ose organe në kuadër të ministrive ose organizatës administrative si dhe në organe të tjera shtetërore. Prokurori në fjalë ka paraqitur në gjykatë edhe propozimin për konfiskimin e dobisë pasurore të përfituar nga vepra penale dhe të gjetura gjatë bastisjes edhe atë: 51.885 euro, 663.210,00 denarë, 4.860 franga zvicerane, 530 dollarë amerikanë, 20 paund britanik, 200 hryvnia ukrainase, 102 leva bullgare dhe 100 lira turke, si dhe 36 paketa cigare”, thonë nga Prokuroria.
Njëkohësisht, për mbarëvajtjen e procedurës, së bashku me aktakuzën është paraqitur propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë personave për shkak të rrethanave të pandryshuara në bazë të të cilave paraprakisht ishte caktuar masa.
Procedura hetimore është hapur në tetor të vitit të kaluar kur një aksion policor është kryer me emrin e koduar “Vendkalimi” për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit në njësitë doganore Novosellë dhe Dojran, në periudhën kohore prej datës 21.03.2023 deri më 15.10. 2024, kanë kryer me paramendim më shumë veprime që paraqesin realizim të shumëfishtë të të njëjtit akt. Duke përfituar nga të njëjtat marrëdhënie të përhershme, të njëjtat raste dhe rrethana të ngjashme, gjatë kontrollit doganor të mallrave të importuara në vend nëpërmjet pikave kufitare, ata drejtpërdrejt kanë kërkuar dhe kanë marrë para për vete nga transportuesit e mallit në shumën 20, 50, 70, 100 dhe 150 euro, për të mos kryer një veprim zyrtar që duhej të kryenin. Me mos llogaritjen dhe vjeljen e detyrimeve të importit, në pajtim me Ligjin për Drejtorinë doganore, Aktvendimin për zbatimin e Ligjit doganor dhe Ligjin për tarifën doganore, mallrat e importuara i kanë lëshuar në qarkullim të lirë, me qëllim të sigurimit të përfitim pasuror për veten dhe transportuesit dhe në dëm të fondeve të Buxhetit të RMV-së në shumën e detyrimeve doganore të importit të papaguara. Në të njëjtën kohë, ryshfetin e marrë e kanë ndarë mes tyre.