Akuzat e mëdha të Toshkovskit përfunduan pa aktakuzë, dështoi kallëzimi për lejet e paligjshme për armë

Rasti për dhënien e pretenduar selektive dhe të kundërligjshme të lejeve për posedim të armëve, për të cilin ministri i Punëve të Brendshme , Pançe Toshkovski, fliste zëshëm në paraqitjet e tij televizive sapo e mori këtë post, mori epilog ...

gusht 7, 2026 - 11:00
Akuzat e mëdha të Toshkovskit përfunduan pa aktakuzë, dështoi kallëzimi për lejet e paligjshme për armë

Rasti për dhënien e pretenduar selektive dhe të kundërligjshme të lejeve për posedim të armëve, për të cilin ministri i Punëve të Brendshme , Pançe Toshkovski, fliste zëshëm në paraqitjet e tij televizive sapo e mori këtë post, mori epilog juridik, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.

Edhe pse 15 zyrtarë policorë u pushuan nga puna, ndërsa ministri fliste për keqpërdorime të mëdha, gjegjësisht se u janë dhënë leje për posedim të armëve personave që nuk kanë pasur të drejtë ligjore për këtë gjë, Prokuroria e hodhi poshtë kallëzimin penal të ngritur pikërisht nga MPB-ja.

“Prokurori publik nga Njësia e Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve pranë Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit veproi pas kallëzimit penal të parashtruar dhe i siguroi të gjitha provat e nevojshme, me ç’rast solli aktvendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal. Duke e pasur parasysh gjendjen faktike të vërtetuar, provat e grumbulluara dhe kornizën ligjore në fuqi, prokurori publik vlerësoi se veprimet e të denoncuarve nuk përmbajnë elemente të veprës penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare dhe nuk ekzistojnë baza ligjore për inicimin e procedurës penale, prandaj është sjellë aktvendimi për hedhjen poshtë të kallëzimit penal”, thonë nga Prokuroria.

Sipas informacioneve, ministria nuk ka të drejtë ankese, ndërsa policët mund të ngrenë padi dhe të kërkojnë të kthehen në punë.

Ministria nuk e komentuan vendimin e Prokurorisë për hedhjen poshtë të kallëzimit, por thanë se nuk do heqin dorë nga ndjekja disiplinore e zyrtarëve policorë.

“Njësia për procedura disiplinore dhe gjyqësore pranë MPB-së në procedurë transparente për përcaktimin e përgjegjësisë për shkeljen e rendit dhe disiplinës së punës për 15 punonjës të Ministrisë solli Aktvendime për shkëputjen e kontratës së punësimit për shkak të shkeljeve të kryera të rendit dhe disiplinës në punë, kundër të cilëve janë ngritur procedura gjyqësore për vlerësimin e ligjshmërisë së tyre dhe ato ende janë në vijim e sipër para gjykatave kompetente. Procedura penale është e pavarur nga procedura disiplinore, gjegjësisht procedura disiplinore zhvillohet për shkak të shkeljeve të bëra të rendit dhe disiplinës në punë dhe është e pavarur nga vepra penale e kryer”, thonë nga MPB-ja.

Çfarë përmbante kallëzimi penal?
Kallëzimin penal MPB-ja e parashtroi në nëntor të vitit 2024 kundër 25 personave të punësuar në MPB për punë të pandërgjegjshme në shërbim. Sipas kallëzimit të MPB-së kryetari dhe anëtarët e Komisionit për shqyrtimin dhe përgatitjen e propozimeve mbi kërkesat e dorëzuara për lëshimin e lejeve për blerjen e armëve kanë dhënë mendim pozitiv për lëshimin e lejes për blerjen e armëve për propozimin e dorëzuar pranë Komisionit për revizion për kërkesat e vlerësuara pozitivisht në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për armët.

Nga ana tjetër, të dyshuarit e tjerë, në cilësinë e kryetarit, anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të Komisionit për revizion pretendohet se nuk kanë kryer revizion të rregullt, me ç’rast kanë vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe selektive gjatë zgjidhjes së lëndëve, ndërsa për gjithsej 5.470 lëndë nuk kanë vepruar fare dhe nuk kanë sjellë vendim me çka kanë kontribuar që ato të vjetrohen.

“Në vend që lëndët t’i refuzonin ose t’i kthenin përsëri për vendimmarrje me qëllim të kompletimit të tyre, në bazë të listave të përgatitura paraprakisht të kërkuesve të lejeve pranë të cilëve kanë qenë të shkruar emrat e disa prej anëtarëve të Komisionit për revizion, ata kanë sjellë vendime pozitive dhe u kanë mundësuar kërkuesve të pajisen me leje për blerje të armëve në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Armët. Gjatë kryerjes së revizionit kanë vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe selektive gjatë zgjidhjes së lëndëve, ndërsa për gjithsej 5.470 lëndë nuk kanë vepruar fare dhe nuk kanë sjellë vendim me çka kanë kontribuar që ato të vjetrohen. Ndihmësi i ministrit dhe udhëheqësi i Sektorit për armët dhe anëtar i Komisionit për revizion të kërkesave të vendosura pozitivisht për dhënien e lejes për furnizim me armë, e kanë anashkaluar mbikëqyrjen e detyrueshme në atë mënyrë që edhe pse e kanë ditur se për kërkesat e parashtruara ishte vendosur pozitivisht në kundërshtim me Ligjin për Armët, se për kërkesat e parashtruara veprohej në mënyrë selektive ose nuk veprohej fare, u kanë mundësuar kërkuesve në kundërshtim me dispozitat ligjore të sigurojnë leje për blerjen e armëve. Pas procedurës së zhvilluar për shkelje më të rëndë të rendit dhe disiplinës së punës për 15 punonjës është shqiptuar masa e shkëputjes së kontratës së punësimit”, thuhej në denoncimin e MPB-së.

Ky ishte versioni i Ministrisë, ndërsa nga puna u përjashtuan 15 persona të cilët, sipas Toshkovskit, kanë qenë në pozita udhëheqëse në polici gjatë kohës së qeverisë të kaluar.

Spasovski akuzoi për “spastrim partiak“
Në intervista televizive Toshkovski fliste se armë u ishin dhënë personave që ligjërisht nuk kanë pasur të drejtë të posedojnë armë, ndërsa ata që i kanë plotësuar kushtet nuk kanë mundur të marrin leje.

“Dorëzuam kallëzim penal mjaft të mirë mbi bazë të informacioneve që i kam, të mbështetur me numër të madh provash kundër një numri më të madh të zyrtarëve policorë të cilët kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme në periudhën e kaluar”, tha Toshkovski.

Ndërsa paraardhësi i tij, ish-ministri Oliver Spasovski, pushimin nga puna të 15 zyrtarëve të lartë në MPB e quajti spastrim partiak.

“Shohim qasje klasike të partizimit të VMRO-DPMNE-së, po bëhet diskriminim dhe atë jo mbi bazë politike sepse zyrtarët policorë nuk mund të jenë anëtarë të partive politike, por diskriminim vetëm për shkak të asaj se në cilat pozita kanë qenë dhe në kohën e kujt kanë qenë në ato pozita”, reagoi atëkohë Spasovski.

Kujtojmë se leje për armbajtje kanë edhe zyrtarë shtetëror. Deputeti i ZNAM-it, Pavle Arsoski posedon koleksion armësh. Në fletën anketuese që ai e ka dorëzuar si deputet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Arsoski ka deklaruar pesë armë zjarri, të gjitha të marra me kontratë për blerje. Ajo që është e dyshimtë është se vlera e tyre e deklaruar e shprehur në denarë është shumë e vogël dhe sillet nga 42 deri në 90 denarë.

Admirues i armëve është edhe kolegu i tij deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri. Në emër të tij ai ka regjistruar tre armë me vlerë të përgjithshme prej rreth 2.500 euro. Arma më e shtrenjtë e regjistruar ka vlerë prej një mijë eurosh dhe të tria i ka me leje për armëmbajtje.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.