Ambasadorja Ageler: Qytetarët duan të shohin ndryshime në Maqedoninë e Veriut

“Qeveria e re, gjatë fushatës së saj, qartazi tregoi se cilat mendon se janë ndryshimet e nevojshme. Tani, mendoj që është përgjegjësi e çdo qytetari në këtë vend dhe të gjithë neve që t’i kapim për fjale, të shihet nëse përputhen aktivitetet me deklaratat e dhëna gjatë kohës së fushatës”, tha në intervistën për Shërbimin […]

Korrik 2, 2024 - 21:00
 0  8
Ambasadorja Ageler: Qytetarët duan të shohin ndryshime në Maqedoninë e Veriut
Ambasadorja amerikane Angela Ageler dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Foto nga Hristijan Mickoski (Facebook)

“Qeveria e re, gjatë fushatës së saj, qartazi tregoi se cilat mendon se janë ndryshimet e nevojshme. Tani, mendoj që është përgjegjësi e çdo qytetari në këtë vend dhe të gjithë neve që t’i kapim për fjale, të shihet nëse përputhen aktivitetet me deklaratat e dhëna gjatë kohës së fushatës”, tha në intervistën për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler.

Ndër tjerash ajo foli për Marrëveshjen e Prespës dhe atë me Bullgarinë duke theksuar se “nuk ka rinegocim për Prespën, nuk ka rinegocim për përparimin e arritur drejt BE-së”.

Ajo përsëriti se korrupsioni në Maqedoninë e Veriut “është epidemi, është kancer e që duhet të zgjidhet. SHBA-ja dhe kjo ambasadë do të vazhdojnë të punojnë fuqishëm, që ta përkrahin çdo program i cili do ta zgjidhë [problemin me] korrupsionin”.

Duke folur për reformën në gjyqësor, ambasadorja amerikane theksoi nevojën e largimit të politikës nga gjyqësori.

Ambasadorja amerikane në vend Angela Ageler në muajin qershor ka dërguar në rrjetin social X urime për formimin e qeverisë së re. “Ndërsa kryeministri dhe kabineti i tij marrin detyrën, ne presim me padurim të vazhdojmë partneritetin tonë në forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e zhvillimit ekonomik, energjetik dhe infrastrukturor, strukturave sociale dhe çuarjen përpara të vendit në rrugën e tij euroatlantike”, thuhet në mesazhin e Agelerit.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.