ANALIZË: Buxhete të reja për dikasterët e rinj, për çfarë dhe sa para do të kenë ministritë e vjetra-të reja në RMV?
Në buxhetin e ribalancuar të Maqedonisë së Veriut, me nënshkrimin e Qeverisë së re janë inkorporuar edhe dikasterët krejtësisht të rinj dhe ato që kanë marrë emra të rinj, përkatësisht përgjegjësi të reja. Për ministritë e reja tashmë janë rezervuar mjete për administratën, për paga dhe kompensime, për shpenzime kapitale. Disa nga ministritë që “humbën” […]
Në buxhetin e ribalancuar të Maqedonisë së Veriut, me nënshkrimin e Qeverisë së re janë inkorporuar edhe dikasterët krejtësisht të rinj dhe ato që kanë marrë emra të rinj, përkatësisht përgjegjësi të reja. Për ministritë e reja tashmë janë rezervuar mjete për administratën, për paga dhe kompensime, për shpenzime kapitale. Disa nga ministritë që “humbën” një pjesë të kompetencave të tyre morën edhe buxhete më të vogla, shkruan analiza javore ekonomike e Portalbit.
Buxhete të reja për ministri të reja
Ministria e re e Sportit me ribalancimin e Buxhetit e merr buxhetin e saj të parë prej 13 milionë euro. 1,75 milionë euro janë planifikuar për shpenzime kapitale, mjete që do të dedikohen për objektet sportive.
“Në kuadër të këtij nënprogrami është planifikuar të realizohen investime kapitale në infrastrukturën sportive, pagesa për përgatitjen e dokumentacionit të përgjithshëm të projekteve, mbikëqyrje të projekteve, kyçje të energjisë elektrike”- thuhet në dokumentin buxhetor.
Deri në fund të këtij viti ky dikaster i ri do të mund të shpenzojë 300.000 euro për paga dhe kompensime. Nga ana tjetër, fondet e Agjencisë së Sportit ende të patransformuar janë ulur në 600.000 euro.
Edhe dikasteri i ri-Ministria e Transformimit Digjital merr buxhet të ri me vlerë prej 27,5 milionë euro. Kompetencat e kësaj ministrie të re tani janë në kuadër të MSHIA-së. Për zhvillimin dhe zbatimin e TIK-ut dikasteri i sapokrijuar do të marrë 1,32 milionë euro. Për reformën e administratës publike është planifikuar një shumë prej 1,33 milionë euro, ndërsa për paga dhe kompensime 2,2 milionë euro.
Ministria e Administratës si dikaster tërësisht i ri merr buxhetin e saj në vlerë prej 550.000 euro. Për pagesën e pagave dhe kompensimeve deri në fund të vitit janë planifikuar 61.000 euro. Ky dikaster praktikisht i ri për shpenzime kapitale, para së gjithash, për zbatimin e projekteve të TIK-ut për forcimin e administratës publike merr 360.000 euro.
Ministria e re e “përforcuar” e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, e cila “humbi” punën, por fitoi politikat demografike dhe rinore, me buxhetin e ribalancuar do të marrë buxhet që tejkalon 1 miliardë euro fantastike. Ky dikaster do të marrë 1,36 milionë euro për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtjen e fëmijëve dhe kjo shumë është më e lartë se sa ajo aktuale në kuadër të dikasterit të punës dhe politikës sociale. Në anën tjetër, pothuajse është përgjysmuar shuma për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtje sociale dhe shtëpi për të moshuarit, me çka për këtë janë paraparë 161.500 euro. Rritje ka edhe shuma në bazë të kompensimeve për mbrojtje sociale, për mbrojtjen e fëmijëve dhe për invalidët ushtarakë.
Për herë të parë në Buxhetin e ribalancuar shkruhet edhe Ministria e re e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të para minerale. Shpenzimet e përgjithshme të këtij dikasteri deri në fund të vitit janë pozicionuar në 8,92 milionë euro. Për projektin kapital të gazifikimit kjo ministri duhet të shpenzojë 3,37 milionë euro. Për paga dhe kompensime vetëm për punonjësit në ministri është planifikuar një shumë prej 371.000 euro. Nën kupolën e këtij dikasteri do të jenë Byroja e Metrologjisë dhe Agjencia e Energjetikës.
Një dikaster i vjetër-i ri është Ministria e Ekonomisë dhe Punës, e cila “humbi” “energjetikën” dhe fitoi “tregun e punës”. Me ribalancimin e buxhetit, kjo ministri merr 7,91 milionë euro, shumë e cila është dukshëm më e ulët se ajo aktuale, për 14,2 milionë euro më pak. Më domethënëse është shkurtimi i fondeve për energjetikën, segment që tashmë i ka kaluar Ministrisë së Energjetikës. Krahasuar me ato aktuale ka shuma shumë më të ulëta edhe për zhvillimin e turizmit, për diplomacinë ekonomike dhe shkurtohen edhe fondet e Agjencisë për Mbështetjen e Sipërmarrjes dhe Zhvillimin Ekonomik.
Ministria aktuale e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve në Buxhetin e ri të ribalancuar shndërrohet në Ministrinë e Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve me një buxhet të përgjithshëm prej 3,3 milionë euro, më i ulët për rreth 700.000 euro krahasuar me atë aktual. Ministria e sapokrijuar e Çështjeve Evropiane do të ketë në dispozicion 2,1 milionë euro dhe Sekretariati aktual për Çështjet Evropiane së bashku me buxhetin e tij do të kalojë në këtë dikaster të ri.
Ministria e Punëve të Jashtme mori një kompetencë të re dhe një emër të ri, kështu që Buxheti i ri për Ministrinë e Politikës së Jashtme dhe Tregtisë parasheh një buxhet më të madh prej 23,7 milionë euro.
Javën e kaluar u plotësua edhe eshaloni i dytë qeveritar, me çka kabineti qeveritar prej 20 ministrash u shtua edhe me 20 zëvendësministra të rinj.