ANALIZË: Lehtësim i kushteve të kreditimit për qytetarët dhe kompanitë në RMV, kamatat në rënie

Viti bankar 2024 në Maqedoninë e Veriut do të mbyllet me lehtësimin e kushteve të kreditimit dhe rritjen e kërkesës për kredi si nga qytetarët ashtu edhe nga kompanitë. Kamata mesatare për kreditë e reja të miratuara për kompanitë, pas një viti, për herë të parë ka rënë nën 5%. Anketa e re e BPM-së […]

Nëntor 25, 2024 - 07:00
 0  7
ANALIZË: Lehtësim i kushteve të kreditimit për qytetarët dhe kompanitë në RMV, kamatat në rënie
Analiza ekonomike, ekonomi, euro, denare

Viti bankar 2024 në Maqedoninë e Veriut do të mbyllet me lehtësimin e kushteve të kreditimit dhe rritjen e kërkesës për kredi si nga qytetarët ashtu edhe nga kompanitë. Kamata mesatare për kreditë e reja të miratuara për kompanitë, pas një viti, për herë të parë ka rënë nën 5%. Anketa e re e BPM-së tregon se në tremujorin e fundit, bankierët presin një tendencë të lehtësimit të mëtejshëm të kushteve të kreditimit. Deri në fund të tetorit, kompanitë dhe qytetarët u kanë borxh bankave 7,7 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 9,2%, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Kreditimi i kompanive…

“Për një kredi nga 10,000 deri në 3,5 milionë euro, me afat shlyerje deri në 8 vjet, kamata është 5,5%”

Kjo është një nga ofertat e bankave për kreditimin e kompanive. “Portalb”-i vizitoi faqet e internetit të disa bankave të njohura për të parë se çfarë kushtesh, gjegjësisht kamatash dhe afatesh ofrojnë për kreditim. Disa nga bankat i publikojnë në mënyrë transparente, por disa nga bankat nuk i publikojnë të dhënat për kamatat në seksionin e kreditimit të personave juridikë.

Me çfarë trendi të kamatave dhe të kredive do të mbyllet ky vit? Sipas Anketës së re të BPM-së, në këta tre muaj të fundit të vitit 2024, kërkesa për kredi nga ana e kompanive do të rritet, ndërsa kamatat do të ulen. Një trend të këtillë presin bankierët nga bankat e mëdha dhe të mesme, ndërsa bankat e vogla njoftojnë se nuk do të ndryshojnë kushtet e kreditimit.

Për tremujorin e katër të vitit 2024, bankat presin një rritje të fuqishme neto të kërkesës për kredi nga kompanitë” – thuhet në Anketën e BPRM-së.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kamata për kreditë e reja të miratuara për kompanitë, për herë të dytë këtë vit (herën e parë në mars), ra nën 5% në shtator, ndërsa kamata mesatare e totalit të kredive për kompanitë ishte 5,15%, dhe është në nivelin më të ulët që nga shtatori i vitit 2023.

Të dhënat e fundit të BPM-së tregojnë se në fund të muajit tetor, kompanitë në bazë të kredive u kishin borxh bankave 3,74 miliardë euro, shumë kjo që është rritur për 10,4% në bazë vjetore dhe është rritja më e lartë vjetore gjatë këtij viti.

Kreditë për amvisëritë…

Ulje e kamatave dhe komisioneve për kreditë për banesa, rritje e kërkesës për kredi konsumatore. Ky trend në tremujorin e tretë të këtij viti pritet të vazhdojë deri në fund të vitit 2024.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas të dhënave të BPM-së, kamata mesatare e totalit të kredive për amvisëritë në muajin shtator ishte 5,66%, dhe ndryshe nga kamatat për kompanitë, ajo u rrit për 0,05 përqind në bazë vjetore. Megjithatë, kreditë e reja të miratuara ofrohen me kamatë më të ulët në bazë vjetore dhe mujore.  Bankat tashmë ofrojnë kredi afatgjatë me kamatë fikse për një periudhë deri në 10 vjet, që konsiderohet si sinjal se mund të pritet lehtësim i mëtejshëm i kushteve të kreditimit në fushën e politikës së kamatave. Këtu janë disa nga ofertat e bankave:

“Për një kredi deri në 25.000 euro, me afat shlyerje deri në 10 vjet, kamata nga 5% deri në 5,2%, në varësi të llojit të sigurimit”.

“Kredi për banesë me kamatë deri në 150.000 euro me afat shlyerje 50 vjet dhe kamatë fikse prej 3,45% në pesë vitet e para dhe kamatë fikse prej 3,90% në periudhë prej 10 vitesh”.

Bankierët me vlerësime të ndryshme se si do të jenë kushtet e kreditimit për amvisëritë deri në fund të vitit. Kështu, menaxherët e bankave të mëdha presin lehtësim të kushteve të kreditimit dhe rritje të kërkesës për kredi, bankierët e bankave të mesme njoftojnë se nuk do të ketë ndryshim në kushtet e kreditimit, ndërsa ata të bankave të vogla madje paralajmërojnë shtrëngim të kushteve.

“Pritjet për tremujorin e katërt të vitit 2024: lehtësim neto të kushteve të kreditimit, me rritje neto të kërkesës për kredi për amvisëritë” – thuhet në Anketë.

Në fund të muajit tetor, totali i borxhit kreditor të amvisërive në banka arriti në 3,98 miliardë euro me një rritje prej 8,2% në nivel vjetor.