ANALIZË: Nëse nuk investohen në projekte strategjike, kreditë e reja vetëm do të “ngrenë” borxhin e RMV-së
Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut “ka zbritur” nën 60 përqind. Në tremujorin e parë zgjedhor të këtij viti, borxhi publik ishte 58,6% e PBB-së. Qeveria e ardhshme po planifikon një kredi të re prej 1 miliard euro. Sipas ekonomistëve, kjo shumë ngre disa pyetje. Një prej tyre: për çfarë do të shpenzohen paratë? Shkruan […]
Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut “ka zbritur” nën 60 përqind. Në tremujorin e parë zgjedhor të këtij viti, borxhi publik ishte 58,6% e PBB-së. Qeveria e ardhshme po planifikon një kredi të re prej 1 miliard euro. Sipas ekonomistëve, kjo shumë ngre disa pyetje. Një prej tyre: për çfarë do të shpenzohen paratë? Shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Kreditë e reja – “presion” i ri për borxhin publik, për çfarë do të shpenzohen 1 miliardë eurot e paralajmëruara?
Sipas të dhënave të fundit në dispozicion, në fund të muajit mars, borxhi publik i shtetit ishte 8.769.900.000 euro ose 58,6% e PBB-së. Borxhi ndaj kreditorëve vendas ishte 3,3 miliardë euro, kurse ndaj kreditorëve të huaj 5,4 miliardë euro.
Mandatari dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, tashmë ka paralajmëruar një huazim të ri prej 1 miliardë eurosh, shumë kjo që shkaktoi reagime të furishme në opinion dhe hapi pyetje të shumta në qarqet e biznesit dhe ekonomisë.
“Mund të paralajmëroj një paketë financiare në formë të bashkëpunimit qeveri me qeveri me vlerë 1 miliard euro, me kushte jashtëzakonisht të favorshme. Me një grejs periudhë të mirë me një përqindje jashtëzakonisht atraktive të kamatës”, deklaroi kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Zyrtarisht ende nuk janë bërë të ditura detajet e kësaj pakete financiare, por ajo që dihet është se bëhet fjalë për një kredi me kushte të favorshme dhe se do të realizohet në bazë të parimi “qeveri me qeveri”. Disa ekonomistë paralajmërojnë se duhet pasur kujdes për shkak të disa faktorëve, e një prej tyre është edhe ndikimi mbi borxhin publik.
“Huaja e re dypalëshe e jashtme prej 1 miliard euro nuk është një hap i mirë për ekonominë maqedonase. Edhe pa këtë borxhi ynë është tashmë në kufirin e pranueshmërisë prej 60 për qind të PBB-së, e po ashtu edhe kushtet për financimin e tij janë përkeqësuar me kamata dukshëm më të larta. Kjo do të ishte një barrë e madhe shtesë për buxhetin, ku dhe si do që të shpenzohen ato para, përveç për kthimin e borxheve të vjetra, por mendoj se ideja e qeverisë së re është e kundërt. Një nivel borxhi prej 1 miliard euro është i barabartë me 7 për qind të PBB-së aktuale. Kjo do të thoshte se borxhi publik do të rritej menjëherë në rreth 67 për qind të PBB-së dhe kjo do t’i përkeqësonte kushtet për huamarrje të ardhshme, por ehe për kthimin e borxhit ekzistues. Në instancë të fundit mund ta ulë rejtingun aktual, edhe ashtu jo aq të mirë, kreditor nga BB-ja, të ekonomisë dhe të vendit tonë”, thotë Nikolla Popovski, një nga ish-ministrat e financave.
Në një situatë kur të ardhurat nuk mjaftojnë për të financuar shpenzimet, dhe kur nuk është e mundur të rritet ndjeshëm pjesa e të ardhurave, e të zvogëlohet pjesa e shpenzimeve, ne do të vazhdojmë të marrim hua, por pyetja është për çfarë, thotë eksperti tatimor, Pavle Gacov.
“Duke pasur parasysh nevojën për huamarrje, është e qartë se janë të rëndësishme kushtet e huamarrjes, por edhe qëllimi i huasë. Pagesa e pensioneve më të larta që do të mbulohen me huamarrje do të bëjë preson edhe më të madh ndaj financave publike dhe hapësirës fiskale. Ekonomistët nuk janë kundër huamarrjes së dedikuar që do të sigurojë të ardhura (rritje të PBB-së), të cilat do të jenë më të larta se kostoja e borxhit (kamata). Por, për fat të keq, efikasiteti i investimeve të shtetit është shumë i ulët dhe ka një ndikim të dobët në rritjen e PBB-së. Huamarrja e paralajmëruar prej 1 miliardë eurosh duhet të jetë nën vëzhgimin e fortë të Këshillit Fiskal, si organ që duhet të objektivizojë shpenzimet buxhetore, veçanërisht në kushtet e deficitit buxhetor dhe rritjes së borxhit publik”, thotë Gacov.
Së fundmi, edhe Banka Popullore paralajmëroi për kujdes dhe rikujtoi praktikën e huamarrjes së Maqedonisë nga kreditorët financiarë ndërkombëtarë në tregjet e huaja.
“Sigurisht që një nga fokuset tona të rëndësishme duhet të jenë institucionet financiare ndërkombëtare, ku kushtet në të cilat ata japin kredi janë shumë më të favorshme se sa kushtet e tregut. Nuk kemi informacion të detajuar për të gjitha këto paralajmërime për huazime të reja, për natyrën, karakterin, kushtet e tyre, etj”, tha guvernatorja Anita Bezhoska Angellovska.
Profesor Popovski paralajmëron se në rrethanat kur borxhi është në rritje, nuk mund të anashkalohet fakti se huamarrja e re prej 1 miliard euro do të “përkeqësojë” gjendjen e borxhit të shtetit.
“Qëllimet dhe kushtet e huamarrjes në këtë rast nuk do të jenë aq të rëndësishme sa shuma e huasë dhe niveli total i borxhit. Ky paralajmërim i pushtetit të ri duhet të rishqyrtohet tërësisht nga vetë ata”, thotë profesori Popovski.
Sipas të dhënave nga Strategjia Fiskale e rishikuar, këtë vit borxhi publik duhet të arrijë maksimumin prej 61,8% të PBB-së, ndërsa nga viti i ardhshëm parashikohet të ketë rënie të tij.