Antikorrupsioni: Kandidatët presidencialë shpenzuan 7.5 milionë euro

Shtatë kandidatët presidencialë shpenzuan gjithsej 7.5 milion euro për fushatën zgjedhore, nga të cilat Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski, shpenzuan nga rreth 2.6 milion euro secili, sipas një raporti të veçantë mbi financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Siljanovska dhe Pendarovski ndiqen nga kandidatët Bujar Osmani […]

gusht 13, 2024 - 23:00
 0  6
Antikorrupsioni: Kandidatët presidencialë shpenzuan 7.5 milionë euro

Shtatë kandidatët presidencialë shpenzuan gjithsej 7.5 milion euro për fushatën zgjedhore, nga të cilat Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski, shpenzuan nga rreth 2.6 milion euro secili, sipas një raporti të veçantë mbi financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Siljanovska dhe Pendarovski ndiqen nga kandidatët Bujar Osmani me 900,000 dhe Arben Taravari me rreth 800,000 euro. Tre kandidatët e tjerë, Stevço Jakimovski, Maksim Dimitrievski dhe Biljana Vankovska, shpenzuan secili rreth 160,000 euro.

“Nga analiza e të ardhurave sipas llojeve të burimeve të financimit, përcaktuam se fushata zgjedhore financohet me 77% të fondeve të siguruara nga Buxheti, ndërsa 23% janë fonde të siguruara nga burime të tjera financimi. Theksojmë se KSHPK beson se financimi i procesit zgjedhor me fonde nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë duhet të shfuqizohet, për shkak të ekzistencës së rreziqeve të korrupsionit”, thanë nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit.

Në Raportin për situatat e përcaktuara në financimin e zgjedhjeve presidenciale, zyrtarët e antikorrupsionit gjetën mangësi të shumta në kornizën ligjore dhe administrative që rregullojnë procesin zgjedhor dhe financimin e fushatave zgjedhore. Përveç legjislacionit ekzistues, raporti regjistron probleme serioze të zbatimit që krijojnë rrezik për korrupsion.

“Kjo është veçanërisht e theksuar në zbatimin joadekuat të dispozitave ligjore, gjë që çon në një rrezik në rritje të keqpërdorimit të fondeve. Procedurat administrative, të tilla si raportimi i donacioneve dhe shpenzimeve nga partitë politike, janë gjykuar si shumë komplekse dhe joefikase, duke çuar në rritjen e kostove administrative dhe vonesave. Reformimi i këtyre proceseve është i nevojshëm për të arritur efikasitet më të madh dhe për të zvogëluar mundësitë për korrupsion”, theksuan nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit.

Zyrtarët e antikorrupsionit për krimet e lidhura me zgjedhjet dorëzuan gjashtë nisma për të filluar ndjekje penale, si dhe katër nisma para autoriteteve kompetente për të filluar një procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë së nëpunësve zyrtarë./Alsat.mk