Avokati i Grubit thotë se nuk ka baza dyshimi për vepër të kryer penale

Avokati Vlladimir Donevski, i cili do të përfaqësojë mbrojtjen e ish-zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Sistemit Politik, Artan Grubi, në një deklaratë për mediat, thotë se pas konstatimit të gjithçkaje në dispozicion të gjykatës, si dhe pas analizave së argumenteve të Prokurorisë Publike, për mbrojtjen, nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të […]

dhjetor 20, 2024 - 14:01
 0  6
Avokati i Grubit thotë se nuk ka baza dyshimi për vepër të kryer penale
Artan Grubi, foto: printscreen nga Oda Ekonomike

Avokati Vlladimir Donevski, i cili do të përfaqësojë mbrojtjen e ish-zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Sistemit Politik, Artan Grubi, në një deklaratë për mediat, thotë se pas konstatimit të gjithçkaje në dispozicion të gjykatës, si dhe pas analizave së argumenteve të Prokurorisë Publike, për mbrojtjen, nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të parashikuar me ligj, transmeton Portalb.mk.

Po ashtu, në njoftim thuhet se do të paraqesin argumentet e tyre në kuadër të procedurës së paraparë ligjërisht, për të bindur gjykatën dhe prokurorin publik se nuk ka asnjë rast penal për veprimet për të cilat akuzohet Artan Grubi.

“Shpresojmë që të gjithë pjesëmarrësit në këtë procedurë penale do të mbeten imun ndaj politizimit të dukshëm të procesit dhe do të ruajnë paanshmërinë dhe pavarësinë dhe do të marrin vendime, si ne, bazuar në argumente të qarta ligjore. Duke pasur parasysh se gjykimet janë publike, mediat dhe opinioni i gjerë do të mund ta përcjellin procesin dhe të nxjerrin konkluzione nëse ka prova për vërtetimin e fajësisë së Artan Grubit”, thuhet në njoftimin e shoqërisë avokatore “Donevski”.

Nga atje po ashtu thonë se ndjekja e të dyshuarit bëhet në procedurë gjyqësore, e jo përmes mediave, dhe pikërisht për këtë nuk kanë dalë publikisht deri më tani, përkundër interesimit të madh publik për rastin.

Gjykata Penale e Shkupit dje ka konfirmuar se kundër vendimit të paraburgimit ankesë ka bërë avokati i Artan Grubit, ndaj të cilit është lëshuar fletarrest ndërkombëtar për përvetësim të parave në “Llotarinë Shtetërore”. Nga aty thanë se pas ankesës do të merret vendim në ditët në vijim.

Largimi i Grubit nga shteti këtë javë është temë e përleshjeve politike midis VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe LSDM-së opozitare.

Lidhur me daljen e Grubit përmes pikës kufitare “Bllacë e Poshtme”, dje nga LSDM-ja thanë se një nga policët, i cili dje është suspenduar dhe ndaj të cilit është nisur procedurë disiplinore, është emëruar në atë pozitë kur Toshkovski u bë ministër.

Akuzave të tilla u përgjigj ministri Toshkovski, i cili tha se MPB-ja ka video në të cilën shihet qartë shkelje e ligjit dhe shkelje e procedurave standarde operative nga polici i cili ka qenë në turn në kuadër të policisë kufitare në kohën kur Artan Grubi u largua nga vendi.

Grubi është arratisur apo është i pakapshëm për organet e rendit që me 14 dhjetor. Pas daljes së informacioneve në media për arratisjen e tij, më 15 dhjetor, në profilin e tij në Facebook, Grubi tha se ndodhet në vizitë private dhe kërkoi të mos spekulohet.

“Ju lutem mos shpifni dhe shpekuloni. Kam udhëtuar me dokumentat e mia dhe sigurimi im personal policor është i njoftuar. Unë sa po të kryej obligimet, do të kthehem në shtëpi pranë familjes”, thuhet në reagimin e Grubit.

Mirëpo që atë ditë nuk ka asnjë lajm nga ai, derisa nga ana tjetër, Gjykata shqiptuar masën e paraburgimit dhe është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.

Grubi, së bashku me Përparim Bajramin, ish-drejtor në Lotarinë Shtetërore, ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe pesë persona të tjerë, akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar “, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, dhënies së kontratës për furnizim publik apo partneritet publiko-privat’’.

Përmes tenderimeve të paligjshme, ata kanë mundësuar fitimin e një përfitimi të madh pasuror të kundërligjshëm në shumë të përgjithshme prej 8.598.000 denarë. 

Paraprakisht, përpara se më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike të hapë lëndë ndaj Artan Grubit, ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.