“Kërkojmë rrogë dhe K-15”, protestojnë punëtorët e NP “Rrugë dhe Rrugica” para barakave të qytetit të Shkupit
Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Rrugë dhe Rrugica” sot në mëngjes po protestojnë para barakave të administratës së qytetit për shkak të mos-pagimit të pagave dhe K-15, raporton MIA. Në rrethojën para barakave të Qytetit të Shkupit, ata vendosën pankarta ku shkruhej “Kërkojmë rrogë dhe K-15” dhe “Të zhbllokohet llogaria”. Ata i kanë dërguar mesazh kryetares […]
Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Rrugë dhe Rrugica” sot në mëngjes po protestojnë para barakave të administratës së qytetit për shkak të mos-pagimit të pagave dhe K-15, raporton MIA.
Në rrethojën para barakave të Qytetit të Shkupit, ata vendosën pankarta ku shkruhej “Kërkojmë rrogë dhe K-15” dhe “Të zhbllokohet llogaria”.
Ata i kanë dërguar mesazh kryetares Danela Arsovska që të zhbllokojë llogarinë e ndërmarrjes, si dhe të marrë K-15.
Protesta organizohet nga Sindikata e Pavarur në Ndërmarrjen Publike, e cila është pjesë e Konfederatës së organizatave sindikale të Maqedonisë (KOSM).
Nga ndërmarrja mëngjesin e sotëm është dërguar për mediat një deklaratë, ku thuhet se protesta është e motivuar politikisht, me synimin për të krijuar krizë në të gjitha ndërmarrjen publike të qytetit.
“Para se Mickoski të fillojë t’i dëmtojë ndërmarrjet e Shkupit dhe Qytetin e Shkupit, duhet t’i informojë qytetarët se punëtorët e NP ‘Rrugë dhe Rrugica’ janë paguar, prandaj është e paqartë pse Sindikata po proteston. Njëkohësisht duhet t’i informojë se për rritje lineare të pagave dhe K-15, si kërkesë e Sindikatës, vendimin e merr Bordi Drejtues i ndërmarrjes, anëtarët e të cilit zgjidhen pikërisht nga VMRO-DPMNE”, thuhet në njoftim.
Kryetari i KOSM-it, Marjan Risteski, sipas deklaratës së “Rrugëve dhe Rrugicave”, duhet të sqarojë pse nuk lufton për të drejtat e punëtorëve në ndërmarrjen shtetërore “Hekurudhat” ku punon, dhe ku i vonohet paga me muaj.
“Qëllimi i Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së është i qartë, përderisa nuk i marrin me forcë ndërmarrjet publike të Shkupit, do t’i sulmojnë çdo ditë në mënyrë aktive për të krijuar kriza të reja, madje do të organizojnë protesta për një pagë që tashmë është paguar”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, nuk është hera e parë që punonjësit e kësaj kompanie reagojnë ndaj të hyrave të parregullta.
Ata theksuan se NP “Rrugë dhe Rrugica” ka borxh prej 240 milionë denarë ndaj furnizuesve të materialeve, si dhe se po përballet me mungesë të aseteve themelore si naftë, zhavorr, tampon, bordurë dhe të ngjashme.