Bajqinovci, Hazirit: Jeni të lidhur pas një mentaliteti të vjetër, qytetarët nuk po kërkojnë dominimin e interesave të ngushta
“Nis numërimi prapa i kësaj qeverie që pësoi fiasko në çdo aspekt, rikthimi i madh do të ndodhë”, deklaroi sot, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, deklaratë kjo që për VV’në është e mbështetur në retorikë boshe. Kështu të paktën tha për GazetaBlic deputeti i partisë në pushtet, Mefail Bajqinovci i cili thekson se Lidhja Demokratike […]
“Nis numërimi prapa i kësaj qeverie që pësoi fiasko në çdo aspekt, rikthimi i madh do të ndodhë”, deklaroi sot, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, deklaratë kjo që për VV’në është e mbështetur në retorikë boshe.
Kështu të paktën tha për GazetaBlic deputeti i partisë në pushtet, Mefail Bajqinovci i cili thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdojnë të mbeten të lidhur pas një mentaliteti të vjetër politik.
“Lutfi Haziri dhe udhëheqësia e LDK-së vazhdojnë të mbeten të lidhur pas një mentaliteti të vjetër politik, të mbështetur në retorikë boshe dhe kritika të pabazuara. Ndërkohë, Qeveria Kurti ka bërë hapa të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike, duke i dhënë qytetarëve të Kosovës shpresë për një të ardhme më të mirë”, tha Bajqinovci.
Teksa përmendi sukseset e Qeverisë, Bajqinovci bën thirrje që Haziri dhe partia e tij t’ia kujtojnë vetës atë që po kërkojnë qytetarët, rezultate konkrete.
“4 komuna tashmë janë rikthyer nën administrimin e ligjeve të Kosovës, një hap kyç për konsolidimin e shtetit tonë. Zoti Haziri, në vend që të shpërqendrohet me fjalë të mëdha, duhet t’i kujtojë vetes dhe partisë së tij se qytetarët kërkojnë rezultate konkrete dhe jo kthim në një të kaluar ku interesat e ngushta dominonin mbi interesat e përgjithshme”, tha Bajqinovci.
Tutje, ai thotë se edhe në sondazhe, LDK vazhdon të jetë larg vendit të parë dhe sipas Bajqinovcit janë po kjo parti, që do të pësojnë fiasko.
“LDK-ja vazhdon të renditet e treta në sondazhe.
Nëse dikush do të pësojë fiasko, do të jetë opozita që doli hapur kundër veprimeve për rikthimin e ligjshmërisë në veriun e vendit – përfshirë edhe Lutfi Hazirin, i cili ishte kundër hapjes së urës mbi lumin Iber”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.