Banorët e Vizbegut bashkë me fëmijët protestojnë për hapjen e shkollës
Një pjesë e banorëve të Vizbegut të shoqëruar nga shumë fëmijë të kësaj lagjeje kanë protestuar para shkollës së re fillore “Vizbeg”, shkruan Alsat. Tashmë tre javë shkolla mbetet nën dry dhe akoma nuk ka nisur me procesin mësimor pavarësisht regjistrimit të nxënësve në klasë të parë dhe transferimit të nxënësve tjerë nga shkollat ku […]
Një pjesë e banorëve të Vizbegut të shoqëruar nga shumë fëmijë të kësaj lagjeje kanë protestuar para shkollës së re fillore “Vizbeg”, shkruan Alsat.
Tashmë tre javë shkolla mbetet nën dry dhe akoma nuk ka nisur me procesin mësimor pavarësisht regjistrimit të nxënësve në klasë të parë dhe transferimit të nxënësve tjerë nga shkollat ku kanë mësuar deri më tani.
Të revoltuar, prindërit thanë se institucionet përgjegjëse po tallen me fatin e këtyre fëmijëve.
“I lutem që shkolla të hapet sa më shpejt ose të tregojnë, le të bëhen burra dhe të thonë se nuk jemi te hap edhe fund, pastaj ne bëjmë zgjidhje. Nëse nuk i pranojnë në ato shkolla po i lëmë pa shkollë ose në një shkollë privat, nuk kemi çka të bëjmë”, tha një banor.
“Mua më vjen keq që në këtë kohë të themi se nuk ka kuadër kur njerëzit me fakultete flenë nëpër shtëpi, kjo nuk është arsye, nuk e di çfarë problemi është. Fëmijët një muaj janë pa shkollë, ndoshta edhe një muaj tjetër do të mbesin pa shkollë, nuk e di kush do t’i arsyetojë këto fëmijë, çka do të bëjnë në të ardhmen”, u shpreh një banor.
Deri në hapjen e shkollës fëmijët po gjejnë mënyra të ndryshme për të kaluar pushimin e detyrueshëm. Ata thanë se kanë nisur vet të mësojnë mësimet.
“Tre javë jemi në shtëpi, mësimet vet po i mësojmë. Ne duam të bëhemi më të mirë se Ministria e Arsimit”, tha një nxënës.
“Para dy jave na kanë thënë ti marrim dokumentet prej te shkolla 26 korriku t’i dërgojmë te shkolla e Vizbegut. Ne i kemi dërguar, shkolla e Vizbegut nuk po hapet. Prej fillimit të muajit të nëntë jemi pa mësim”, u shpreh një nxënës.
Kohë më parë, drejtori Kadri Elezi tha se mësimi nuk ka nisur për shkak të mungesës së stafit mësimor duke shtuar se po vijojnë procedurat për punësimin e mësimdhënësve dhe personelit tjetër të nevojshëm.
Sot, përmes telefonit drejtori Elezi tha se nga e hëna deri të mërkurën do të jetë i hapur konkursi për stafin e ri mësimor pas çka do të vijojnë procedurat përkatëse.
Fillimisht, mësimin në objektin e ri shkollor do ta ndjekin nxënësit nga klasa e parë e deri në atë të pestë. / Alsat.mk