Banori i Sertës të kapluar nga flakët: Këtë shtëpizë e ndërtova në kujtim të tim biri, nëse digjet, humbas gjithçka
Biri im Ile frymonte këtu. Ai e thithte ajrin e këtij mali. Atij i pëlqente ta kalonte kohë këtu, në Kalanjevë, këtu ndjehej më së miri. Ishte vetëm 25 vjeç kur vdiq nga kanceri. Këtë që e shihni e kam ndërtuar vetë, në kujtim të tij. Që të mbetet, të kujtohet edhe pas shumë vitesh. […]
Biri im Ile frymonte këtu. Ai e thithte ajrin e këtij mali. Atij i pëlqente ta kalonte kohë këtu, në Kalanjevë, këtu ndjehej më së miri. Ishte vetëm 25 vjeç kur vdiq nga kanceri. Këtë që e shihni e kam ndërtuar vetë, në kujtim të tij. Që të mbetet, të kujtohet edhe pas shumë vitesh. Dhe nëse e humbas këtë, unë do të humbas gjithçka, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
I lodhur, i rraskapitur dhe plot frikë për të ardhmen e pronës së tij të vetme dhe më të shtrenjtë, para së cilës ndodhet mbishkrimi “Vila Ile”, me lot në sy Kole Tanev nga Negotina ia hapi zemrën ekipit të Meta.mk gjashtë ditë pasi flakët kapluan zonën në afërsi të fshatit Kalanjevë në malin Serta. Njeriu thjesht nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj historisë së jetës së këtij njeriu të lidhur emocionalisht me një vatër familjare, e cila tani është në rrezik nga flakët.
“Djali im në këtë mal gjente paqe, prandaj edhe e ndërtova këtë shtëpi, në kujtim të tij. Këto ditë jam këtu, sjell ushqim dhe ujë për zjarrfikësit, për pjesëtarët e ARM-së që po shuajnë zjarrin. Erdha të mërkurën e kaluar, por më evakuuan, por unë erdha sërish dje. Jam këtu dhe jam në dispozicion të shërbimeve për çdo gjë që ata kanë nevojë. Kam rezerva me ujë, e nëse kanë nevojë mund t’i ndihmoj”, tregon Ile.
Brenda shtëpisë së tij gjithçka të kujton birin e tij, Ilen. Fotografitë e shumta të varura nëpër mure dëshmojnë për një kohë më të lumtur, pa brenga. Nëse do të ruhen varet nga kushtet e motit dhe nga shërbimet që sot pa u lodhur vazhduan ta shuajnë zjarrin në Sertë, i cili pa mëshirë ndizej dhe përhapej përgjatë malit.
Dhe fqinjët e Koles ishin në oborr me të. Shikimet e tyre plot shqetësim të drejtuara kah stuhia e zjarrit flasin shumë. Këta njerëz bëjnë gjithçka për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre dhe për të ndihmuar zjarrfikësit me aq sa munden.
Sot në Kalanjevë bashkë me pjesëtarët e ARM-së dhe drejtorin e QKM-së, Stojançe Angellov, ishte Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, të cilën e informuan për gjendjen në terren. Ata folën për ndihmën ndërkombëtare që mbërriti këto ditë, me helikopterë dhe ertraktorë, të cilët mbushin ujë nga një digë që ndodhet aty pranë, si dhe nga lumi Vardar, e pastaj me të i shuajnë flakët.
Pas largimit të delegacionit presidencial na telefonuan banorët e Kalanjevës dhe na dërguan foto të gjendjes aktuale nga të cilat mund të shihet se si zjarri është përhapur edhe më shumë nga koha kur atë po e shuanin helikopterët. Në lidhje me këtë redaksia e Meta.mk reagoi tek drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stojançe Angellov, i cili na tha se do të tentojë që mjetet ajrore për shuarjen e zjarrit t’i drejtojë andej, por tha se kjo do të jetë shumë e vështirë. Mëngjesin e sotëm në një video deklaratë ai tha se pilotët e avionit janë të lodhur.
Kodra të shkrumbuara
Rruga nga Negotina për në Kalanjevë është kodrinoro-malore, e ngushtë dhe me kthesa të shumta, e gjatë rreth dhjetë kilometra. Nuk mund të mos ju prekin pamjet apokaliptike që shihen gjatë rrugës, të kodrave dhe pemëve të djegura, fushave të mbuluara me hi, që kushedi se kur do të gjelbërohen sërish.
Gjatë rrugës në çdo dy kilometra ka patrulla policore, të cilat e kontrollojnë lëvizjen në këtë rajon. Në terren janë edhe pjesëtarët e ARM-së, zjarrfikësve, punonjës nga Qendra e Menaxhimit të Krizave, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe banorë të zonës.
Edhe zjarri në malin Ograzhden ka marrë hov
Ekipi i Meta.mk ishte edhe në afërsi të malit Ograzhden, ku zjarri po digjet tashmë prej disa ditësh në afërsi të fshatrave Badelen dhe Stinik të komunës së Novosellës. Patrulla të policisë kishte kudo dhe sipas protokolleve nuk lejohej afrimi me zonat e prekura. Për situatën me zjarret në këtë rajon biseduam me kryetarin e komunës së Novosellës, Gjorgje Bozhinov, i cili dje edhe vetë ka qenë në rrezik gjatë vizitës së tij në terren.
“Zjarri është aktiv që prej 8 ditësh dhe po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Zjarrfikësit janë vazhdimisht në terren, dje me ta isha edhe unë nga ora 08:00 deri në 22:00. Këta janë djem të guximshëm që hyjnë në valët më të mëdha të zjarrit në një terren jashtëzakonisht të pjerrët dhe të paarritshëm. Deri para dy ditësh ishte kapluar pylli me pisha, ndërsa dje u përhap edhe në anën perëndimore, në vijë prej 2 kilometrash deri në fshatin Stinik”, thotë Bozhinov.
Siç thekson ai në Ograzhden nga një vatër zjarri deri në një tjetër ka të paktën një kilometër dhe sipas tij nuk është e mundur që ato zjarre të ndizen vetë. Sipas Bozhinov ka dyshime se zjarret mund të jenë shkaktuar me qëllim.
E përderisa shërbimet po mundohen të shuajnë zjarret një pikë shpresë për banorët lokalë është parashikimi i motit, sipas të cilit nesër duhet të ketë reshje shiu që do mundësojnë që situata të vihet nën kontroll.
Nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike për nesër pasdite kanë paralajmëruar për mot të paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme, bubullima, erë dhe breshër. Ky është një ngushëllim edhe për Kole Tanevin – i cili shpreson se zjarri nuk do ta përfshijë shtëpinë që e ndërtoi për t’i mbajtur gjallë kujtimet e birit të tij.