RMV, lëngje me baktere, tuna me histaminë, pjeshkë me pesticide: Çfarë ndaluan inspektorët që të mos përfundojë në tryezat tona?
Gjithsej 1.225 kilogramë nektarina të importuara u asgjësuan për shkak se në to u zbulua prani e pesticidit chlorphyripos, i cili është i ndaluar për përdorim në BE dhe SHBA. Përveç kësaj, inspektorët e ushqimit ndaluan edhe që toni i konservuar me origjinë nga Tajlanda të përfundonte në tryezat e konsumatorëve për shkak të pranisë […]
Gjithsej 1.225 kilogramë nektarina të importuara u asgjësuan për shkak se në to u zbulua prani e pesticidit chlorphyripos, i cili është i ndaluar për përdorim në BE dhe SHBA. Përveç kësaj, inspektorët e ushqimit ndaluan edhe që toni i konservuar me origjinë nga Tajlanda të përfundonte në tryezat e konsumatorëve për shkak të pranisë më të larta të histaminës, si dhe 319 kilogramë djathë lope që përmbante baktere Escherichia coli, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Sa i dëmshëm është pesticidi chlorphyripos dhe çfarë mund të shkaktojë ai tek organizmi i fëmijëve dhe të rriturve që konsumojnë fruta dhe perime të trajtuara me këtë kimikalie?
“Ky është një pesticid organofosforik. Është më toksiku, përdoret si insekticid. Nëse konsumohet në sasi më të mëdha ai mund të paraqesë një rrezik serioz për jetën. I konsumuar në sasi më të vogla për një kohë të gjatë ai mund të shkaktojë dëmtim të shumë organeve të trupit të njeriut. Tek fëmijët mund të shkaktojë pengesa në zhvillimin mendor, për shkak se dëmton pjesë të sistemit nervor qendror. Tek ne, si toksikologë klinikë, përballja me një pacient të helmuar nga ky pesticid na ngjall shumë frikë”, thotë Andon Çibishev, drejtor i Klinikës së Toksikologjisë.
Sa i përket zbulimit të histaminës në tonin e konservuar nga Tajlanda, ai thotë se histamina e konsumuar nëpërmjet ushqimit mund të shkaktojë çrregullime serioze të funksioneve të organizmit, alergji dhe vështirësi në frymëmarrje. Për Escherichia coli-n e zbuluar në djathë, Çibishev shpjegon se ajo mund të përhapet në organizëm atje ku nuk ka qenë e pranishme kurrë (për shembull, në mushkëri) dhe të shkaktojë infeksione fatale.
“Do kisha dashur të shihnim se ku dhe si do të asgjësohet ky kontigjent i nektarinave toksike dhe i ushqimeve të tjera të pasigurta”, theksoi ai.
Për atë se çfarë është asgjësuar si ushqim i pasigurt, si dhe për numrin e kontrolleve të kryera që nga fillimi i vitit në qarkullimin e brendshëm të importit të ushqimeve, Meta.mk iu drejtua Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Nga atje bëjnë të ditur se që nga fillimi i vitit e deri në muajin qershor në tregun e brendshëm janë kryer 24.335 kontrolle inspektuese. Janë shqiptuar gjithsej 2.433 masa kontrolli. Janë asgjësuar 37.6 ton e 13.654 litra ushqime të pasigurta me origjinë shtazore dhe joshtazore.
Mish pule i ngrirë dhe speca me gjizë të pasigurta
Siç thonë nga AUV për Meta.mk, rreth tridhjetë dërgesa me ushqime me origjinë jo shtazore që janë eksportuar nga vendi ynë janë kthyer për shkak të kalibrimit joadekuat, mungesës së dokumentacionit, gabimeve gjatë dërgimit, dëmtimit gjatë transportit, por nuk janë kthyer për shkaqe sigurie.
“Janë kthyer ose asgjësuar pesë dërgesa me ushqime me origjinë shtazore (mish i konservuar nga Rumania për shkak të mungesës/certifikatës së parregullt veterinare shëndetësore, mish i ngrirë i pulës nga Hungaria (dërgesa vjen nga një rajon nga i cili është i ndaluar importimi i ushqimeve), speca me gjizë për mungesë të certifikatës veterinare shëndetësore”, thonë nga AUV.
Edhe ujë i ambalazhuar me baktere është ndaluar që të mos përfundojë tek konsumatorët
Si të pasigurta për import janë asgjësuar katër dërgesa me ushqime me origjinë jo shtazore, shtojnë në AUV.
“Bëhet fjalë për 1.225 kilogramë nektarina për shkak të pranisë së pesticidit chlorafiripos, 6.048 litra pije joalkoolike për shkak të pranisë së baktereve, 36.000 litra ujë – për shkak të pranisë së baktereve dhe 68 kilogramë kremi me hudhër për shkak të pranisë së një aditivi mbi përqendrimin maksimal të lejuar”, thonë nga AUV.
Qytetarët janë ankuar për ushqime të përgatitura në një ambient të papastër
Nga fillimi i vitit deri në fund të muajit qershor, qytetarët kanë dorëzuar 101 iniciativa për inspektim pranë Departamentit për mbrojtjen e konsumatorit pranë AUV-së. Është vepruar sipas 62 iniciativave. 19 janë në proces të veprimit, kurse një pjesë e të tjerave janë refuzuar dhe i janë përcjellë institucioneve tjera kompetente për veprim. Në të njëjtën periudhë kohore janë dorëzuar 12 parashtresa dhe sugjerime dhe për të gjitha ato është vepruar.
“Me iniciativat e dorëzuara për kryerjen e inspektimeve dhe me parashtresat dhe propozimet e dorëzuara, qytetarët në Agjenci janë ankuar për blerje të ushqimeve me afat të skaduar, ushqimeve të përgatitura dhe të shërbyera në kushte johigjienike, ushqimeve të etiketuara dhe të pa etiketuara në mënyrë adekuate, dyshimeve për helmim nga ushqimi, si dhe parashtresa të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve ushqimore”, thonë në AUV.
Që nga viti 2015 funksionon linja falas për konsumatorët 0800 3 22 22. Agjencia është e hapur edhe për denoncim në bazën e saj qendrore, ose nëpërmjet njësive rajonale në mbarë vendin. parashtresa mund të dërgohet edhe në mënyrë elektronike në [email protected]. Vitin e kaluar përmes Departamentit për mbrojtjen e konsumatorit qytetarët kanë dorëzuar gjithsej 390 parashtresa.
Në verë në shënjestër janë vendet turistike
Pas kontrolleve të jashtëzakonshme të përforcuara në objektet dhe operatorët me ushqim në qendrat turistike në Prespë, Strugë, Ohër dhe Dojran, ekipet inspektuese të AUV-së vazhdojnë të zbatojnë kontrolle të përforcuara edhe në qendrat e tjera turistike. Masat për përforcimin e mbikëqyrjes inspektuese ndaj operatorëve të ushqimit në kushte të temperaturave të larta të verës dhe incidenteve të mundshme me ushqimin mbeten në fuqi në të gjithë territorin e vendit.
Javën e kaluar 54 operatorëve të ushqimit u janë shqiptuar 54 gjoba nga inspektorët e ushqimit në aksionin që ata e kanë kryer nga data 16 deri më 19 korrik në vendet turistike në Dojran, Ohër dhe Strugë. Në kontrollet e jashtëzakonshme në këto katër qendra turistike janë përfshirë 112 objekte – hotele, restorante, objekte të përkohshme – hotelierike, mishtore dhe markete. Nga të dënuarit, 8 operatorëve të ushqimit u është shqiptuar dënim ndalim i kryerjes së veprimtarisë deri në eliminimin e mangësive të konstatuara.
Rihapet Fast-food-i në Shkup në të cilin u helmuan nëntë persona
Çfarë thonë rezultatet e mostrave të analizuara në ato disa raste të helmimit nga ushqimi? Nga AUV thonë se për dyshimet e mëparshme për helmim të mundshëm nga ushqimi në një objekt hoteliere – restorant në lagjen Vllae në Shkup dhe në një Fast-Food në Aerodrom të Shkupit, pas kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese AHV i ka marrë rezultatet e mostrave të marra nga ushqimet dhe nga sipërfaqet punuese në këto dy objekte dhe ato janë negative, pra nuk është konstatuar prani e baktereve patogjene.
“Për të dy objektet është lëshuar vendim për rihapje”, thonë nga atje.
Është për tu çuditur fakti që autoritetet nuk gjetën asgjë në ushqimin në Fast-Food-in, duke marrë parasysh se nëntë persona raportuan helmim nga ushqimi që kishin konsumuar atje. Prej tyre, pesë janë konfirmuar laboratorikisht me infeksion me Salmonela, 3 persona me gastroenterokolit dhe një person me Intoxicatio alimentaris (helmim nga ushqimi).
Nga AUV po ashtu informojnë se rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të marra të ushqimit dhe strishove nga sipërfaqet punuese në një restorant-piceri në Gostivar ku dyshohej për helmim nga ushqimi janë negative. Edhe për këtë objekt është lëshuar leja për rihapjen e kuzhinës, e cila pas denoncimit u mbyll nga shërbimet inspektuese të AUV-së.