BDI dhe VLEN e nisin ditën me kumtesa thumbuese
Margjinalizimi i shqiptarëve rrezikon stabilitetin, funksionalitetin dhe rrugën europiane të shtetit Në muajt e fundit, jemi dëshmitarë të një prishjeje të thellë të ekuilibrit institucional dhe shoqëror në Republikën e The post BDI dhe VLEN e nisin ditën me kumtesa thumbuese appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Margjinalizimi i shqiptarëve rrezikon stabilitetin, funksionalitetin dhe rrugën europiane të shtetit
Në muajt e fundit, jemi dëshmitarë të një prishjeje të thellë të ekuilibrit institucional dhe shoqëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Përmes vendimeve të njëanshme dhe politikave të përjashtimit, shqiptarëve u është mohuar një rol i rëndësishëm në proceset shtetformuese dhe në drejtimin e përbashkët të vendit.
Ky fenomen nuk është thjesht një çështje përfaqësimi etnik — është një çështje që prek vetë funksionimin e shtetit.
Margjinalizimi i shqiptarëve në jetën shtetërore, administrative dhe publike minon modelin e demokracisë konsensuale që, që prej Marrëveshjes së Ohrit, ka garantuar stabilitet, kohezion dhe përparim.
Akoma më shqetësuese është se ky regres ndodh në një moment kyç për perspektivën europiane të vendit.
Zvogëlimi i rolit konstruktiv të shqiptarëve — si partnerë kyç në ndërtimin e një shteti multietnik, demokratik dhe properëndimor — jo vetëm që rrezikon kohezionin e brendshëm, por edhe minon kredibilitetin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Për më tepër, fakti se sot në qeveri nuk ka një përfaqësim legjitim të shqiptarëve, por një grup partish me mbështetje minimale, rreth 1%, qe qytetarët me të drejtë i quajnë koalicioni FLEN, nuk mund ta amnistojnë elitën politike maqedonase nga përgjegjësia për krijimin e ndarjeve të thella dhe dëmtimin e parikuperueshëm të unitetit të shtetit.
Sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme të rikthehet parimi i bashkëqeverisjes së barabartë dhe të respektohen standardet që për dekada kanë garantuar paqe, stabilitet dhe perspektivë europiane.
Demokracia, mirëqenia dhe rruga drejt Bashkimit Europian janë të pandara nga respektimi i karakterit multietnik të shtetit tonë.
Ky është një thirrje jo vetëm për drejtësi ndaj shqiptarëve, por për një përgjegjësi të përbashkët ndaj së ardhmes së të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Vetëm zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje, thuhet në kumtesën e BDI.
VLEN: BDI sikur dëshiron që VMRO-DPMNE të fitojë me mbi 60 deputetë!
Mëkatet më të mëdha ndaj popullit të vet i bën BDI-ja. Nëse dikush punon kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoni, padyshim që janë Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani. Vetëm amatorët politikë nuk mund të parashikojnë se në zgjedhjet lokale së bashku me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kjo VMRO-DPMNE, në këtë gjendje dhe përballë kësaj opozite të dobët, do të dalë fituese absolute, me një shumicë prej mbi 60 deputetësh.
Derisa në kombinimet parlamentare të mos arrihet një shumicë prej dy të tretave pa deputetët e VMRO-DPMNE-së, opozita LSDM dhe BDI nuk kanë të drejtë të vajtojnë në mënyrë të rreme për perspektivën evropiane.
Nuk i mjaftoi BDI-së që, ndër të tjera, për shkak të sjelljes së saj kriminale në qeverinë e LSDM-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare VMRO-DPMNE kaloi nga opozita në fitore me 58 deputetë, tani, edhe duke qenë në opozitë, përmes narrativave të rreme dhe manipuluese për gjoja “deshqiptarizim”, vetëm sa e forcojnë edhe më shumë këtë parti.
Shqiptarët nuk janë aq naivë sa të besojnë gënjeshtrat e BDI-së. Ata kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare për të realizuar një “Qeveri të Përzhinës”, ku ministrin e Punëve të Brendshme do ta japë kontrollori i tyre politik, LSDM-ja.
Ali Ahmeti sheh në ato 100 ditë një mundësi për të shkatërruar provat e korrupsionit të ish-zyrtarëve të tij. Nëse nuk mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, BDI nuk dëshiron të dalë vetëm në zgjedhjet lokale.
Pse? Sepse për 22 vite kanë marrë pjesë në zgjedhje nga pozitat e pushtetit, duke keqpërdorur MPB-në, shantazhuar të punësuarit në administratë, blerë vota me paratë e qytetarëve, mbushur kutitë e votimit dhe falsifikuar vullnetin e votuesve.
Tani janë të frikësuar. Koalicioni VLEN do t’i mundë në zgjedhje lokale të lira, të ndershme dhe demokratike. Qytetarët do t’i kthejnë në realitet. Më në fund, ata do të përballen me një realitet shumë të hidhur.
Pa reformë programore dhe kadrovike, nuk kanë çfarë të kërkojnë nga votuesit, kumtuan nga VLEN. Flaka Media
The post BDI dhe VLEN e nisin ditën me kumtesa thumbuese appeared first on Flaka, në çdo lajm... .