Shënimi i 1 majit/LSM me protesta, KSL me konferencë me pushtetin dhe punëdhënësit
Një sindikatë 1 majin – Ditën e Punës do ta shënojë me protesta, ndërsa tjetra më 30 prill me një konferencë mbi zhvillimin e dialogut social në kontekstin e të drejtave të punëtorëve, ku do të marrin pjesë si punëdhënësit ashtu edhe përfaqësuesit e qeverisë. Kryetari i SASHK-ut, e cila është pjesë e Konfederatës së […]

Një sindikatë 1 majin – Ditën e Punës do ta shënojë me protesta, ndërsa tjetra më 30 prill me një konferencë mbi zhvillimin e dialogut social në kontekstin e të drejtave të punëtorëve, ku do të marrin pjesë si punëdhënësit ashtu edhe përfaqësuesit e qeverisë. Kryetari i SASHK-ut, e cila është pjesë e Konfederatës së Sindikatave të Lira, i tha TV21 se nuk do të marrin pjesë në protestat e paralajmëruara nga Lidhja e Sindikatave për më 1 Maj, sepse siç thonë, kjo është një paradë e zakonshme.
“-Pse po thoni paradë?
-Është paradë. Nuk është asgjë serioze. E dini, protesta duhet të organizohet në bazë të bindjes personale e jo në bazë të lutjeve të rrjeteve sociale – Dilni të gjithë, erdhi koha. Jo. Nëse punëtorët nuk janë të vetëdijshëm në çfarë nivel janë punët dhe do të dalin pa dallim nëse është 1 maj ose 30 dhjetor, të dalin në protestë e cila do të japë rezultate…”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK .
Sipas Nedellkovit protesta e LSM është një populizëm që vjen nga Sindikata të cilën askush nuk e konsideron partner të barabartë, andaj nuk ka rezultate nga puna e tyre.
“Me kë partner i barabartë?
Me partnerin social në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucioni, me drejtorin…
Në nivelin lokal, me autoritetet lokale, me komunën dhe në fund me pushtetin qendror”, shtoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK .
Lidhja e sindikatave e Maqedonisë në Ditën e punës paralajmëroi protesta me kërkesën themelore për pagë minimale prej 500 eurove dhe respektimin e marrëveshjeve kolektive. Nga LSM i akuzojnë sindikatat e tjera se janë vasalë të pushtetit dhe se nuk i mbrojnë të drejtat e punëtorëve.
“Për momentin të gjithë janë kundër LSM, duke përfshirë edhe qeverinë, punëdhënësit dhe sindikatat e tjera, për shkak se kërkojmë rritje të pagave, rritje të pagës minimale, paga dhe kushte të denja për punë. Askush nuk mund të kërcënojë punëtorët dhe sindikatat”, u shpreh Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM.
Sipas Nedellkovit nga SASHK, më të rëndësishme janë rezultatet se organizatori i protestave. Andaj, sipas tij, më mirë është që të zhvillohet dhe të avancohet dialogu social mes sindikatave, punëdhënësve dhe pushtetit në vend që menjëherë të organizohen protesta. Kjo masë duhet të jetë e fundit dhe të sjellë rezultate konkrete në favor të punëtorëve.