BDI: Hetimi për tragjedinë në Koçan nuk është profesional dhe i pavarur
Çdo ditë dalin prova të reja që konfirmojnë se hetimi për tragjedinë në Koçan nuk është një proces profesional apo i pavarur, por një proces politikisht i dirigjuar. Kështu shprehen nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), transmeton Portalb.mk. Ata thonë se ajo që po shohim nuk është një hetim, por një farsë e mirë organizuar për […]


Çdo ditë dalin prova të reja që konfirmojnë se hetimi për tragjedinë në Koçan nuk është një proces profesional apo i pavarur, por një proces politikisht i dirigjuar. Kështu shprehen nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), transmeton Portalb.mk.
Ata thonë se ajo që po shohim nuk është një hetim, por një farsë e mirë organizuar për të mbrojtur fajtorët e vërtetë.
“59 jetë të reja u shuan në një tragjedi të tmerrshme, ndërsa sistemi, në vend që të mbajë përgjegjës ata që e lejuan këtë objekt të funksionojë jashtë çdo rregulli, ata që injoruan denoncimet dhe paralajmërimet, po bën gjithçka për të gjetur dikë tjetër që t’ia faturojë fajin”, tha Arta Bilalli Zendeli.
Ata shtojnë se faktet janë gjithnjë e më të qarta: disa profesionistë brenda policisë së Koçanit nuk mund të heshtnin përballë shkeljeve të hapura dhe kishin dërguar informacione të shkruara për problemet në objektin “Puls”.
“Këto dokumente janë problemi më i madh për Qeverinë dhe strukturat e saj policore, sepse nuk mund të injorohen. Pikërisht për këtë arsye, këto struktura, me mbështetjen e Qeverisë, po punojnë ditë e natë për të zbatuar planin e tyre monstruoz për të zhvendosur fajin kudo tjetër, përveçse aty ku është me të vërtetë”, tha Arta Bilalli Zendeli.
Ata kërkuan publikisht:
- Pezullimin e menjëhershëm të gjithë zinxhirit komandues në MPB dhe Byronë për Siguri Publike, të cilët e dinin për problemet në PULSE, por nuk vepruan.
- Një hetim të pavarur, jashtë duarve të atyre që lejuan këtë tragjedi, për të zbuluar kush i dha mbrojtje këtij objekti.
- Hapjen e një procesi të ri kundër të gjithë atyre që po punojnë aktivisht për të fshehur të vërtetën dhe për të fabrikuar akuza monstruoze për të mbrojtur fajtorët e vërtetë.
“Nuk do të heshtim dhe do të kërkojmë përgjigje deri në fund, sepse nuk mund të lejojmë që kjo tragjedi të mbulohet me gënjeshtra dhe manipulime”, thanë nga BDI.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.