“Taratori” i Taravarit me premtimet për ndryshimet kushtetuese
Partneri shqiptar në koalicionin qeverisë të Maqedonisë së Veriut, VLEN, nuk ka qëndruar mirë me konzistencën rreth premtimit të saj elektoral për ndryshimet kushtetuese. Nga entuziazmi i madh se brenda 6 muajve do të bëhen ndryshimet kushtetuese, sot, njëri nga krerët e VLEN-it, Arben Taravari deklarohet se është vështirë të ndryshohet Kushtetuta. Ndryshimet kushtetuese, siç […]


Partneri shqiptar në koalicionin qeverisë të Maqedonisë së Veriut, VLEN, nuk ka qëndruar mirë me konzistencën rreth premtimit të saj elektoral për ndryshimet kushtetuese. Nga entuziazmi i madh se brenda 6 muajve do të bëhen ndryshimet kushtetuese, sot, njëri nga krerët e VLEN-it, Arben Taravari deklarohet se është vështirë të ndryshohet Kushtetuta. Ndryshimet kushtetuese, siç e kanë përsëritur edhe ambasadorë të BE-së në vend, janë hapi i radhës i shtetit drejt integrimeve europiane, shkruan Portalb.mk.
Kur do bëhen ndryshimet kushtetuese? Është pyetja që e ka përcjellur qeverinë aktuale (VMRO-DPMNE,VLEN, ZNAM) që nga votimi i saj.
Disa ditë pa u votuar qeveria e Maqedonisë së Veriut, por kur më dihej për përbërjen partiake brenda saj, më 3 qershor 2024, njëri nga liderët e VLEN-it, Arben Taravari, në një deklaratë publike pat thënë se nuk duan kufizime kohore, por që punët e nisura do të kryhen.
“Do të mundohemi të bëhen ndryshimet kushtetuese sa më herët, mos na kufizoni neve me gjashtë muaj, kur e keni prit Ali Ahmetin 20 vite për NATO apo për rrugën Shkup-Bllacë”, pat deklaruar Taravari.
Nga VLEN jepeshin premtime të reja e caktoheshin afate për kryerjen e kësaj çështje, edhe pse kryeministri i qeverisë Hristijan Mickoski, edhe si udhëheqës i opozitës, kishte qëndrimin se pa garanca se ndryshimi i Kushtetutës është kërkesa e fundit nga ana e Bullgarisë, nuk bën asnjë hap në këtë drejtim.
“Që nga viti 2002, Ahmeti ka më shumë se dy dekada që i paralajmëron ato negociata me BE-në. Ai madje e përshkroi si fluturim me aeroplan dhe se ai fluturim është i pasigurt. Megjithatë, mendoj se vitin e ardhshëm 2025 do të fillojmë negociatat me BE-në”, tha Taravari.
Kur qeveria aktuale po i numëronte muajt e parë dhe opinioni po kërkonte me ngulm përgjegjësi për procesin e ndryshimeve kushtetuese si hapërim drejt BE-së, VLEN erdhi me precizim të afatit kohor sa i përket ndryshimeve kushtetuese.
“Mendoj se ndryshimet kushtetuese do t’i fillojmë nga dhjetori”, tha Taravari më 24 tetor (2024).
“Mendoj se pas zgjedhjeve në Bullgari dhe zgjedhjeve në SHBA, mendoj se do të gjendet një zgjidhje që do të jetë një rrugëdalje për Maqedoninë nga ky ngërç. Mendoj se ndryshimet kushtetuese do t’i fillojmë nga dhjetori”, pat deklaruar Taravari.
Dhjetori solli datë të re në vazhdimësinë e zotimeve rreth çështjes për të cilën po shkruajmë.
“Që nga viti 2002, Ahmeti ka më shumë se dy dekada që i paralajmëron ato negociata me BE-në. Ai madje e përshkroi si fluturim me aeroplan dhe se ai fluturim është i pasigurt. Megjithatë, mendoj se vitin e ardhshëm 2025 do të fillojmë negociatat me BE-në”, tha Taravari, më 27 dhjetor (2024).
Vitin 2025 Taravari e nisi me të njëjtin optimizëm sikur kur u fomuar qeveria. Në janar të këtij viti, Taravari për një moment i sqaroi dyshimet e opinionit, por edhe këmbëngulësinë e Mickoskit në lidhje me ndryshimet kushtetuese.
“Ishte kundër Korridorit 8, sot Korridori 8 punohet më fuqishëm se çdoherë tjetër. Më lejoni t’ju them, Marrëveshja e Prespës, ka pasur edhe aty kundërshtime, por sot ai e ka pranuar. Puna e tretë që duhet të bëjë Mickoski dhe shpresoj se do ta bëjë që ne të shkojmë drejt BE-së. Tani ka pasur zgjedhje në SHBA, mos harroni se ai ka miq të ngushtë që janë të afërt me Presidentin Trump. Në Bullgari nuk kishte qeveri deri një javë më parë, sepse që të lëvizin këto gjëra, duhet të kesh dikë nga pala tjetër për të negociuar. Pra, jam shumë i lumtur dhe i sigurt që z. Mickoski dëshiron dhe është i sigurt se ne duhet t’i fillojmë negociatat, por edhe ai kërkon disa garanci”, deklaroi Taravari.
Kurora e ecejakeve të premtimeve, e prolongimeve rreth çështjes më të rëndësishme në vend nga e cila varet anëtarësimi në BE, ishte deklarata e mbrëmshme e Taravarit.
“Kur e formuam Qeverinë në fillim isha optimist, prandaj edhe vendosëm afat 6 muaj, por sot e shoh se kjo duket e vështirë. Kryeministri Mickoski ndoshta ka të drejtë, se ashtu mendojnë maqedonasit, por këtu nuk jetojnë vetëm maqedonasit. Ka edhe të tjerë. Sidoqoftë VMRO-DPMNE ka 58 deputetë dhe pa ata nuk mund të bëhen ndryshimet”, tha Taravari.
Ndryshe, nëse Maqedonia nuk i miraton amendamentet kushtetuese, ajo përballet me rrezikun të mbetet e izoluar. Këtë e pat paralajmëruar që vitin e kaluar ish ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg, i cili së bashku me kolegët e tij nga Çekia dhe Sllovakia në vizitën e fundit në Maqedoninë e Veriut, kërkuan miratimin ndryshimeve kushtetuese që vendi të vazhdojë përpara drejt Bashkimit Evropian.
“Nuk ka kohë për të humbur. Do dëshiroja që të vazhdoni me ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të filluar me negociatat e nevojshme për anëtarësim. Shtyrja e miratimit të amendamenteve nënkupton shtyrjen e anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Do të ishte turp që Shkupi pasi që vrapoi një maratonë të vështirë të pengohej në pengesën e fundit. Nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese dhe nuk vazhdon në rrugën evropiane, Maqedonia përballet me rrezikun të jetë e izoluar. Duhet të jeni politikisht të ndërgjegjshëm dhe të keni në rend të parë interesat kombëtare, jo interesat partiake. Momenti është tani. Ju siguroj se ne nuk ndërhymë në punët e brendshme të vendit, zgjidhja mund të vijë vetëm nga Maqedonia. Tani është koha për të menduar në mënyrë strategjike, ky është edhe një mesazh për miqtë tanë nga Bullgaria, kaloni çështjet dypalëshe”, pat deklaruar kryediplomati austriak.
Kujtojmë se, me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.